Quantcast
Channel: Kulturë – Gazeta SHQIP Online
Viewing all articles
Browse latest Browse all 4020

Zgjedh Shvejkun!

$
0
0

Sokol Shameti

sokol shametiDo të kujtoja Shvejkun, në “Ushtari i mirë Shvejk” të shkrimtarit, satiristit, gazetarit, bohemit dhe anarkistit Jarosllav Hashek. Mbresa e lënë prej karakterit tërësisht të pazakontë të Shvejkut, mund të them se ka qenë për mua ndër më të thellat qysh në momentin kur jam prezantuar me volumin e vjetër, me kapak të verdhë e të ujdisur me grafika aq të ngjashme me “comics”-ët e mëvonshëm. Mbase ishte prej fëmijërisë dhe kuriozitetit që lexova kapitujt e parë, por ishte tërësisht prej këtij personazhi absurd me normalitetin e tij brenda një anormaliteti të madh, që e mbarova me një frymë krejt librin. Ndër “incidentet” personale që kujtoj me këtë libër është zhgënjimi me finalen e tij të padenjë, të lënë në mes nga akti banal i vdekjes së vetë autorit të librit. Brenda një realiteti absolutisht tragjik siç është lufta, ky autor i cili në fund të librit njoftohemi se guxonte të vdiste pa e përfunduar detyrën e tij, kishte vënë të vërtitej një karakter – siç ishte Shvejku – i cili jetonte me mendjen e tij tërësisht në një orë dhe koordinatë tjetër, fare inkompatibël me marrëzinë e përgjithshme të luftës. Kjo diskordancë, jam i ndërgjegjshëm tani, ishte ajo që e bënte këtë personazh të të ngulitej në mendje me anë të cinizmit të vet të pafaj dhe kontaminues. Kur them Shvejku, di që u hyj në hak shumë personazheve ku e ku më të rëndësishëm për letërsinë, me të cilët kam kryqëzuar mendimin gjatë leximeve të mëvonshme. Çdo lexues pak a shumë serioz, e ka vetëdijen të shenjuar nga një popullatë e tërë personazhesh. Kush më shumë e kush më pak prej tyre, e ka një dorë në latimin e atij interieri çka përbën hapësirën njerëzore te lexuesi në fjalë. Kush më shumë e kush më pak, ka shërbyer në një moment të jetës si një tejqyrë për të kundruar së brendshmi gjithçka në mbështjellëse rreth lexuesit si qenie. Ama – çmoj – aftësinë për të tronditur, mes gjithë koleksionit të personazheve me të cilët takohet në libra një lexues, e kanë mbi të gjitha ata që hasen në fëmijëri. E kjo është arsyeja pse sot them, duke u kërkuar ndjesë të tjerëve: Shvejku. Mbase sepse teksa rritet dhe piqet, lexuesi aftësohet të zbulojë çelësat që zbërthejnë shumë nga karakteret me të cilët ai prezantohet në letërsitë që i bien në dorë. Shpesh, jeta e ka stërvitur lexuesin ta marrë me mend se si do të sillet një personazh, qysh përpara se të konsumohet roli i tij në libër. Mirëpo, vetëm kur është fëmijë, lexuesi është në një farë mënyre lodër në duart e personazhit, është i impresionueshëm prej tij për shkak se përvoja jetësore mungon dhe është vetë jeta e personazhit në një libër që i kthehet atij në përvojë.

Ky shkrim Zgjedh Shvejkun! u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 4020

Latest Images



Latest Images

<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>