Quantcast
Channel: Kulturë – Gazeta SHQIP Online
Viewing all 4020 articles
Browse latest View live

Samuel Beckett, Një burrë nga Dublini

$
0
0

Samuel-Beckett-001Barbara Bray nuk mund ta mendonte se ai udhëtim me tren drejt Parisit do t’ia bënte më të rralla kthimet në Londër. Ajo e takoi Samuel Beckett në zyrën e saj në ambientet e BBC. Portreti i tij ishte ashtu si dramat që shkruante. I ftohtë, me rrudhat që ishin shpërndarë shkujdesur në fytyrë, që e bënin të ngjasonte si një personazh teatri absurd. Ajo mban mend dhe xhaketën ngjyrë kafe që ai kishte veshur sipër një pulovri të lehtë. Gjithçka ndryshoi kur ai u afrua pranë saj, për t’i treguar veprën që kishte shkruar. U deshën vetëm disa sekonda që ajo të kuptonte se takimet me të nuk do të ishin takime të zakonshme pune. Korrespodenca që nisën më pas lidhur me bashkëpunimin në BBC do të ngjyrosej nga letra në letër me fjalë të ngrohta që e bënin Barbara-n t’i dukej vetja si personazhi i Duras tek libri “Dashnori” që po përkthente. Beckett i tha që e donte një mbrëmje, teksa e ftoi për të diskutuar mbi librin e tij të fundit. Teksa ecnin pas mesnate drejt apartamentit të saj, Barbara e ndjeu se nuk do të ndahej më nga ky burrë. yearbookgirlBarbara Bray, redaktorja dhe përkthyesja e njohur angleze është një nga femrat më të rëndësishme në jetën e Samuel Beckett. Edhe pse lidhja e tyre ishte e fshehtë, pasi Beckett ishte i martuar, që pas takimit të parë më 1957 e deri në vdekjen e tij, ata nuk u ndanë asnjëherë. Ajo ishte 34 vjeçe, ndërsa ai 52. Gjatë një vizite që i bëri në Paris më 1961, ajo i tha se ishte gati të zhvendosej në Paris për të qenë pranë tij. Përgjigjja e Beckett ishte se ai nuk mund të linte gruan me të cilën jetonte prej 20 vitesh edhe pse ishte i dashuruar me të. Megjithatë Barbara u shpërngul në Paris, dhe Beckett jetoi më shumë pranë saj. Ajo nuk ishte thjesht e dashura, por edhe kritikja dhe frymëzuesja për Beckett. “Ajo ishte e vogël, dhe tepër tërheqëse, por mbi të gjitha fort inteligjente e shumë e lexuar. Takimi i tyre ishte shumë i rëndësishëm në jetën e të dyve. Ai nisi menjëherë një marrëdhënie me të dhe e mbajti atë gjithë jetën paralelisht me martesën që kishte me Suzanne-n”, shkruan kritiku dhe miku i Beckett, James Knowlson. Në tetor të vitit 1969, kur ishte me pushime në Tunis, me bashkëshorten Beckett, mori lajmin se ishte fitues i çmimit “Nobel”. Duke menduar jetën private të të shoqit, Suzanne e quajti çmimin “një katastrofë”. Jeta e Beckett nuk ndryshoi shumë pas “Nobel”-it. Ai vijoi jetën e tij private duke dashur të jetojë larg shtypit, të shmangë takimet me miq artistë apo studiues. Në kujtimet e bashkëkohësve, Beckett tregohet si një burrë tërheqës për femrat. Rëndësia që Barbara pati në jetën e tij do të bëhej publike pas vdekjes së Beckett. Në vitin 1997, “Trinity College” në Dublin e pagoi atë me £250,000 për 700 letra që ajo kishte nga marrëdhënia me Beckett-in përgjatë 30 viteve. (Pasi vetë Beckett-i e kishte djegur të gjithë korrespodencën personale para vdekjes). Letrat tregonin rëndësinë që kjo grua kishte pasur në jetën dhe letërsinë e shkrimtarit, por dhe konceptet dhe vështirësitë me të cilat ai shpesh ishte përballur. Pas shpërnguljes në Paris, ajo nisi karrierën si përkthyese, duke përkthyer shkrimtarë si Marguerite Duras, Sartre, Anouilh, Genet, Amin Maalouf, Ismail Kadare apo Tahar Ben Jelloun. Samuel Beckett është një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë botërore. Ai lindi më 13 prill 1906 në Dublin, Irlandë. Pas studimeve të gjuhës dhe letërsisë në “Trinity College” të Dublinit ishte lektor i anglishtes në “Ecole Normale Supèrieure” të Parisit ku njohu dhe u bë mik i James Joyce. Më 1938, pas vitesh të turbullta shkuar mes Irlandës, Anglisë dhe Francës vendosen në Paris. Bën pjesë në Rezistence dhe në 1942 i shpëton Gestapos e strehohet në Francën Jugore ku shkruan romanin “Watt”. Pas shkrimeve të para në gjuhën angleze, mes të cilave një trajtesë filozofike (Dante, Bruno, Vico, Joyce, 1929), një eseje kritike (Proust, 1931), një përmbledhjeje në vargje (Echo’s Bones, 1935) dhe romanit të tij të parë (Murphy, 1938), në vitin 1943 Beckett i nis të shkruajë në gjuhën frënge, duke i përkthyer ai vetë veprat në anglisht. I rikthyer në Paris në vitin 1950 shkruan romanet “Molloy” (1951), “Malone vdes” (1951) dhe “I paemërtueshmi” (1953), një trilogji narrative, në të cilën personazhet monologuese të mbërthyer në palëvizje do të jenë lajmëtarë të temave dhe së gjithë poetikës së prodhimit beketian. Vepra e tij vë në skenë ankthin e njeriut ballë absurditetit të ekzistencës. Përmes një rrëfimi që bëhet gjithmonë e më i ngjeshur dhe esencial, dramat shprehin, edhe fizikisht, gozhdimin e personazheve, një kuadër ku nuk është i mundur asnjë evoluim ekzistencial apo psikologjik.Samuel Beckett-i shkon te më e mira. Nuk dua të dëgjoj filozofira, trakte të shkëputura, dogma, të vërteta të imponuara apo gjëra të tilla. Unë dua vetëm gjëra të bazuara në diçka. Dhe këtë e ka bërë mjaft mirë Beckett-i në veprat e tij. Është një autor i madh dhe kushdo mund të flasë me orë të tëra për të. Është shumë kurajoz, të heq çdo lloj stresi. Çdo fletë që lexoj më bën që të kthej me vrap tjetrën nga pas, pasi kurioziteti më shtyn të lexoj edhe pse mund të jem shumë i zënë në ato momente. Nuk lë asnjë situatë pezull apo pa sqaruar, ka shumë detaje të bukura dhe jo të bezdisshme dhe të gjitha këto mishërohen te kryevepra “Duke pritur Godonë”. Përmes veprave të shkruara prej tij, kuptoj mjaft mirë”, shprehej për të Harold Pinter. Beckett është konsideruar si eksponenti më i lartë i teatrit absurd. Në veprat e tij surreale janë portretizuar individë të paralizuar nga makthi përballë një bote pa sens e të detyruar të struken në shkretinë e mendjes. Në vitin 1969 vlerësohet me çmimin “Nobel”. “Samuel Beckett-i në bazë të disa sondazheve të bëra, është i pëlqyer nga të gjithë gjeneratat. Ai i dha zë shpirtit nëpërmjet përshkrimit të situatave, të ngjarjeve që ka thurur në veprat e tij. Si meshkujt ashtu edhe femrat kanë një preferencë për të ku Beckett-i hyn në shkrimtarët më të pëlqyer. Është shumë relaksues. Situatat bëhen më interesante kur ai flet edhe për besimin në Zot, si një forcë të madhe të mbinatyrshme. “Duke pritur Godonë” është një libër që fillimisht nuk u duk se do të kishte suksesin e kryeveprave të tjera botërore, por shumë shpejt ajo u bë një bestseller dhe që zuri vend për kohë me radhë në libraritë botërore. Fakti që veprat e tij janë vënë në skenë në teatro të ndryshëm, do të thotë se ai është i madh. Unë do të mund ta krahasoja gati në radhët e autorëve si Shekspiri”, shkruan për të Richard Ellmann.

 

a.b

Ky shkrim Samuel Beckett, Një burrë nga Dublini u publikua me pare te Gazeta SHQIP.


Një ditë për dashnorin e letrave  

$
0
0

Sot, 115-vjetori i lindjes së Ernest Heminguejit / Këngëtarja Eda Zari, mikëpritëse e një mbrëmjeje “Alla-Heminguej”

Në shqip, shkrimtari është përkthyer nga emra të njohur të letrave, si Ismail Kadare apo Vedat Kokona

Ernest Hemingway“Nuk e di të them se pse sa herë të rrethoja me krahët e mi, ndihesha si në shtëpi.” Ernest Heminguej, një prej personazheve më të njohura të letrave botërore, i shkruante kështu të dashurës së tij, Marlene Dietrich. Janë pa fund letrat që ai i shkroi asaj dhe ato që ajo shkroi për të. “E dashurova menjëherë. Nuk kam reshtur kurrë së dashuruari. E dashurova në mënyrë platonike. E them këtë, sepse dashuria që Ernest Heminguej dhe unë ndienim për njëri-tjetrin ishte e jashtëzakonshme në mënyrën se si ne e përjetonim: një dashuri e pastër, absolute. Një ndjenjë e paprekur nga dyshimet, një dashuri përtej horizontit, përtej vdekjes, edhe pse e di me siguri që kjo nuk ekziston. Ndoshta prandaj edhe ndjenjat tona i rezistonin kohës, edhe atëherë kur nuk kishte më fije shprese për asnjërin”, shkruante ajo. Shkrimtari i adhuruar nga gratë, që nuk e fshehu asnjëherë tërheqjen ndaj seksit tjetër dhe e shndërroi letërsinë në një depërtim në qenien njerëzore, sot shënon 115-vjetorin e lindjes. Në çdo vend të botës, shtëpitë botuese që e botojnë, adhuruesit e librave të tij ndalen për të kujtuar njeriun që me jetën dhe punën e tij, i bëri ta donin.

Ditëlindja e Heminguejit do të festohet edhe në Shqipëri. Këngëtarja Eda Zari do të jetë mikëpritësja e një mbrëmjeje “Alla Heminguej”. “Në datën 21 korrik, për ditëlindjen e Heminguejit, në një festë alla Heminguej, në rrugën Heminguej, në orët e vona të Heminguej, me pijet e zemrës së Heminguej! Ato që ndodhin natën, nuk i shpjegojmë dot ditën, sepse atëherë ato nuk ekzistojnë… Prandaj le të festojmë të gjithë natën alla Heminguej dhe t’i lëmë të tjerët të lodhen kur të lindë dielli, të shpjegojnë qejfin ‘e pashpjegueshëm’ që do të bëjmë”, thuhet në një njoftim, të këngëtares. Pjesa më e madhe e librave të Heminguejit janë botuar edhe në gjuhën shqipe. Përkthyesit e tij në gjuhën shqipe janë emra të njohur të letrave. “Plaku dhe deti”, vepra më përfaqësuese e letërsisë së tij, është përkthyer në shqip nga shkrimtari i madh Ismail Kadare. “Ai kërkon t’i përkthehet ajo që sapo ka dëgjuar. Përveç përkthimit të jashtëm nga një gjuhë në një tjetër, ka edhe një përkthim të brendshëm, përbrenda po asaj gjuhe. Ismail Kadareja është mjeshtër i këtij përkthimi të brendshëm në veprën e vet. Jo vetëm në rastet kur drejtpërdrejt shënon po në atë vend ese dhe trajtesë, proces dhe zhdrivillim, por edhe duke e shndërruar këtë në përftesë letrare”, shkruan prof. Xhevat Lloshi për këtë përkthim. “Plaku dhe deti” është një tregim për forcën dhe dinjitetin e shpirtit të njeriut. Me simbolikën e tij, ai trajton pyetjen e madhe, se deri ku duhet të shkojë njeriu, deri ku duhet të guxojë. Për Heminguejin njeriu, edhe kur e di se do ta kapërcejë të zakonshmen, se po shkel përtej saj, në trevën e dyluftimit të pabarabartë, madje të vetë vdekjes, nuk ka përse të tërhiqet pa e provuar. Më mirë të kthehesh i mundur, pasi e ke provuar ndeshjen, pasi e ke treguar se e ke guximin ta bësh sesa të dështosh pa e bërë provën. “Lamtumirë armë”, një tjetër vepër e dashur e Heminguejit i ka ardhur lexuesit shqiptar nën shqipërimin e një tjetër emri të njohur të letrave shqipe, Vedat Kokonës. “Të kesh dhe të mos kesh” është përkthyer nga Alqi Kristo. Një pjesë e tregimeve të tij kanë ardhur vitet e fundit në shqip, botuar në faqet e revistave të ndryshme letrare. Heminguej mbetet sfida e çdo përkthyesi, dhe padyshim një shkrimtar që të rrëmben zemrën që me librin e parë që i ke lexuar. Ai lindi më Illinois, 21 korrik 1899, dhe vdiq i vetëvrarë më 02.07.1961, Ketchum, Idaho, e kujtohet nga të gjitha qarqet artistike si një ndër shkrimtarët më në zë amerikanë të shekullit XX dhe si përfaqësuesi kryesor i Brezit të Humbur. Ai përjetoi thellë tragjedinë e dy luftërave botërore, u gjend disa herë ballë për ballë me vdekjen dhe shkroi një letërsi ku dhunës njerëzore i kundërvihet dashuria, ndërsa kotësisë dhe zhgënjimit të jetës, përpjekja për të qëndruar me çdo çmim dhe me çdo kusht. Heminguej u rrit në një mjedis mbytës provincial nën autoritetin e një nëne të rreptë, ndërsa vetëvrasja e të atit la gjurmë të pashlyera në zemrën e tij. Universiteti i parë për Heminguejin u bë Lufta e Parë Botërore. Ai shkoi vullnetar si sanitar në Itali, ku u njoh me tmerret e luftës, por edhe me burrërinë dhe vetëmohimin, që do të mbushnin faqet e tregimeve dhe romanëve të tij të mëvonshëm. Atë që mundi të shkruante, duke bashkuar llojin e gazetarisë me atë të letërsisë artistike, e mblodhi në vëllimin e parë “Në kohën tonë” dhe në vëllimin e dytë “Burra pa gra”. Por në mbarë botën Heminguej u bë i njohur me romanin “Lamtumirë armë”, ku trajton një histori dashurie, që përfundon tragjikisht në një botë ku sundon ligji i luftës dhe ku njeriu vret njeriun.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Heminguej udhëtoi dhe mori pjesë në veprime luftarake si korrespondent. Në tregimet e kësaj kohe tingëllon e fuqishme ideja antifashiste kundër luftës. Heminguej u bë i famshëm me botimin e novelës “Plaku dhe deti”, për të cilën u nderua me çmimin “Nobel”. Si për të vazhduar traditën familjare, Ernest Heminguej vrau veten, duke pasur frikë nga sëmundja, e cila e mundonte prej kohësh. I konsideruar nga shumëkush si strehë e brezit të humbur, Heminguej vazhdon të mbetet shkrimtari më i shquar amerikan. Proza e tij e gjallë shquhet për nga thjeshtësia mahnitëse, dialogu i thjeshtë plot jetë. Personazhet kryesore të Heminguejit janë gjithnjë luftëtarë të paepur, me dinjitet krenar, toreador, përballë gjendjes së nderë që po përjetonte padrejtësisht brezi i humbur, brez në kurrizin e të cilit rëndoi më së shumti Lufta e Parë Botërore. Heminguej vijon të jetë një personazh, ku kritika dhe biografët vijojnë të hulumtojnë. Tre vjet më parë, një miku i tij zbuloi fakte që tregonin se shkrimtari është ndjekur vazhdimisht nga agjentë të FBI-së. Në një shkrim botuar në “New York Times” me rastin e 50-vjetorit të vdekjes së shkrimtarit, AE Hotcher, biograf i tij shkruante se FBI-ja ka kontribuuar në ankthin dhe vetëvrasjen e tij”. Por sot është një ditë për të kujtuar Heminguejin, qoftë duke hapur një libër të tij…

 

Ky shkrim Një ditë për dashnorin e letrave   u publikua me pare te Gazeta SHQIP.

Tal Kravitz: Çdo këngë e imja, lutje për ditë më të mira

$
0
0

Tal Kravitz/ Artisti i njohur izraelit në Shqipëri për edicionin e tretë të Festivalit Ndërkombëtar të Xhazit, i cili hap siparin sot për të vijuar deri më 27 korrik. Nga Tirana, festa e muzikës do të udhëtojë në Shkodër, Korçë e Porto Palermo 

Në moshën 19-vjeçare u arratis nga Izraeli pasi nuk donte të kryente shërbimin ushtarak dhe përfundoi në ishujt e Papua Guinea. “Ishte turp që një djalë të largohej nga ushtria”, – tregon ai

Tal Kravitz (1)
Tal Kravitz (2)
Tal Kravitz (3)

“Çdo muzikë që del nga brenda zemrës, siç është folklori në jetën e çdo vendi, vazhdon të emocionojë. Folklori është e vetmja muzikë natyrore, e cila buron ashtu natyrshëm e na bën për vete”. Tal Kravitz, një emër i njohur në botën e xhazit, shprehet kështu, teksa përpiqet të tregojë se ajo çfarë e bën të ndjerë jo vetëm xhazin por çdo tingull muzikor, është çdo burim që vjen nga shpirti i një populli. Artisti izraelit ndodhet në Tiranë për të performuar në edicionin e tretë të Festivalit Ndërkombëtar të Xhazit, i cili hap siparin sot, për të vijuar deri më 27 korrik. Ndërsa Izraeli vazhdon të zërë faqet e shtypit botëror për raportet e tensionuara me Palestinën, Kravitz ka zgjedhur të kërkojë paqen nëpërmjet muzikës. “Në këto ditë të vështira që po kalon vendi im, Izraeli, kam pasur fatin që të kontribuoj nëpërmjet muzikës, duke kënduar edhe me vëllezërit e mi palestinezë, sepse arti dhe muzika është gjuha që na bashkon me Palestinën e gjithë botën, dhe çdo këngë e imja, do të vijë si një lutje për ditë më të mira”, thotë ai. Muzika nuk ka gjuhë dhe Kravitz e ka ndier këtë jo vetëm kur interpreton folklorin palestinez, por dhe atë të vendeve të ndryshme të botës ku ai ka udhëtuar. Ai beson se detyra e artit, përveçse të prekë zemrat e njerëzve, është dhe t’i ndërgjegjësojë ato. Arti mund t’i flasë edhe politikës, të ndryshojë qëndrime dhe të orientojë drejt të mirave kolektive. Pavarësisht se ndodhet mijëra kilometra larg vendit të tij, ai është i lidhur me çdo gjë që ndodh atje. Izraeli është shtëpia e tij, ku do të kthehet gjithnjë, pavarësisht sa larg do të shkojë. Tal kujton arratisjen e parë nga vendi i tij. Ishte 19 vjeç kur mori avionin për të ikur shumë larg. Çdo i ri izraelit është i detyruar të bëjë shërbimin ushtarak nga mosha 18-21 vjeç. Por Kravitz nuk mund të ishte pacifist, megjithëse nuk mund t’i thoshte jo shërbimit ushtarak, ndryshe do të shkonte në burg. “U trajnova një vit, por e kam urryer aq shumë atë kohë. U kërkova që në vend të ushtrisë të merresha me shërbime sociale në kujdes të fëmijëve me aftësi të kufizuara, apo çfarëdolloj gjëje që ata do të më kërkonin, vetëm ushtri të mos bëja. Por kjo kërkesë nuk u pranua. Ishte turp që një djalë të largohej nga ushtria. Kështu mora rrobat e mia dhe u largova nga Izraeli”, thotë Kravitz. Ende nuk kishte mbushur 20 vjeç kur u largua pa lënë asnjë shënim në shtëpi, drejt lirisë. Me ndihmesën e disa miqve ai gjeti para sa për udhëtimin dhe fluturoi në Europë. Në fillim u ndal në Holandë e më pas shkoi larg deri në Australi, për t’u ndalur më pas në ishullin Papua Guinea. Jeta në ishull do të ishte si një muzikë për të. “Ishte si një kthim në lashtësi, me popujt fisnorë, një traditë që të hipnotizonte. “Ishte aq bukur të shihje sesi ata njerëz jetonin në paqe me natyrën dhe veten, edhe pse nuk kishin as energji elektrike, ujë të rrjedhshëm apo rroba”, kujton Tal. Ditët në këtë ishull e bënë Tal të kthehej në një antropolog. Por, si ka qenë lidhja e tij me muzikën? Ai e kujton veten gjithnjë të lidhur me muzikën. Sot, teksa kthen vështrimin në kohë beson në fuqinë që kanë ëndrrat, në atë çfarë një njeri është në jetë. “Që kur e kujtoj veten, që 3 vjeç, ëndërroja muzikën. Më pëlqente të mbaja një vegël muzikore në dorë. Kur isha 7 vjeç prindërit më çuan për të më provuar në kisha talent për muzikë. Për fatin tim të keq, atyre u thanë që unë nuk kisha ndonjë talent ndaj nuk duhet të luaja muzikë”, kujton Tal. Pavarësisht këtij konstatimi, ai vazhdonte të ëndërronte sikur luante muzikë, deri sa një ditë zbuloi një piano të fshehur në një apartament të vjetër të familjes. “Për katër vjet kam luajtur piano fshehurazi, duke mësuar në mënyrë autodidakt t’i bija. Ishte diçka e paligjshme në Izrael të mësoje muzikë fshehurazi. Por kur u zbulova, kjo gjë u pranua nga familja dhe komuniteti, dhe që atëherë nuk kam ndalur së luajturi muzikë”, thotë Tal. Muzika e ka bërë të udhëtojë në shumë vende të botës. Shqipëria është vendi i 31-të ku ai ndalon për të interpretuar. Në çdo vend ku shkon atij i pëlqen të blejë vegla muzikore. “Shtëpia ime është plot me instrumente, të cilat i koleksionoj nga vende të ndryshme ku shkoj. Zakonisht blej instrumente përpara se të blej ushqime apo rroba. Kam aq shumë në shtëpi, sa tani i var në tavan”, thotë Kravitz.

Të mërkurën ai do të ngjitet në skenën e Festivalit Ndërkombëtar të Xhazit në ambientet e hotel “Sheraton” për të interpretuar xhaz. Kjo është muzika e jetës së tij, ajo çfarë e bën të shndërrohet i gjithi nën tingujt që i ndalin prej duarve. Marco Castelli Trio (Itali), Marco Zappa (Zvicër), Tal Kravitz (Izrael), Lebi Derya (Gjermani), Evrim Demirel Ensemble (Turqi), Das Großmütterchen (Austri), Martin Brunner Trio (Ceki), Manos Tavlakis Trio (Greqi) dhe Gent Rushi Quartet (Shqipëri-Kosovë) janë 9 grupet që do të performojnë gjatë gjashtë netëve të festivalit. Festivali do të nisë në Tiranë e do të vijojë më pas në Shkodër, Korçë, Apoloni, apo Porto Palermo. Festivali mbështetet nga Ministria e Kulturës si dhe bashkitë përkatëse. “Festivali, i cili vjen i organizuar nga Shoqata Syri Blu dhe fondacioni “Xoxa”, sjell në Shqipëri një aktivitet i cili i mungon vendit tonë, dhe që nëpërmjet tij, ne do të përpiqemi të promovojmë këtë zhanër i cili në Shqipëri nuk është edhe aq i pëlqyer sa muzika Rrock apo Pop”, tha Besim Petrela, producent i këtij eventi.

 

Ky shkrim Tal Kravitz: Çdo këngë e imja, lutje për ditë më të mira u publikua me pare te Gazeta SHQIP.

Festivali “Shekspiri shqiptar”, duartrokitet në Manastir

$
0
0

“Ëndrra e një nate vere”, vepra e Shekspirit, nën regjinë e John Blondell, është ngjitur dje në mbrëmje në skenën e “Bitola International Shakespeare Festival”, i cili ka hapur siparin këto ditë në Manastir, Maqedoni. Aktorët shqiptarë që interpretojnë në këtë vepër, e cila një vit më parë e pati premierën në skenën e Teatrit Kombëtar, janë duartrokitur nga publiku dhe kanë marrë vlerësime nga kritika e pranishme në festival. Në role kryesore interpretojnë aktorët Klea Rondo, Ervin Bejleri, Vasjan Lami, Helidon Fino, Elia Zaharia, Idrit Çobani, Erjona Kakeli, Neritan Liçaj, Holta Dako, Dritan Boriçi. Regjisori Blondell është një njohës i mirë i gjuhës shekspiriane. Prej vitit 2006, ai drejton Festivalin e Shekspirit në Santa Barbara, një nga shtatë festivalet më të njohura të Shekspirit në botë. Në Festivalin e Shekspirit që po mbahet në Manastir marrin pjesë 8 teatro nga e gjithë bota si ai rus, meksikan, turk etj. Vetë Blondell është shprehur se Festivali i Shekspirit në Manastir është frymëzuar nga Festivali i Londrës “Globe to Globe”, i cili ndjek shembullin e festivaleve të njëjta në “Gdansk Poloni” dhe “Craiova” Rumani. Edhe pse “Bitola International Shakespeare Festival” nuk është një festival me çmime, trupat që ngjiten në skenën e tij janë ndër trupat më të njohurat në rajon e më gjerë.

Ky shkrim Festivali “Shekspiri shqiptar”, duartrokitet në Manastir u publikua me pare te Gazeta SHQIP.

Emiljan Nënshati merr trofeun e “Marubit”

$
0
0

Shpallen fituesit e konkursit të fotografisë “Eja fotografo Shkodrën dhe fito”

Fotografi e ShkodresEmiljan Nënshati është fituesi i çmimit të parë i konkursit “Eja fotografo Shkodrën dhe fito”. Përtej një porte të hapur, mund të shohësh ndërtesat e larta që vitet e fundit janë shtuar në qytet. Ky është imazhi fotografik i Nënshatit, i cili ka brenda dy kohë, traditën dhe të tashmen. Ideja e artistit të ri është të bëhet më shumë për të ruajtur traditën, shtëpitë e vjetra karakteristike të qytetit, që po humbin nën hijen e ndërtesave të reja të mëdha. Konkursi fotografik u organizua në kuadër të projektit “Marubi” i cili e ka kthyer Shkodrën në një qytet ku mund të takosh lehtë artin. Fituese e çmimit të dytë u shpall Alba Canaj, ndërsa me çmim të tretë, Brigela Demaj. Me çmim inkurajues u vlerësua Anton Rrukaj. Rreth 50 artistë të rinj morën pjesë në këtë konkurs, i cili synon të ringjallë artin e fotografisë, në qytetin ku ky art lindi. Fituesi i çmimit të parë është pasardhës i mjeshtrit të fotografisë, Angjelin Nënshati. Ai është shprehur se do ta vazhdojë këtë traditë të çmuar të familjes.

Ky shkrim Emiljan Nënshati merr trofeun e “Marubit” u publikua me pare te Gazeta SHQIP.

Art, me simbolet e komunizmit

$
0
0

Antropologia Sofia Kalo sjell një diskutim mbi “botën e artit” në Shqipëri pas rënies së komunizmit

visitÇfarë ka ndodhur me artin në Shqipëri pas rënies së komunizmit? Si ka lëvizur mekanizmi i botës së artit dhe cilat janë prirjet e artistëve të rinj shqiptarë? Janë dhjetëra pyetje që mund të ngrihen për terrenin artistik të periudhës postkomuniste, po aq sa vazhdojnë të jenë ende për vetë periudhën e komunizmit. Ndërsa lëvizjet e artit para viteve ‘90 orientoheshin vetëm drejt ideologjisë, hyrja në një kontekst tjetër social, politik apo ekonomik pas viteve ‘90 i ka dhënë orientimit një kontekst më të gjerë. Ndërsa janë përqafuar forma të reja artistike, e shkuara duket se vazhdon të shihet si një frymëzim për artistët e rinj. Pjesa më e madhe e veprave me të cilat Shqipëria është përfaqësuar në ekspozita jashtë, apo dhe brenda saj, kanë në sfond simbole të komunizmit. Nevoja për të shpjeguar atë çfarë ka ndodhur në 50 vjet shihet në depërtimin që artistët e rinj bëjnë me veprat e tyre në kohë. Nuk ka rëndësi që nuk e kanë jetuar, e shkuara duket aq e pranishme me rrëfimet apo gjurmët që ka lënë në të tashmen. Por sa kanë mundur studiuesit e artit të hulumtojnë dy dekadat e fundit të artit në Shqipëri, që janë padyshim dekadat më interesante për prurjet, ngërçet apo mënyrën sesi e kanë trajtuar ndryshimin. Një pjesë e madhe e studimeve të botuara vitet e fundit janë më shumë monografi kushtuar artistëve të ndryshëm dhe shumë pak janë histori arti. Është e nevojshme të dokumentohet apo shtjellohet në forma të ndryshme studimesh ajo çfarë ka ndodhur me lëvizjen artistike në vend pas viteve ‘90. Sofia Kalo, kandidate PhD në Fakultetin e Antropologjisë pranë Universitetit të Massachusetts, Amherst, SHBA, dhe pedagoge në këtë universitet prej vitesh merret me studimin e artit. Dy ditë më parë, ajo prezantoi në ambientet e Ministrisë së Kulturës një sintezë të punës së saj kërkimore dyvjeçare (2010-2011) me qasje antropologjike mbi “botën e artit” në Shqipëri pas rënies së komunizmit, nën kujdesin e “Miza” galeri. Për herë të parë, një studiuese u përgjigjej pyetjeve dhe shtjelloi dukuri të asaj çfarë ka përjetuar skena artistike shqiptare këto vite. Kalo shqyrtoi art-prodhimin e këtyre 20 e ca viteve në kontekstin historik, ekonomik dhe politik ku ai është zhvilluar, shënuar me liberalizimin e artit nga mbikëqyrja dhe mbështetja totale shtetërore dhe përvetësimin e tij në ekonominë e tregut të lirë.
Art me simbolet e komunizmitPrezantimi nisi me analizën e një ndryshimi diskursiv që ka  ndodhur relativisht vonë në skenën artistike në Shqipëri, i cili thekson rëndësinë e një arti të angazhuar edhe me situatën sociale në vend, por edhe me dobishmërinë e tij për imazhin e një Shqipërie Europiane. Artistët shqiptarë bëjnë negociata mes forcave lokale dhe globale, por edhe identiteteve të tyre si art-prodhues që punojnë në kufijtë e Europës, në një kontekst global ku ndryshimet kulturore janë bërë gjithmonë edhe më të shitura. Kalo foli për punën e këtyre artistëve që u janë kthyer simboleve, temave dhe estetikës së periudhës komuniste, nëpërmjet të cilave shqyrtohet përvoja komuniste në Shqipëri por edhe politikat e së tashmes dhe së ardhmes. Interesant ishte diskutimi sesi artistët shqiptarë apo edhe aktorë të tjerë të skenës artistike, disiplinojnë punën e njëri-tjetrit, sidomos duke vënë në dukje mungesën e origjinalitetit, edhe në sajë të punëve të artistëve perëndimorë por edhe të tyren.

Ky shkrim Art, me simbolet e komunizmit u publikua me pare te Gazeta SHQIP.

Historia e orkestrës “hibrid” të veglave muzikore të temperuara

$
0
0

Orkestra e veglave muzikore popullore të temperuara, pjesë e kujtesës historike dhe e vazhdimësisë komunikative të folklorit muzikor shqiptar me muzikën e kultivuar kanë qenë një histori suksesi në folkun shqiptar. Tashmë veglat që nxirrnin tinguj mahnitës janë zhdukur dhe mund të shihen vetëm në fotografi të kohës…

Engjëll SERJANI

Orkestra e veglave te temperuara ne Festivalin e 17 te kenges ne RTVSHEtnomuzikologu dhe klarinetisti i talentuar gjirokastrit, Jorgo Roze, na rrëfen historinë tepër interesante të një orkestre frymore me instrumente popullore të temperuara, formacion instrumental origjinal, i rrallë dhe krejt i veçantë në llojin e tij, krahasuar me të gjitha formacionet që mbështesin dhe respektojnë veglat popullore autoktone dhe akordet muzikore polifonike të trevave të Jugut. Sipas maestro Rozes, folklori muzikor shqiptar është jashtëzakonisht i pasur, jo vetëm në shprehjet e muzikës vokale që nga forma njëzërëshe e deri te shumëzërëshi, por edhe në muzikën me instrumente popullore, në muzikën e kombinuar me zë e vegla, muzikën për shoqërimin e valleve popullore, muzikën e kombinuar me imitime dhe mjete natyrore dhe primitive si fishkëllima, gjeth, camunza, zile, këmbore, etj. Sidoqoftë, në vlerat e trashëgimisë materiale dhe shpirtërore ka një fond të madh instrumentesh popullore, të cilat klasifikohen në katër grupe kryesore: ideofone, membranofone, kordofone dhe areofone. Orkestra e Instrumenteve Popullore të Temperuara e Gjirokastrës e përbërë nga 23 instrumentistë arriti që, për herë të parë, të përpunojë dhe temperojë instrumentet tradicionale të të katër klasave të identifikuara nga etnomuzikologët shqiptarë dhe si një orkestër me vlera dhe komunikim të dyanshëm u prezantua zyrtarisht dhe denjësisht në Koncertin e Mirëseardhjes të Festivalit Folklorik Kombëtar të vitit 1978, në disa Festivale të Këngës në Radiotelevizion dhe në disa koncerte jashtë vendit të ansamblit artistik “Çerçiz Topulli”. “Ideja e krijimit të një orkestre me vegla popullore tradicionale, por të përpunuara dhe të temperuara në atë formë që të jenë të afta për të prodhuar tinguj të shkallëve muzikore për të luajtur me nota muzikore, i lindi për herë të parë kompozitorit Gjon Simoni”, – thotë Roze. Sipas idesë së kompozitorit dhe etnomuzikologut Gjon Simoni, baza e kësaj orkestre do të ishin veglat popullore të kategorisë aerofone, instrumente të lashtë që i prodhojnë tingujt muzikorë prej vibracioneve të frymës dhe luajtjes së gishtave mbi trupin e veglës muzikore, si bilbili, cyla, fyelli, cirifilja, fyelldrejti, dyjarja, pipëza, zumbarja, camunza, gajdja, gërneta, kallami, gëzhoja, etj., instrumente që përgjithësisht përdoren në të gjithë hapësirën etnomuzikore shqiptare, por që sipas prof. Ramadan Sokolit, ato veçanërisht dhe gjerësisht aplikohen në trevat folklorike jugore.

Muzikë, matematikë dhe mekanikë

“Maestro Gjoni qëndroi dhe punoi shumë kohë në Gjirokastër dhe së bashku me matematikanin e njohur gjirokastrit, Kosta Makariadhi, bashkëpunuan gjatë për të studiuar dhe për të përcaktuar pozicionet e vendosjes së brimave mbi tastierat e instrumenteve origjinale popullore nga ku mund të dilnin tonet dhe semitonet muzikore të kultivuara”, – thotë Jorgo. Procesi i përpunimit dhe përpunimi kalonte më tej në duart e arta të mjeshtrit axhustator Vaso Naka dhe disa mjeshtërve të tjerë në ish-uzinën metalike. Në bankat e repartit të tornove dhe axhustatorëve të ish-Uzinës Metalike operohet me duar, me mendje dhe me punto speciale për të hapur birat mbi tastierat e fyejve, dyjareve, jareve, longaritë, etj. Maestro Jorgo Roze kujton me emocion e nostalgji bashkëpunimin e ngushtë me mjeshtrin duarartë Vaso Naka, “mjeshtër me kategori të shtatë”, i cili, nëpërmjet duarve të tij dhe duke përdorur instrumente mekanike të precizonit të lartë, arriti të prodhojë instrumente muzikore të një kualiteti të lartë që habitën edhe maestro Ferdinant Dedën, dirigjentin e madh të Orkestrës Simfonike të RTSH-së. Vështirësia më e madhe ishte që të prodhohej instrumenti i parë i temperuar dhe harmonizuar, pastaj duart, puntot, tornot, limat, kalibrat “punonin” vetë. “Më kujtohet që gjatë testimit të instrumenteve nga muzikantët në repartet e uzinës kishte shumë zhurmë. Ne ndalonim makineritë dhe të gjithë punëtorët mblidheshin te bankat e provës dhe dëgjonin muzikën e instrumenteve”, kujton mjeshtri Naka. Pavarësisht se instrumentet e prodhuara prodhoheshin me dru panje dhe piksi, përpunimi i tyre bëhej me makineri metalpunuese për shkak se ndërhyrjet kërkonin precizion të lartë. “E nisëm në fillim me bilbilin. E regjistruam dhe e shtrimë në dy oktava: nga do poshtë, në do lartë. Pas bilbilit u morëm me longarin që kishte një rol harmonik në orkestër, nuk luante melodi, por kryente një lloj isoharmoni. Pastaj vazhduam deri sa krijuam një familje instrumentale të përsosur”, – tregon maestro Roze. Ai kujton gjithashtu përkujdesjen e maestro Gjon Simonit për çdo instrument. “Longari ose dyjarja, një instrument muzikor që e gjen pothuajse në çdo familje labe, luhet me dy duar në dy tastiera, maestro Gjoni dha idenë e ndarjes së dyjares në një instrument me një tastierë që quhet jare, sepse kështu ishte më e përshtatshme nga ana harmonike. Dhe kështu që bëmë dy jare: një jare në do dhe një jare në sol, duke e pasuruar kështu “familjen tonë orkestrale” me më shumë mundësi shprehjeje muzikore”, – thotë Roze. Testet, regjistrimet dhe temperimet e instrumenteve, sipas tij, bëheshin nga dy mjeshtër të harmonisë, Genci Çoni dhe Petro Mixha.

Krahas bilbilit, dyjares dhe jares, puna për regjistrimin, temperimin, dhe testimin u shtri edhe për veglat e tjera muzikore dhe u krye për 23 instrumente të ndryshëm muzikorë: gërnetën (klarinetën), qeramen (violinën), lahutë-bas që luante rolin e “babagjyshit” si instrumenti bazament që tingëllon më poshtë nga gjithë të tjerët, etj. Pas kësaj pune të lodhshme e mjaft të vështirë, orkestra sipas drejtuesit të saj Jorgo Roze, nisi të tingëllojë bukur në të “tri katet” e saj: Kati i parë: bilbili – qeramet – jarja inçe (do), kati i dytë: gërneta – fyejt – jarja inge(sol) dhe kati i tretë: longare – lahutat – lahuta bas – darja me ritmin e saj perkusioni.

Instrumente, por edhe instrumentistë virtuozë

Instrumente artizanale dhe virtuoze, por sado të përsosur e tingëllues të jenë ato, patjetër që duhen duart dhe shpirti i muzikantit dhe instrumentistit virtuoz që tingujt e muzikës të kalojnë te shpirtrat e publikut. Gjatë rrëfimit të tij, maestro Jorgo Roze, drejtues artistik, dirigjent dhe interpretues i parë në Orkestrën e Instrumenteve Popullore të Temperuara, të përbërë nga 23 instrumentistë virtuozë, me sytë gjysmë të mbyllur përpiqet të kujtojë dhe të mos harrojë asnjë nga muzikantët që i dhanë jetë kësaj orkestre. “Edhe sot më dalin para syve në kujtesë të gjithë kolegët, Vetë interpretoja në bilbil solo, por dhe dirigjoja duke interpretuar, përpara në klarinetë qëndronte nxënësi im Leko Kosta, në violina virtuozët e harkut Pranvera Ahmeti dhe Lefter Zhulla, më tej dy lahutarët Odise Çaro dhe Dashnor Mullai, në lahutë-bas Kujtim Dule, në dajre Ksenofon Andrea, në jare dhe bilbil Kozma Kaftani, Shkëlqim Skreli dhe Roland Çomo, Genci Çoni, Petro Mixha, Dhimitër Bocolla, Panajot Kallulli, Ilirjan Bilica, etj., të cilët për momentin nuk po më kujtohen”, rrëfen ai. Repertori i kësaj orkestre përfshinte elemente interesante, avaze, valle, melodi dhe këngë të ndryshme nga të gjitha trevat e Jugut të ndërthurura me shumë mjeshtëri me melosin autentik popullor nga zona të njohura për folklor tradicional si krahinën e Kardhiqit dhe Picarit, Lunxhërisë, Zagorisë, Pogonit, Dropulli, por edhe nga qyteti i Gjirokastrës. Në krye të repertorit ishin meloditë që buronin nga melosi i lashtë i isopolifonisë labe.

Prezantim dinjitoz në veprimtari kombëtare dhe ndërkombëtare

Interpretimet e para në formë eksperimentale të kombinuar të këtyre instrumenteve nisën me formacionin e orkestrës muzikore të Estradës Profesioniste të drejtuar nga vetë Jorgo Roze. “Në disa prej premierave të estradës ne interpretuam disa pjesë me instrumente të temperuara. Mbaj mend që fillimisht unë interpretoja bilbil-solo, në klarinetë nxënësi im Aleko Kosta, në violinë interpretonin Pranvera Ahmeti dhe Lefter Zhulla, në lahutë Odise Çaro dhe Dashnor Mullai, në lahutë-bas Kujtim Dule dhe në def (dajre) luante xhezbandisti Ksenofon Andrea. Gjatë një turneu konkurrues në Durrës, ne interpretuam disa pjesë dhe shoqëruam disa këngë dhe shefi i atëhershëm i muzikës në ish-Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës, Kristo Jorgji, u entuziazmua shumë, i pëlqeu shumë gërshetimi instrumenteve, muzikës me ngjyrime e motive tradicionale me ato të kultivuara. Aty fituam shumë pikë dhe përkrahje, sepse ish-zëvendësministri Mantho Bala, kur pa për herë të parë një orkestër estrade të veshur me kostume popullore, jelekë, fustanella e kalca shprehu vlerësime maksimale për respektimin e “tabanit kombëtar” dhe u shpreh i gatshëm për të mbështetur vazhdimin e mëtejshëm të projektit të Orkestrës Muzikore me Vegla Popullore të Temperuara. Prezantimi i parë zyrtar dhe më befasues i kësaj orkestre u bë në Koncertin e Mirëseardhjes të Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës në vitin 1978. Në këtë event të madh kulturor orkestra ishte e kompletuar më të gjitha instrumentet tradicionale të të katër klasave muzikore të identifikuara. Në skenën e madhe të kalasë, Orkestra e Instrumenteve Popullore të Temperuara e Gjirokastrës e përbërë nga 22 instrumentistë për herë të parë tregoi vlerat dhe vitalitetin e instrumenteve dhe muzikës tradicionale, për herë të parë dhe në mënyrë të plotë instrumentet moderne muzikore, “ulën kokën dhe ranë në gjunjë” përpara instrumenteve tradicionale nga edhe ata kishin origjinën. “Folklori muzikor shqiptar e bënte jetën e vet në atë ndarje specifike, që lidhet me format tradicionale të të shprehurit muzikorë dhe me tipat tradicionalë të instrumenteve të përdorura, por qëllimi i kësaj orkestre ishte që këto “burime” të mrekullueshme të tingujve muzikorë, jo vetëm të harmonizoheshin me instrumentet dhe muzikën e kultivuar shqiptare, por të merrnin prej traditës elementet më racionale dhe identifikuese të traditës së lashtë muzikore shqiptare”, shprehet maestro Jorgo Roze. Pikërisht këtij qëllimi i shërbeu edhe thirrja e kësaj orkestre për disa vjet rresht në eventin më të madh të muzikës së lehtë dhe të kultivuar, Festivalin e Këngës në Radiotelevizion. Orkestra mori pjesë për herë të parë në Festivalin e 16 të Këngës në Radiotelevizion. “Më thirri në telefon ish-nëndrejtori i RTSH, Çajup Rusmali, dhe më tha se do të merrnim pjesë në Festivalin e Këngës se Lehtë në RTVSH, ishte gjë e madhe në atë kohë, të 22 instrumentistët u mrekulluan. Nisëm përgatitjet dhe u nisëm për Tiranë një muaj para. Përkrah orkestrës së madhe simfonike, orkestra jonë na dukej shumë e vogël dhe démodé, por kur ajo mori vlerësime maksimale nga kolosët e muzikës shqiptare dhe sidomos nga publiku, ne morëm krahë dhe e vazhduam me më shumë pasion e përkushtim mbajtjen gjallë dhe pasurimin e repertorit të saj”, rrëfen Roze. Ne, vazhdon ai, morëm pjesë edhe në një festival tjetër të muzikës së lehtë një vit më pas, dhamë edhe disa koncerte me ansamblin “Çerçiz Topulli”. “Mirëpo, ç’të të them!? Tingujt e kësaj orkestre moderne me instrumente tradicionale dhe respektimi i parimeve të gërshetimit të muzikës tradicionale me atë modern nuk ishte ‘muzikë e bukur’ për të gjithë veshët. Na nxorën shumë vështirësi më pas, kryesorja e pretendimeve ‘përgatitja e veglave dhe mbajtja e orkestrës ka kosto të lartë’, sikur ishin pa kosto disa veprimtari propagandistike të asaj kohe!?”, – shfryn muzikanti 75-vjeçar Jorgo Roze i cili shprehet i gatshëm të ringjallë atë formacion “hibrid” instrumental-muzikor.

Gatishmëri dhe dëshirë për të ringjallur “orkestrën hibride”

Kjo histori, sipas maestros, zgjati deri në fund të viteve 1990. Prej asaj kohe, rrëfen ai, e deri tani, nuk gjendet në inventar të institucioneve kulturore asnjë prej instrumenteve të dikurshëm, mandej nëpër arkiva të këtyre institucioneve nuk po gjen as edhe ndonjë fotografi për të qenë. “Kemi hartuar një projekt për të ringjallur këtë orkestër të jashtëzakonshme. Së bashku me një grup muzikantësh interpretues kemi biseduar me mjeshtrin mekanik – axhustator Vaso Naka dhe jemi duke kërkuar andej-këndej mbështetje për burime materiale dhe financiare, thotë Roze. “Ne tashmë kemi eksperiencën dhe e dimë gjithë procesin e përgatitjes së instrumenteve të temperuara dhe nuk është aspak e vështirë për t’ju rikthyer edhe një herë këtij projekti me sukses të verifikuar”, – thotë mjeshtri i prodhimit të instrumenteve muzikore të temperuara Vaso Naka. “Vazhdimisht ndjekim në media dhe në publicitete dhjetëra festivale që zhvillohen në vendin tonë me lloj-lloj emrash; të polifonisë apo isopolifonisë, të sazeve, të muzikës baroke, të muzikës klasike, të këngës popullore qytetare, të odave, etnofolkut, turbofokut, të riteve, të valleve popullore, kombëtar e ndërkombëtar, të Europës, të Ballkanit dhe të Mesdheut, etj., etj., por askush nuk kujtohet për të ringjallur këtë orkestër muzikore që duke ruajtur me fanatizëm autenticitetin e muzikës tradicionale e lidhi atë në mënyrë harmonike me muzikën e kultivuat shqiptare”, thotë etnomuzikologu Jurgo Roze.

Ky shkrim Historia e orkestrës “hibrid” të veglave muzikore të temperuara u publikua me pare te Gazeta SHQIP.

Punimet artizanale shqiptare veshin urën e Bostonit

$
0
0

Artistja e re, Silvi Naçi, tërheq vëmendjen e medias vendase.

punime shqiptare ne Boston (1)
punime shqiptare ne Boston (2)
punime shqiptare ne Boston (3)
punime shqiptare ne Boston (4)
punime shqiptare ne Boston (5)
punime shqiptare ne Boston (6)

Ura e njohur e Bostonit “Mass Ave Bridge” është veshur këto ditë me punime artizanati shqiptare. Punime me shtiza ku nuk mungojnë motivet nga folklori ynë, kanë tërhequr vëmendjen jo vetëm të kalimtarëve, por dhe të shtypit vendas. Është artistja e re, Silvi Naçi, e cila shpalos një mori punimesh me dorë në një “ekspozitë” mbi krahët e urës. Ajo ka bërë bashkë artizanet shqiptare në SHBA, për të treguar thesaret që ruajnë nga Shqipëria. “The PRI’s the world” pjesë e BBC, i ka kushtuar një shkrim artistes shqiptare. Faqja e njohur shkruan se familja Naçi emigroi nga Shqipëria drejt Shteteve të Bashkuara në vitin 2001. Silvi tregon se këtë pasion për punimet me shtiza, e ka trashëguar nga nëna e saj. “Mbaj mend se kur kam qenë e vogël në Shqipëri, pasditeve, mblidheshim bashkë me nënat tona, në shtëpinë e ndonjërës prej nesh dhe mësonin të thurnim e të punonim me shtiza. Ishte një mënyrë shumë e mirë për t’u mbledhur bashkë. Ndaj dhe vendosa që ta shfrytëzoja këtë urë, si një vend që çdokush mund ta përdorë për të bërë artin e tij”. Punimet e saj me thurje, janë të bukura e të ndërlikuara e për amerikanët janë të rralla. Ajo ç’ka i ka habitur më shumë kuriozët dhe adhuruesit e punimeve të Silvit, ishte ndërthurja e ngjyrave të përdorura. Megjithatë, Silvi tregon se për një pjesë të punimeve, ka kontribuar në ide nëna e saj. “Ajo ka thurur emrin tim, aty thuhet, themeluesja Silvi Naçi – gjest shumë i dashur prej saj. Përveçse diçka e bukur nga ana estetike, ky projekt i Silvit është edhe një përmbledhje e kujtimeve të bashkuara me shtiza. Vitin e shkuar Silvi mori pjesë në maratonën e Bostonit, ku ndodhën edhe dy shpërthime. E madje për mediat amerikane ajo shpjegon se ngjarja e asaj dite i kujton ngjarjet e ‘97-s në Shqipëri: “Unë po vrapoja këtu atë ditë; kërcënime e shpërthime të tilla ndodhin shpesh në Shqipëri, atje ku unë kam jetuar. Prindërit e mi dhe unë u zhvendosëm këtu me shpresën se terrorizmi s’do të na ndiqte nga pas, por sot mendoj se një gjë e tillë ndodh kudo”. Në çdo thurje që ka bërë, Silvi Naçi ka ngjitur një karton, duke u kërkuar njerëzve të shkruajnë mbi të një dëshirë. Silvi ka studiuar Arte të Bukura dhe Dizajn në Suffolk University. Të ardhmen e saj ajo e sheh të lidhur me artin. Dizajni është pasioni i saj, ku ka realizuar disa punë. Ekspozita mbi urë, erdhi jo vetëm si tërheqje e saj ndaj kësaj pjese të çmuar të traditës sonë, por për t’u treguar të huajve një qytetërim të kulturuar në historinë e vendit të saj. Silvi është e tërhequr nga folklori dhe tradita e vendit të saj, dhe punoi fort me gratë që sollën punët e tyre në këtë event. Secila kishte një krijim unik në llojin e tij, që i bashkonte stili I traditës shqiptare.

Ky shkrim Punimet artizanale shqiptare veshin urën e Bostonit u publikua me pare te Gazeta SHQIP.


10 librat që nuk duhen humbur

$
0
0
-Komedia Hyjnore (Ferri)-Dante Aligeri

-Në kërkim të kohës së humbur- Marsel Prust

-I ndjeri Matia Pascal   – Luigi Pirandello

-Lulet e së keqes- Sharl Bodler

-Disiplina dhe dënimi –Michel Foucault

-“Anatomia e dëmtimit të njeriut -Erik Fromm

-“Çështje të marrëzisë” –Ismail Kadare

- “Aurora, mendime mbi paragjykimet morale”- Niçe

-“E kuqja dhe e zeza” –Stendal

-“Don Kishtoti” -Servantes

Ledi Shamku/ Librat që do të zgjidhte në Bibliotekën e Madhe të Botës/ Nga poezitë e dashurisë së Sharl Bodler, te “Në kërkim të kohës së humbur” të Prust, “Ferri” i Dantes…deri te përrallat që vazhdojnë ta magjepsin ende sot

Alda Bardhyli

Ledi ShmakuE barku i saj e gjinjtë, si dy fryte të virgjër erëmirë/dhe llërët dhe këmbët dhe kofshët dhe baseni/ të lëmuar si fildish, të kurbëzuar si qafë mjellme/shfaqeshin para meje mermer i pastër e plot dritë….Këto vargje janë shkëputur nga poezia “Stolitë” pjesë e vëllimit poetik “Lulet e së keqes” e Sharl Bodler. Ndjesitë që Bodler tregon në këto vargje për një grua nudo dhe tepër sensuale, u ndaluan me një vendim gjyqësor më vitin 1857. Bodler e shkroi këtë poezi kur ishte 21 vjeç, për një dashuri të fshehtë, pa emër, si të gjitha dashuritë e mëdha. Ishte një grua, e shtrirë nudo para tij në divan, me stolitë që i vareshin në qafën e hollë. Një grua që ai e deshi, dhe që sipas kritikëve mund të ketë qenë Jeanne Duval dhe jo një fantazi e poetit. Vargjet e tij për të, cilësohen si kulmi i lirikës së dashurisë, duke mbetur dhe sot një shembull i rrallë i një moderniteti gjenial shprehur në formën më klasike të poezisë. Ledi Shamku, e do shijen që lë gjatë brenda saj Bodler. “Lulet e së keqes”, e cilësuar si një nga kryeveprat e letërsisë franceze është një prej librave që ajo do të zgjidhte në Bibliotekën e Madhe të Botës, nëse i duhet të zgjidhte vetëm 10 libra. Bodlerin do ta merrte pa mëdyshje e bindur se aty gjendet mësimi më i mirë sesi mund të nxjerrësh më të mirën nga e keqja dhe të mësosh të jetosh me të. Tek ai gjendet fantastikja, pasioni për udhëtimin, refleksion i thellë për vdekjen, ëndrrat dhe atë ku duam të gjejmë prehje dashurinë. Me këtë libër diku në bibliotekën tënde, nuk i humb kurrë shpresat. Si një femër e angazhuar, e cila dëshiron të shohë përtej letrave, “Komedia hyjnore” është një tjetër libër që Shamku nuk do të donte ta humbte. Udhëtimi i jashtëzakonshëm i Dantes nëpër tri mbretëritë e përjetshme Ferrit, Purgatorit dhe Parajsës për gati 24 orë, është një spastrim i mirë për shpirtin njerëzor. Shamku do të zgjidhte Ferrin, aty ku është vendi i ndëshkimit të çdo dhune, mospërmbajtjeje, mashtrimi. Pasi pas çdo udhëtimi në rrathët e Ferrit, pas çdo fytyre të historisë që takon, është një leksion për jetën reale, për të ecur drejt rrugës së moralit. Marsel Prust, është një tjetër shkrimtar francez, i cili të bën ta duash që me librin e parë që i lexon. “Në kërkim të kohës së humbur”, vepra e tij e famshme është një tjetër libër që Shamku zgjedh, për ta veçuar. Një libër që të fut në skutat e pafundme të kujtesës, e të tregon dhomat e mëdha që mbajnë brenda jetët e secilit prej nesh. Ashtu si në jetën e një njeriu dhe në jetën e një kombi, kujtesa është ajo që e drejton drejt së ardhmes. Një libër filozofik, që i duhet çdo njeriu që beson në forcën e padukshme të së shkuarës. “I ndjeri Matia Pascal”, romani i njohur i Pirandellos, i cili ende nuk ka ardhur në gjuhën shqipe është një tjetër libër që ka lënë ende gjurmë te Shamku. Fituesi i çmimit Nobel më 1943 Pirandelo shquhet për guximin në dramat e tij. Tipike për Pirandelon është të tregojë se si arti apo iluzioni përzihen me realitetin dhe se si njerëzit i shohin gjërat në një mënyrë krejt ndryshe – fjalët nuk janë të besueshme dhe realiteti është në të njëjtën kohë i vërtetë dhe i rremë. Farsat tragjike të Pirandelos janë parë shpesh si pararendëse për Teatrin Absurd. E tërhequr nga sociologjia nuk ka si të mungojë në listën e librave të saj dhe vepra e sociologut të njohur francez, Michel Foucault, “Disiplina dhe dënimi”. Historia moderne europiane dhe amerikane bazohet në përpjekjen për ta çliruar lirinë nga zinxhirët politikë, ekonomikë dhe shpirtërorë që kanë lidhur njerëzit. Betejat për lirinë u bënë nga të shtypurit, nga ata që aspironin një liri të re, kundër atyre që kishin privilegje për të mbrojtur. Duke luftuar për çlirimin e tyre nga tirania, çdo klasë besonte se luftonte për lirinë në vetvete dhe kështu mund t’i bënte thirrje një ideali, dëshirës për liri të rrënjosur te të gjithë të shtypurit. Megjithatë, në betejën e gjatë dhe të vazhdueshme për lirinë, klasat që në një moment të përcaktuar historik luftuan kundër shtypjes u hodhën nga ana e armiqve të lirisë kur fitorja ishte e siguruar dhe kishte privilegje të reja për të mbrojtur. Humbja e unit, zëvendësimi i tij me një pseudoun e lë individin në një gjendje të thellë pasigurie. Ai është i mbërthyer nga dyshimi, mbasi duke qenë në thelb një refleks të asaj që të tjerët presin prej tij, në një farë mënyre ka humbur identitetin e vet. Për të mundur këtë panik janë të shumtë ata që përballë përgjegjësisë që shoqëron të jetuarin në liri, preferojnë të arratisen drejt kufijve të rinj të totalitarizmit ose të strehohen në konformizmin e masës. Ledi Shamku u beson teorive të Erik From, për politikën, njeriun, apo besimin. Libri i tij “Anatomia e dëmtimit të njeriut” të cilin e ka lexuar në italisht, renditet i gjashti në listën e librave që ajo nuk do të donte të mos e kishte lexuar. Ismail Kadare, shkrimtari i njohur shqiptar kandidat për çmimin Nobel, është një tjetër i preferuar i Shamkut me librin e tij “Çështje të marrëzisë” ose “Kronikë në gur”’. Bota është e marrë”, zbulon Kadare në këtë libër. Dhe e vetmja e vërtetë për shpjegimin e saj është marrëzia. Por kjo e vërtetë e thjeshtë nuk mund të zbulohet me asnjë nga instrumentet e njohjes që ka shpikur njerëzimi, me asnjë nga teoritë, ideologjitë, apo kuturisjet e marra nëpër botë. Ajo zbulohet vetëm me naivitetin e fëmijës. Vetëm syrit të pafajshëm fëmijëror i zbulohet e vërteta e madhe. Dhe e vërteta e madhe e botës është marrëzia. Niçe dhe teoritë e tij filozofike janë një rrugë për të njohur të vërtetën. Shamku zgjedh librin e tij “Aurora, mendime mbi paragjykimet morale”. Sharmi francez, Stendal dhe kryevepra e tij “E kuqja dhe e zeza”, është një tjetër libër që Shamku e zgjedh me dëshirë. Historia e të riut inteligjent e ambicioz, Zhylien Sorelit, që ka fatin të arsimohet dhe guximin e ambicien të dallohet në shoqërinë e lartë, është gjithmonë aktuale. Dy dashuritë e tij; zonja Dë Renal dhe Matildë dë la Mol, janë simbol i kundërshtive të egra që përplasen në shpirtin e Zhylienit. Libri i fundit që ajo zgjedh, dhe pse janë pafund librat që i kanë mbetur gjatë në mendje, apo i kanë hapur rrugën për diku, është ai që flet për kufijtë e së pamundurës. “Don Kishoti” i Servantesit, libri që u kushtohet idealistëve është një roman që të përfshin jo vetëm për fantazinë, por dhe moralin që përcjell. Shamku është nga ata që beson se librat nuk kanë vetëm aftësinë të të magjepsin, por edhe të të ndryshojnë. Ashtu si përrallat. Ajo nuk e ka humbur ende ndjesinë që të jep leximi i përrallave, që nga koha kur i dëgjonte teksa ia lexonte gjyshja Feti. Ato ishin përralla të pashkruara, legjenda urbane, e gjysmëmitologjike, por që ende i ka në kujtesë. Nga ajo kohë, leximi i përrallave është diçka e pashmangshme për të, si një manual për të gjetur rrugën e duhur për diku. Këto ditë po lexon përrallat irlandeze, të përkthyera në shqip. Sipas psikologëve, ligjërimi themelor i arsyes transmetohet përmes përrallave. “Bambi” nën përkthimin e Eqrem Çabejt dikur, është një sugjerim që ajo bën për ta lexuar, dhe një freskim i madh për shqipen e gjithkujt. Përrallat janë një armë shumë e fortë për t’u ruajtur nga e keqja, më shumë se çdo leksion që mund të marrësh. “Përralla e lojna Kombëtare” mbledhur nga At Donat Kurti, botuar nga Kolana Françeskane është një tjetër libër që nuk duhet humbur prej saj. “Përmbledhje e shkrimeve të françeskanëve për arbëreshët e Italisë”, “Verbëria” Saramango, “Tuneli”, Sabato, “Mjeshtri dhe Margarita” Bulgakov, “Me syrin e një klouni”, (Hajnrih Bel, nën përkthimin e Ardian Klosit, “Libri i Gabimeve” nga Gianni Rodari janë të tjerë libra që kanë lënë gjurmë tek ajo. Ledi Shamku, ashtu siç mund të flasë pafund për shqipen, mund të nxjerrë lehta nga kujtesa dhe librat që një e nga një kanë hyrë tek ajo, dhe e kanë bërë më të sigurt, e më të bukur brenda. Librat që vazhdojnë t’ia tërheqin vëmendjen në çdo kënd apo hapësirë ku mund t’i shohë, për t’i prekur apo shfletuar….

Ky shkrim 10 librat që nuk duhen humbur u publikua me pare te Gazeta SHQIP.

Një romancë pariziene për shqiptarkën

$
0
0

Pierre Chanlaine/ Gazetari dhe shkrimtari francez në Shqipërinë e Luftës së Parë Botërore, por dhe gjatë qeverisjes së Mbretit Zog. Eksperiencën shqiptare ai e solli në esenë “Luftimet në Shqipëri” dhe në një roman dashurie

romance pariziene (2)A do të bëhesh mikja ime /Moj Shqiptarka këmbëlehtë?/Eja pra në mal me mua/Mes rrezikut në më do…Kur Pierrë Chanlaine, gazetar dhe shkrimtar francez mbërriti në Shqipëri, përpiqej të dallonte në ecjen e lehtë dhe veshjen karakteristike në vështrimet e femrave shqiptare, që e kishin joshur aq shumë teksa lexonte vargjet e poetit Ambroise Bétourné, shkruar që në vitin 1833. Vargjet e Bétourné, të jepnin idenë e një Shqipërie romantike, ku një i huaj kishte mbetur aq i mahnitur nga shqiptaret sa u kishte kushtuar dhe një vjershë. Ai i lutej të shkonte me të në mal, mes rrezikut vetëm të bëhej mikja e tij. Pierre Chanlaine ishte i frymëzuar nga këto vargje teksa përpiqej të kuptonte atë çfarë ndodhte me këtë vend diku në Ballkan. Ai e pa Shqipërinë në dy periudha para dhe gjatë regjimit të Mbretit Zog. Ishte viti 1928 kur ai shkruante “Kur unë luftoja dikur në Shqipëri, ai ishte vendi më i prapambetur që ekzistonte. Por gjithashtu, një vend i bukur, ku përrenjtë derdheshin gëzueshëm prej maleve gjigante, – një vend simpatik. Shqiptarët e kanë mbrojtur gjithherë gjuhën e tyre kundër shtypjes greke ose turke. Shqiptari është i drejtë; ai çmon nderin më shumë se çdo gjë. Ai është ushtar i mrekullueshëm e me traditë. Të parët e tij kanë luftuar në Fornoue (Fornovo, burg në Itali pranë Taros në rrjedhën e lumit Po) në gjirin e ushtrisë së Henrikut III, të Maksimilianit, të Françeskut I. Ai është i matur. Ai është trim. Si mund të mos e duash me gjithë shpirt?”. Për Chanlaine, qeverisja e Mbretit Zog, ndryshoi disi kursin e vendit. “Anarkia po bënte kërdinë dhe – me gjithë simpatinë që shqiptarët kishin ditur të nxisnin dhe pavarësisht protestave të tyre të zjarrta e të ligjshme – po kërkohej që, nëse do të ishte e detyrueshme, të bëhej copëtimi i shqiptarëve ndërmjet Greqisë dhe Jugosllavisë. Por erdhi Ahmet Zogu. Dhe vendi u transformua. Në fillim ai vendosi një Kushtetutë. Dy dhoma. Dhoma e Deputetëve, e zgjedhur me votime të përgjithshme; Senati, në të cilin një të katërtën e zgjidhte Presidenti, ndërsa pjesa tjetër zgjidhej njëlloj si deputetët.

romance pariziene (1)Presidenti i Republikës është në të njëjtën kohë edhe kryetar i Këshillit të Ministrave; njëlloj si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai krijon qeverinë dhe përgjigjet para Dhomës së deputetëve”, shkruan Chanlaine. Teksa tregon për rrugët e ndërtuara që po i jepnin një tjetër frymëmarrje vendit dhe për një projekt për tri linja avionësh Tiranë, Vlorë, Korçë; Tiranë – Shkodër, Brindisi – Vlorë që pritej të ndërtohej. Ai ka vëzhguar me kujdes xhandarmërinë, industrinë. “Industria e vjetër – sapuneria, rafinim i vajit, fabrikat e duhanit dhe të alkoolit – mbrohen nga shteti; kultura e drithërave dhe e verës është zhvilluar. Dhe meqenëse një vend që përparon zgjon edhe lakmi, e cila të shtyn drejt drojës e njëkohësisht drejt admirimit, Ahmet Zogu ka krijuar një ushtri dhe një xhandarmëri. Për organizimin e secilës prej tyre janë ngarkuar oficerë italianë dhe anglezë. Gjithë forcat ushtarake arrijnë afër 20 mijë vetë”, shkruan ai. Teksa vlerëson në shkrim atë çfarë po ndodhte në vend gjatë qeverisjes së Mbretit Zog, Pierre Chanlaine nuk e harroi Shqipërinë gjatë kthimit në Paris. Në studion e tij të punës ai u ul dhe shkroi një nga romanet e tij më të mira “Shqiptarka dhe urrejtja e saj”, një dramë e vërtetë shekspiriane në vitet ‘20 të shekullit XX. Libri është i përkthyer në shqip nga Fotaq Andra dhe botuar nga “Zenit”. I gjithë subjekti i këtij romani është vendosur në viset shqiptare. Duket që Pierrë ka qenë një vëzhgues i mirë i dokeve zakoneve, por edhe psikologjisë së vendit. Nga ky roman kupton se ndonjë shqiptarkë me vështrimin fatal i ka rrëmbyer zemrën, aq sa ai e përjetësoi në një libër. Libri ka qarkulluar në qarqet letrare franceze si “romanca shqiptare” dhe personazhet e tij kanë qenë emra të njohur për lexuesin e kohës.  “Ajo afroi pranë buzëve të ethshme të komitit parakrahun e zhveshur dhe pastaj krahun. Xhemali me gjithë fuqinë e hojëzave të gufuara të syve hermetikosur dehshim thithtë krejt parfumin e atij mishi. Por, ngaqë s’po e prekte, Bejla ia afroi gjer te kontakti i buzës së plagosur. Xhemali ia mbërtheu atëherë krahun. Mbi supin e saj të lakuriqtë, dërrmoi gjithë shikimin e vet përpirës, pasandaj, buzët e zjarrta duke ndrydhur sakaq një rënkesë të lehtë epshore. Puthja s’po ndalej…”, janë disa pasazhe nga libri i Chanlaine. Shqipëria mbeti si një nga eksperiencat më të vyera në jetën e Chanlaine, të cilën e përshkroi jo vetëm në biseda me miq, por edhe në libra.

Pierre është një personazh i njohur në letrat franceze. Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Luftëtarë në vitet 1944-1969, kalorës i Legjionit të Nderit. Në vitet e Luftës së Parë Botërore ai ishte në Shqipëri. Në vitin 1918 shkroi esenë “Luftimet në Shqipëri”. Pierrë ka shkruar një sërë romanesh dhe librash studimorë, mes të cilëve dhe një për Napolon Bonapartin. Njohës i mirë i shpirtit të luftës, personazhet ai i merr nga ky terren. Komitët dhe karakteri i tyre gjejnë një përshkrim te librat e tij, një përshkrim i cili jep dhe psikologjinë e kohës.

 

Ky shkrim Një romancë pariziene për shqiptarkën u publikua me pare te Gazeta SHQIP.

Artistët kinezë në Muzeun Historik Kombëtar

$
0
0

Ekspozita

“Sjelljet e jugut të Yangce-së” , quhet ekspozita me autorë piktorë të njohur nga Kina, e cila u hap dje në sallën kryesore të Muzeut Historik Kombëtar. Imazhet e përzgjedhura me kujdes japin një përshkrim të historisë së artit kinez. Qëllimi i ekspozitës është të bëjë të njohur historinë e tablosë kineze në vendin tonë. Kjo ekspozitë organizohet me mbështetjen e Ambasadës së Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, Ministrisë së Kulturës dhe sponsor është stacioni i përgjithshëm radioteleviziv i provincës Jiangsu. Ekspozita do të qëndrojë e çelur deri më 29 korrik.

Ky shkrim Artistët kinezë në Muzeun Historik Kombëtar u publikua me pare te Gazeta SHQIP.

Imazh i ri i Qendrës së Studimeve Albanologjike

$
0
0

Përurimi

Qendra e Studimeve Albanologjike është inauguruar dje nën praninë e ambasadorit amerikan, Aleksandër Arvizu, ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, dhe ministres së Arsimit, Lindita Nikolla. “Ky përurim dhe kjo qendër përmban një dimension tjetër, jo thjesht të detyrës, por dimensionin e pasionit dhe dashurisë për trashëgiminë kulturore. Në fushën e arkeologjisë, përgjegjësia është shumë e madhe, për t’i ruajtur dhe promovuar ato”, tha ministrja Kumbaro. Ambasadori Arvizu u shpreh se “projekti që do të mbrohet dhe ruhet nga brezat si një investim jetik me fragmente të historisë së Shqipërisë që bart vlera të mëdha për të gjithë popullin”. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës besojnë fort se, ruajtja e trashëgimisë kulturore është një pikë e fortë për të gjithë brezat, pasi ajo është vlerë nga e cila mund të mësojnë të gjithë”, tha ambasadori Arvizu. Ky projekt u realizua në kuadër të bashkëpunimit të Qendrës së Studimeve Albanologjike për Institutin Arkeologjik me ICOM Albania (Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve) ku nga marrëveshja e nënshkruar (në shtator 2012) me Ambasadën e SHBA-së në Tiranë u përfitua një fond prej 103,389 $.

Ky shkrim Imazh i ri i Qendrës së Studimeve Albanologjike u publikua me pare te Gazeta SHQIP.

Artistë nga Ballkani në kalanë e Ali Pashës

$
0
0

Festivali i artit bashkëkohor Art Kontakt rikthehet nga data 8-10 gusht në Kalanë e Porto Palermos

Larmia e disiplinave artistike të lëvruara në hapësirën e festivalit, e kombinuar me peshën historike të kalasë së Ali Pashë Tepelenës, i jep trajtë më të pasur produktit, i cili kapërcen kufijtë e të qenët “thjesht” produkt artistik, duke e bërë atë një produkt kulturor

kcdczichron2Festivali i Artit Bashkëkohor “Art Kontakt” do të rikthehet në datat 8 dhe 9 gusht në Kalanë e Porto Palermos. Ky është edicioni i tretë i këtij eventi të artit bashkëkohor, i cili tashmë ka marrë formën e një bienaleje ndërkombëtare. Janë rreth 25 artistë pjesëmarrës, të cilët do të paraqesin punët e tyre në teknika të ndryshme si video-art, piktura, fotografi, performanca, instalacione etj. “‘Art Kontakt Festival 2014’, do të jetë një pikë takimi i artistëve që do të vijnë nga Shqipëria dhe vende kryesisht të Ballkanit dhe Mesdheut. Qëllimi i këtij festivali është të sjellim në qendër të vëmendjes tendencat e artit bashkëkohor në Shqipëri dhe në nivel ndërkombëtar, zhvillimin e artit multidisiplinor në Shqipëri, shkëmbimin e praktikave artistike midis artistëve dhe organizatave kulturore të rajonit, për të forcuar rrënjët e bashkekzistencës në rajonin tonë nëpërmjet artit dhe kulturës”, thotë drejtori i këtij festivali, Andi Tepelena. Sipas tij, festivali synon dhe shfrytëzimin e trashëgimisë kulturore duke përdor monumentin e kulturës si faktor tërheqës gjatë sezonit veror, si dhe në funksion të zhvillimit ekonomik dhe social. Tema e këtij edicioni është “Uncharted” ose “E paeksploruar” që për ideatorët është një fakti i panjohur, një rebus, të cilin përpiqen ta shpjegojnë logjikisht e racionalisht, duke respektuar saktësinë e proceseve shkencore. “Ashtu sikurse në veprën filozofiko-vizuale “Arboretum” të David Byrne, ne orvatemi të ndërtojmë një hartë mendore të një territori imagjinar, ku fotografitë, videot, vizatimet, instalimet dhe performancat poetiko-konceptuale, paraqesin peizazhin e mendjes së artistit”, shpjegohet në konceptin kuratorial të këtij eventi. Mënyra sesi këto vepra takohen, ballafaqohen dhe ndërthuren, përshkruan një diagram të shumë tipareve të këtij festivali. Marrëdhënia, ndërlidhja dhe sinergjia spontane që lind në këtë vend, të çon në një rezultat përfundimtar artistik të këtij procesi të gjatë krijues, duke shprehur përvojën dhe vizionin e artistëve për botën dhe shoqërinë. Artistët dhe veprat e zgjedhura në këtë edicion të Art Kontakt Festival 2014, përfaqësojnë një model të praktikave artistike dhe shpirtërore, që duke iu referuar një zone të veçantë gjeografike, kthehen në pika referimi të kësaj harte imagjinare. Larmia e disiplinave artistike të lëvruara në hapësirën e festivalit, e kombinuar me peshën historike të kalasë së Ali Pashë Tepelenës, i jep trajtë më të pasur produktit, i cili kapërcen kufijtë e të qenët “thjesht” produkt artistik, duke e bërë atë një produkt kulturor. “Këtu kultura e tejkalon ngjarjen, duke u bërë një arkiv procesesh kuptim-mbartëse e kuptim-rikrijuese të përvojave personale jetësore e shpirtërore. Kultura, e cila riprodhohet vazhdimisht dhe zhvillohet me audiencën që e jeton, bëhet pjesë e natyrshme e festivalit. Në këtë kontekst, produkti kulturor pasurohet me emocione, perceptime dhe interpretime që shndërrojnë vlerën dhe kuptimin, duke zhvendosur aksin kryesor nga kujtesa e thjeshtë e të kaluarës, te vizioni strategjik i së ardhmes”, thotë Tepelena. Për të, procesi krijues që e karakterizon festivalin nuk është vetëm thjesht një rrugëtim artistik, muzikor apo spektakolar, por një përvojë individuale dhe kolektive në një vend sa imagjinar aq edhe real: ku rrëfimi është përvojë, ku të dëgjuarit është identitet dhe ku shikimi është memorie. Ky festival quhet Uncharted, pikërisht, sepse kjo hapësirë gjeografike, metaforikisht, nuk shfaqet vetëm si vend historik, por si një vend ku histori të tjera lindin. Në larminë e aktiviteteve të këtij Festivali të Artit Bashkëkohor, do të ketë mjaft risi dhe prurje origjinale projektesh artistike, workshop-e dhe performanca. Një seksion i veçantë informativ do t’i dedikohet projektit të Adrifort. I përfshirë do të jetë edhe një projekt artistik, audiovizual i producentit muzikor, Leonard Toma, i cili do të projektojë imazhe të fortifikimeve Adrifort, të shoqëruara me një përzierje të tingujve të muzikës elektronike me atë të traditës së vendeve të Adriatikut dhe Jonit.

Përveç artit pamor, ky festival do të pasurohet me tingujt live të muzikës bashkëkohore eksperimentale, të DJ-ve të ardhur nga vendi dhe rajoni, muzikë, e cila do zgjasë deri në orët e para të mëngjesit, si dhe shumë surpriza të tjera për publikun. Artistët pjesëmarrës janë Arta Ngucaj, Arben Ngucaj, Dritan Hyska, Julia Heslop/Martin Heslop, Ardian Isufi, Beskida Kraja,
Stefany Savino, Alban Methasani, Klod Dedja, Ema Andrea, Yllka Gjollesha, Ilir Lluka etj.

Ky shkrim Artistë nga Ballkani në kalanë e Ali Pashës u publikua me pare te Gazeta SHQIP.

Fernando Pessoa / Burri dhe letërsia

$
0
0

Fernando-Pessoa-620x400Alda Bardhyli

“Ndodhem vetëm në shtëpi, me përjashtim të ‘intelektualëve’ që kam vendosur në mur. Ashtu si të premtova po të shkruaj e dashur, vetëm për të thënë se ti je një vajzë e keqe, me përjashtim të rasteve kur punon. Po të shkruaj ty, por nuk jam duke menduar për ty. Po mendoj se sa shumë më mungojnë ditët kur vraponim të kapnim pëllumbat. Ishte një shëtitje e këndshme sot. A nuk mendon kështu? – dhe ju ishit në humor të mirë. Kur mund të jemi sërish bashkë e dashur, vetëm ne të dy? Goja ime ndihet çuditshëm që ka kaq kohë pa puthje, prehri im ndihet bosh pa vogëlushen që ulej tek ai… Më ngjason me ‘trupin e tundimeve të ëmbla’, dhe kështu do më ngjasosh gjithnjë nga larg. Eja tek unë e dashur. Eja tek Ninnho! Eja në krahët e Nininhos. Vendos buzët e tua te buzët e mia. Ndihem kaq i vetmuar pa puthje…Vërtet do të më humbasësh, dhe të pranosh atë djalosh që të vjen rrotull…Nuk mund ta mendoj këtë…

Tani po shkoj të vë kokën në jastëk për t’u çlodhur. Kjo është ajo çfarë bëjnë njerëzit e mëdhenj. Të paktën të gjithë njerëzit e mëdhenj që kanë mendje dhe kokë. Të dërgoj një puthje që zgjat gjatë sa bota, vetëm për ty përgjithmonë…”. Më 5 prill 1920 Fernando Pessoa, një prej figurave më të rëndësishme të poezisë së shekullit XX, i shkruante këtë letër së dashurës së tij Ophelia Queiroz. Ishte 31 vjeç kur e njohu atë në firmën ku punonte si përkthyes në Lisbonë. Vetëm përmes shikimesh, ata e kuptuan se mes tyre po lindte diçka. Një ditë ai i lexoi një pjesë nga Hamleti dhe e puthi. Ophelia ishte 19 vjeç, dhe për vite më radhë kjo vajzë që sot e shohim në foto me flokët e zezë, mbledhur pas me kujdes, do të kthehej në frymëzim për letërsinë e Pessoa-s. Janë pafund letrat që ata i dërguan njëri tjetrit, të cilat biografët dhe kritikët e letërsisë i shohin si një dëshmi për letërsinë që la pas Pessoa. Letra ku shfaqet marrëdhënia jo e lehtë mes një burri që kishte lidhur jetën me letërsinë, dhe një gruaje të dashuruar, që kërkonte siguri. Fernandos i pëlqente të bënte një jetë të lirë. E shkruara i kishte sjellë shpeshherë probleme të thella me veten, të cilat e bënin të donte të rrinte vetëm për pak kohë. Një karakter i vështirë, do të shkruante Ophelia, në një letër drejtuar tij. Kjo lidhje mes tensionesh do të bënte që ata të ndaheshin nga njëri-tjetri dhe Ophelia vite më vonë të martohej me një tjetër.

Pas nëntë vitesh heshtjeje, ai i shkruan asaj sërish. Ajo i shkruan se është e lumtur që ai i shkroi e do të donte t’i shkruante sërish. Ja çfarë i shkruan Pessoa më 1929. “I dua letrat e tua që janë aq të ëmbla sa ty. Ju jeni karamele, por edhe një grenzë pa të cilën unë nuk bëj dot. Jam i sigurt se, nëse do të takoja, sot çdo gjë do të kthehej si në fillim, do të doja t’ju puthja sërish, të prekja buzët e tua, t’ju rrëshqisja duart lehtë mbi supe dhe të merrja gjithçka që më ka munguar deri tani…”. Kjo grua mbeti deri në fund të jetës sekreti dhe paqja për Pessoa-n, njeriu të cilit donte t’i shkruante pas çdo ngjarje që i ndodhte në jetë. Nëse Franc Kafka është shkrimtari i Pragës, Xhejms Xhojsi prozatori i Dublinit, Fernando Pessoa është shkrimtari i Lisbonës. Ai lindi në Lisbonë më 13 qershor 1888. Jetim nga i ati, fëmijërinë e kalon në Afrikën e Jugut, në ndjekje të martesës që e ëma bën me komandantin Joao Miguel Rosa, konsull portugez në Durban, ku Pessoa kryen të gjitha studimet. Në rininë e hershme, autorët që do të ndikonin tek ai ishin Shekspiri apo Milton. Pas kthimit në Lisbonë më 1905-n, ai do të influencohet nga simbolistët francezë, Sharl Bodler, Maurice Rollinat, apo Mallarme, apo poetët portugezë Antero de Quental; Gomes Leal, etj., dhe më vonë nga modernistët si Ezra Pound, T.S Eliot etj. Sot Pessoa është një ndër shkrimtarët dhe poetët më të lexuar. Poezitë e tij mbartin brenda romantizmin dhe simbolikën që e bën unik. Pas vdekjes së tij, rreth 27.000 sende duke filluar nga letra, poezi apo prozë u gjetën nga familjarët. Të gjitha këto të shkruara nën pseudonime të ndryshme. Një ves i Pessoa-s ishte dhe përdorimi i pseudonimeve. Që në shkrimet e para deri në fund të jetës, apo dhe në letrat e dashurisë atij i pëlqente të identifikohej nën emra të tjerë. Është i vetmi shkrimtar që mund të ketë kaq shumë pseudonime, rreth 74. Ai ishte një ëndërrimtar i madh dhe kjo ndihet dhe në poezitë që ka shkruar. “Kujtoj fare mirë shikimin e një njeriu/ Ma përshkroi tërë shpirtin/ Si zjarr rrëshqanor nëpër natë/ Kujtoj shikimin e tij/Çka mbeti? /Ajo që mbeti qe vetëm një dukje e jetës…/ shkruan ai në një poezi përkthyer në shqip nga Moikom Zeqo. Me pasionin për vargjet e këtij poeti, Zeqo e ka sjellë në shqip një vëllim poetik të këtij autori botuar nga “Zenit”. Ishte një udhëtim në Lisbonë në vitin 1998, që do ta lidhte më shumë me Pessoa-n. “Në manastirin e Shën Hieronimit, ku ishin varret e mbretërve të Portugalisë, qe ngritur më 1985 një shtyllë katërkëndëshe memoriale për Pessoa-n. Më e thjeshta në botë. Më kujtoi sekuencën e filmit të Kubrikut, ku një tufë majmunësh, ende të paevoluar në njerëz, shohin befas një shtyllë metalike të sofistikuar, si të ardhur nga planetë të tjerë. Kjo ndjesi torturuese qe gati fatale. E përqafova shtyllën e thjeshtë të Pessoa-s, nuk ishte një shtyllë dorike, apo si e tempujve egjiptianë. Në një faqe të shtyllës qenë gdhendur vargjet e Alberto Cajeros. “Nuk mjafton të hapësh dritaren/ për të parë fushat dhe lumin/nuk mjafton të jesh i verbër/ për të parë pemët dhe lulet/…Pak më tej, vargjet e Alvaro de Campos: “Nuk dua asgjë/ju thashë se nuk dua asgjë/Mos më vini në përfundime! Përfundimi i vetëm është të vdesësh” – kujton Zeqo. Alberto Cajeros dhe Alvaro de Campos janë pseudonimet e Pessoa-s. “Ai është një mrekulli dhe çudi e shekujve. Ende i pazbuluar tërësisht”, thotë Zeqo.

Pessoa u nda nga jeta më 30 nëntor të vitit 1935. Vijon të jetë sot një prej personazheve më interesantë të letërsisë botërore. E vetmja gjë ku ai besoi ishte letërsia, dhe pse kjo i kushtoi vetmi, izolim deri në çmenduri. Ai ishte i bindur se kjo ishte rruga që duhej të ndiqte për t’i shkuar deri në fund kërkimit të tij mbi shpirtin njerëzor, për të hyrë brenda mureve të zemrës dhe për të ndier atë çfarë është e paprekshme e që ndodhet aty…

 

Donna Tartt

Gardalina, vëllimi i parë
Autori: Donna Tartt
Përktheu: Oriana Tamburi
Botimet: “Omsca – 1”

Mjafton ta kesh në dorë për të kuptuar interesin mbarëbotëror që ka ngjallur ky libër, që të imponon një lexim shumëfaqësh. Dhe, nëse kësaj i shtojmë faktin se autores i janë dashur rreth dhjetë vjet për ta shkruar, atëherë kuptohet pse ky roman, “Gardalina”, i ka paraprirë një suksesi të paralajmëruar. Romani është bërë një bestseller ndërkombëtar, duke qëndruar më shumë se 35 javë si pjesë e listës bestseller të “New York Times” në Amerikë, si dhe listën bestseller për romanet të “Sunday Times” në Angli. Ai ka pasur të njëjtin sukses në përkthim, duke qenë në vend të parë në Francë në janar 2014, ku është vlerësuar nga “Le Monde” si “një roman i madh magjepsës” dhe ku Donna Tartt përshkruhet si “një autore në majën e artit të saj”.

 

Jennifer Worth

Zhgënjimi i qytetit të madh
Përktheu: Taulant Hatia
Botimet: “Uegen”

 Pse iu futa kësaj rruge vallë? Duhet të kem qenë e marrë! Kishte plot gjëra të tjera që mund të kisha bërë: modele, stjuardesë avioni ose kameriere në anije. Koka më ziente nga një mori gjërash, që të gjitha mbi punë të shkëlqyera e të paguara më së miri.

Vetëm një idiote do të kishte zgjedhur të bëhej infermiere. Aq më tepër mami… Ky libër është ai që na duhet! Është një sfidë e papërmbajtshme, e dhimbshme, madhështore, që të lë pa frymë…

 

Thanas L. Gjika

Shën Pali punoi dhe në brigjet e Adriatikut

Botimet: “Omsca-1”

Shën Pali ka udhëtuar në trojet shqiptare. Prof. as. dr. Thanas Gjika mbron tezën se krishterimi në Iliri është përhapur nga goja e vetë apostujve të Krishtit. Historiani i ka kushtuar një libër udhëtimit të Shën Palit titulluar “Shën Pali punoi edhe në brigjet e Adriatikut” botuar nga “Omsca-1”. Deri më sot, kjo është përjashtuar, por Gjika sjell fakte të reja për jetën dhe veprën e Shën Palit. Deri më sot janë shkruar shumë biografi për të dhe nuk janë gjetur dorëshkrime të reja autentike me të dhëna të panjohura më parë. Historiani Gjika ka mundur të nxjerrë të dhëna të reja për jetën e këtij misionari dhe për kohën e vendin e hartimit të letrave të tij, përmes një leximi dhe interpretimi më të thelluar të shkrimeve të tij, të librit Veprat të Lukës, të letrave të Pjetrit, Jakovit dhe Judës.

Guillaume Musso
Thirrja e engjëllit

Përktheu: Adriana Gjika
Botimet: “Bota shqiptare”

Në sallën e mbipopulluar të pritjes, një burrë dhe një grua përplasen keq. Grindje e vogël dhe secili vazhdon rrugën e tij.
Madlina dhe Xhonatani nuk ishin takuar kurrë, nuk do të duhej të rishiheshin asnjëherë. Por duke mbledhur sendet, ata këmbyen celularët. Kur e kuptojnë ngatërresën, janë 10.000 km larg njëri-tjetrit: ajo është luleshitëse në Paris, ai ka një restorant në San Francisko.
Duke iu dorëzuar kureshtjes, secili eksploron përmbajtjen e telefonit të tjetrit. Një kërshëri e dyfishtë dhe një zbulim: jeta e tyre është e lidhur me një sekret që ata mendojnë se është varrosur përgjithmonë…

Ky shkrim Fernando Pessoa / Burri dhe letërsia u publikua me pare te Gazeta SHQIP.

Xhunga: Arsim profesional për një turizëm të mirë

$
0
0

Sot në ekranin e “Top Channel”, “Shqip” sjell emisionin e fundit për këtë sezon kushtuar turizmit/Razma dhe projekti i Alpeve

R. Xhunga ne Korçë“Turizmi është resursi ynë më i madh, mundësia jonë më e madhe, e ndërthurur me bujqësinë dhe blegtorinë, sepse ne këto kemi potenciale. Këto do të na bëjnë ne një vend të jetueshëm”. Gazetarja Rudina Xhunga beson se arsimi profesional dhe një vizion i ri për turizmin do t’i jepnin vendit një tjetër dimension jo vetëm ekonomik. Për 8 të hëna me radhë emisioni “Shqip” në “Top Channel” u zhvendos nga veriu në jug, në pikat strategjike të turizmit shqiptar, duke i dhënë mundësi publikut të njihet me këto vende, por dhe për të hapur një diskutim mbi zhvillimin e tyre. Një “Shqip” për Shqipërinë e bukur, për të cilën nuk mjaftojnë vetëm ato çfarë na ka falur natyra, por duhet dhe vizioni dhe strategjia jonë. “Shqip” prej 12 vitesh e ka kthyer turizmin në kryefjalën e verës, duke ftuar specialistë, dhe njerëz që kanë në dorë politika e strategji për të thelluar diskutimet për këtë fushë. Sot, në ekranin e “Top Channel” do të jetë Razma dhe projekti i Alpeve, një nga më të rëndësishmit për turizmin e vendit…

Sonte është emisioni i fundit i këtij sezoni për turizmin. Pse Razma në fund?

Sepse është ëmbëlsira. E një sezoni plot vende dhe projekte të reja për turizmin. Në fund, një vend nga ata që me fjalë të thjeshta, mund ta përshkruash, një vend si dikur, një vend si jashtë. Nuk duhet humbur pa u parë dhe shijuar Razma dhe projekti i Alpeve është nga më të rëndësishmit për turizmin. Pak rrugë aty, pak rrugë këtu, ca km atje, e ca më tutje dhe Veriu do të ndryshojë, sa hap e mbyll sytë, sikur ke fërkuar llambën e Aladinit. Zvicra, Austria nuk kanë asgjë më shumë se ne. Jam e sigurt se mundemi. Tanimë u bënë 12 vjet që sezonin e verës ia kushtoj turizmit dhe nuk jam dorëzuar së besuari.

Emisioni i parë, kur ka qenë?

ne Razëm (1)Ka kaluar kohë. Në verë të 2002-it. Një sezon në tre qytete kryesore bregdetare; Vlorë, Sarandë, Durrës. Tema, turizmi, ujë, drita, plehra. 12 vjet më pas flasim për projekte. Edhe pse diku nuk ka ujë, diku nuk ka drita, diku digjen plehrat në rrugë.

Atë kohë isha duke shkruar “Sikur Anën”, tani rris Alanën, por në një pikë jam e njëjta; Njësoj entuziazmohem pas lajmeve të mira nga çdo cep i Shqipërisë. Me të dëgjuar për një vend, projekt a një shembull që frymëzon, nisem me vrap të bëj emision turizmi.

Ciki është propozimi yt për turizmin?

Arsimi profesional. Mjaft me ide amatore, mjaft me ide kalimtare, duhet vizion, qëndrueshmëri dhe besueshmëri për turizmin. Turizmi është resursi ynë më i madh, mundësia jonë më e madhe, e ndërthurur me bujqësinë dhe blegtorinë, sepse ne këto kemi potenciale. Këto do të na bëjnë ne një vend të jetueshëm. Një fshat në Norvegji u kthye në librari, që të mos zhdukej. Do ta gjejmë edhe ne fabulën tonë. Jam e sigurt.

A e ndieni audiencën e këtij tipi emisionesh?

Po, kanë shumë audiencë. Kjo është e prekshme, e matshme. 8 emisione, pothuaj 112 të ftuar. Një staf prej 30 personash çdo puntatë. Një zhvendosje nga studio nëpër Shqipëri, në një nga ato sipërmarrjet që bën vetëm “Top Channel”. Dhe Bujar Kokonozi, Nardi i regjisë, Red Neziri, Sibora e montazhit me djemtë e Vanit dhe kamera e Elinit.

Tani në gusht nis pushimi. Ku do të pushoni, në vendet që propozoni apo jashtë, si shumë nga emrat e rëndësishëm të ekranit?

Do të pushoj në Jug, si gjithmonë. Dhe do të shkoj disa ditë në Razëm ose Rugovë. Pa harruar ndalesat te Mrizi dhe Rapsodia, aty ku prodhohen simfonitë e ushqimit të Veriut.

Ndërkohë, do të përfitoj nga ky muaj pushim për t’iu përgjigjur pozitivisht disa ftesave për të ndarë biseda për “Shkrimtarët e shekullit”, pasi sezoni ka qenë i ngarkuar dhe kam qenë e detyruar të ndaloj vetëm në Shqipërinë jashtë kufijve, për promovim. Struga, Mitrovica, Plava, Prishtina. Tani do të ndaloj në disa qytete brenda Shqipërisë. Dhe po pres me shumë kënaqësi të flas për librin dhe të takohem me njerëz që më shkruajnë për të. Ndonjëherë, pyes veten, çfarë kam bërë që më shkruajnë kaq gjëra të bukura e më kushtojnë vëmendje dhe i jam mirënjohëse çdo njeriu, çdo komenti, çdo urimi, çdo fjale. Me gjithë zemër.

A është “Shkrimtarët e shekullit” libër vere?

Nuk e di çfarë është tamam një libër vere. Nëse quhet libër vere, një libër që nuk të kushtëzon të nisësh në faqen e parë dhe ta vazhdosh faqe pas faqeje deri në fund; një libër që të pret dhe kur hyn në det e të harrohesh; një libër që të bën gati fjalorin dhe ambiciet për në shtator. Po, “Shkrimtarët e shekullit” është një libër vere. Dhe sidomos është një dhuratë e mirë për t’u marrë me vete nga Shqipëria, bashkë me një autograf, nëse ke ardhur për pushime vere dhe do ikësh në vendin ku jeton e punon. Mjafton të më kontaktosh në Twitter e Facebook dhe kushdo mund të ketë autograf.

Bisedoi Alda Bardhyli

Ky shkrim Xhunga: Arsim profesional për një turizëm të mirë u publikua me pare te Gazeta SHQIP.


Dorëshkrimet e pabotuara të Fishtës

$
0
0

Në Kishën e Françeskanëve në Gjuhadol, në hapësirën e paqtë që të çon në bibliotekën “Gjergj Fishta”. Mes dorëshkrimeve dhe librave të rrallë që etërit françeskanë i mblodhën nga udhëtimet e tyre në Europë

Fishta_gjatè_punès_nè_b.françeskane
Fishta_Pikture
Kaligrafia_e_Fishtes_1
maxresdefault
Troshan1894_1
Untitled-1
WP_003259_1
WP_003261

“Fishta kishte sy të fortë”. Në Kishën e Françeskanëve në Gjuhadol, At Gjergj Fishta merr një tjetër dimension nëpërmjet kujtimeve. Në orët e pushimeve, fretërit flasin për të shkuarën. Një personazh që me karakterin e tij ka lënë aq shumë mbresa është Gjergj Fishta. Një njeri që të bënte për vete me kulturën, por dhe me karakterin. Ishte i drejtpërdrejtë e kjo shpesh i sillte dhe probleme. Pasioni për leximin dhe më vonë për shkrimin, do ta kthente Fishtën në një personalitet për Shkodrën dhe Shqipërinë e atyre viteve. Dinjiteti meshtarak nuk e pengoi të luante rol në skenën kulturore. Hartues bibliotekash, më 15 shkurt 1907, së bashku me At Shtjefën Gjeçovin themeloi të parën bibliotekë shkollore në Shqipëri, duke grumbulluar gjithfarë librash. Po këtë vit, pranë shkollës fretnore çon një trupë teatrale amatore, në të cilën së pari do të vinte në skenë pjesët e veta dramatike, si dhe përshtatjet nga gjuhët e huaja, duke vënë kështu një tjetër gur themeltar në kulturën kombëtare. Po këtë vit, ai arriti të botonte pjesën e dytë të “Lahutës” …Sarkazma që ndihet në letërsinë që shkroi, ndihej dhe në jetën e tij. Miqtë e dikurshëm kanë mundur të përcjellin deri sot disa situata me humor nga marrëdhënia me të. Në Kuvendin e etërve françeskanë, Fishtën mund ta “takosh” jo vetëm përmes kujtimeve. Banorët e Shkodrës që hapin derën e madhe të drunjtë, për të shkuar në Kishë, e njohin këndin në të cilin prehet poeti. Dy pllaka të zeza vendosur pranë njëra-tjetrës janë jo vetëm shenja se aty prehet poeti kombëtar, por dhe një dëshmi e historisë. Vetëm një pjesë e eshtrave të tij, prehen në këtë varr. Pas dhunimit që iu bë varrit më 1944, nuk dihet fati i pjesës tjetër të eshtrave, që mendohen të jenë hedhur mbi Drin. Një histori jo e denjë për një njeri që u dha aq shumë letrave shqipe. Një dëshmi sesi diktaturat totalitare kërkonin të shfarosnin vlerat. Megjithatë, sot Fishta “është” sërish aty, pavarësisht persekutimit dhe metodave që u ideuan për eliminimin e ideve të tij. Pak më tej, teksa ecën përmes një oborri të madh, një derë tjetër e drunjtë të fton të futesh në një nga Bibliotekat historike të këtij vendi. Është Biblioteka “Gjergj Fishta”. Pader Vitorio nxjerr nga sirtarët disa dorëshkrime që duken pa kohë. Janë disa sprova të “Lahutës së Malcis”, dhe dorëshkrimi origjinal i komedisë “Dredhitë e Patukut”, disa vizatime (Fishtës i pëlqente të vizatonte, apo të bënte piktura), apo sprova e tij e parë në prozë mbi historinë e Klerit Katolik. Vite më parë, teksa udhëtonte me anije për në Amerikë, Fishta i shkruante një letër At Justin Rrotës, ku i tregonte se po lexonte Molierin, dhe se krijimtaria moleriane i përshtatej shumë mirë gjuhës shqipe. I frymëzuar nga komediani francez, ai krijoi “Dredhitë e Patukut”, përshtatur sipas komedisë së Molierit “Le Furberier Escarpet”. Fishta duhet ta ketë shkruar këtë komedi nga vitet 1910-1913, dhe në qendër të saj është jeta shoqërore dhe familjare e Shkodrës dhe Shqipërisë së asaj periudhe. Për afro një shekull, ky dorëshkrim që ka brenda satirën dhe “forcën” e artit fishtian nuk ka mundur të shohë dritën e botimit. Me luftën që nisi ndaj Fishtës, pas 1944-s, ky dorëshkrim u ruajt me fanatizëm nga një familje e vjetër shkodrane. Për t’i shpëtuar përndjekjes së kohës, ata e kishin fshehur dorëshkrimin poshtë dyshemesë me parket druri. Vetëm disa vite më parë, një zotëri shkodran trokiti në derën e françeskanëve dhe u dorëzoi dorëshkrimin. Pader Vitorio thotë se librat, ashtu si njerëzit, kanë fatin e tyre, teksa shfleton fletët që nuk e tregojnë kalvarin e dhimbshëm që kanë kaluar. Një portret i At Gjergj Fishtës vendosur në morinë e librave që kanë zënë të gjithë hapësirat e murit të kujton se dikur në këtë hapësirë, burri i veshur si frat, ndante orët në këtë bibliotekë. Në këtë hapësirë ka qenë dhe redaksia e “Hyllit të Dritës”, revistës që solli një erë të re në botimet dhe kulturën shqipe. Gjithë librat e bibliotekës së tij, Fishta i solli në këtë Bibliotekë kur u krijua në vitin 1921. Ai ishte i dhënë pas blerjes së librave. “Ku shkonte nëpër Europë blinte libra”, thotë Pader Vitorio. Është traditë e murgjve që ku krijohet një vend banimi, krijohet dhe një bibliotekë”. Kjo është ajo çka dhe fretërit e kanë pasur traditë. Në vitin 1926, në këtë bibliotekë të gjithë kanë sjellë të gjitha dokumentet dhe dorëshkrimet origjinale. Ata donin ta pasuronin bibliotekën, duke blerë libra të rinj”, thotë Pader Vitorio. Duket se më shumë se në jehonën e “Lahutës së Malcis” Fishta jeton në këtë bibliotekë. Gjurmët e tij janë kudo. Pader Vitorio na tregon një autograf të tij, dhënë më 1939. Përveç dorëshkrimeve dhe kopjeve të librave unikalë, autografet e personaliteteve të letrave janë një tjetër thesar i kësaj biblioteke. Pader Vitorio mendon që në të ardhmen të botojë një libër me autografet e ndryshme që gjenden këtu, që mbartin secili nga një histori. Autografet tregojnë dhe marrëdhëniet që kanë pasur shkrimtarët me njëri-tjetrin, raportet njerëzore të mbetura vetëm në një fjali të shkurtër në faqen e parë të një libri. Pas shkatërrimit të Bibliotekës më 1944 nga komunistët, ajo u themelua në vitin 2003, dhe është e profilizuar në albalonogji, falë tre françeskanëve që jetuan në mërgim: At Jak Marlekaj, At Daniel Gjeçaj e At Paulin Margjokaj. “Kjo bibliotekë e ka pasë si traditë paisjen me visare kombtare, dorëshkrime, libra të vjeter, etj. Në vazhdimin e kësaj tradite po pasunohet çdo ditë e ma shumë me libra e me dorëshkrime, ku vëhen në dispozicion të studiuesve për këshillime, hulumtime e studime”, thotë Pader Vitorio. Bashkë me dorëshkrimet e vjetra të ruajtura në familje të ndryshme shkodrane, pas viteve ‘90 janë rikthyer në shtëpinë e françeskanëve dhe shtatore të ndryshme, të marra nga kisha. Një prej tyre që sot ndodhet në bibliotekën “Gjergj Fishta” ka qenë e ruajtur në Iballë të Pukës. Një shtatore e Shën Ndout, që mendohet se i përket shekullit të 16, është ruajtur në Dukagjin. Librat e rrallë në këtë bibliotekë janë në njëfarë mënyre dhe historia e letërsisë shqipe. Një kopje e “Mesharit” të Gjon Buzukut, e ndërtuar sipas fotografimeve të Pader Jakut, duket si një relike që nuk do t’i humbasë kohës.

Pader Jaku kaloi dy ditë në Bibliotekën e Vatikanit, ku ende ndodhet sot “Meshari” dhe fotografoi çdo faqe të tij, për ta lidhur e bërë bashkë në një libër, që e la në bibliotekën e fretërve. Nëse një kopje e fotokopjuar e këtij libri ndodhet në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, një tjetër kopje ndodhet në një kënd të bibliotekës së madhe françeskane. Arkivi, një dhomë e vogël në katin e dytë të bibliotekës ku pader Vitorio humb sa herë shkon ta vizitojë. Një dhomë që të magjeps me të fshehtat apo botën që shpaloset në çdo dosje që ruhet aty. Dorëshkrimet e fretërve françeskanë si Pader Danielit, Pader Jakut, Pader Zefit, Palok Kurtit etj. Rreth 10.000 volume, duke përfshirë një përzgjedhje të gjerë të Albanistikës e Ballkanologjisë ruhen në këtë bibliotekë. Teksti më i vjetër është “Historia e Gjergj Kastriotit, princi i denjë i shqiptarëve”, botuar në Venecia në vitin 1580. Ai është një përkthim italian i origjinalit latinisht të Marin Barletit. Si teologë dhe filozofë fretërit françeskanë kanë qenë të dhënë pas shkrimeve. Rrëfimet e tyre nuk kanë të bëjnë vetëm me Kishën Katolike, por dhe mbi mënyrën sesi ata e shihnin jetën përtej mureve të Gjuhdolit dhe situatën në vend. Dorëshkrimi i At Donat Kurtit, është një tjetër vlerë e bibliotekës. Frati françeskan që vuajti në burgjet e komunizmit, ka lënë pas një sërë dorëshkrimesh studimorë. Kur ishte në burg ai përgatiti “Fjalori Frazeologjik i Gjuhës Shqipe”. Ky fjalor kishte 45,000 (katërdhet e pesëmijë) fraza. E shkroi në dy kopje me dorë, një për universitetin, dhe një do ta merrte me vete kur të lirohej. Kjo punë nuk ishte ilegale mbasi dihej edhe nga komanda e Burgut të Burrelit. Ditën që është liruar, komandanti i burgut ia mbajti në zyrën e tij edhe kopjen që kishte të vetën At Donati. Ende sot nuk dihet fati i këtij fjalori. Një prej punëve të tij është dhe “Prralla Kombëtare” e botuar më 1940-n dhe ribotuar më 2005. Dorëshkrime dhe fotokopje të propagandës së fesë në Romë që më 1600-n ndodhen në këtë arkiv. Letrat origjinale të Jeronim De Radës, apo personaliteteve të letrave të viteve ‘30-të si Aleksandër Xhuvani apo Eqrem Çabej, janë pjesë e koleksionit të vyer. Në arkiv ndodhet dhe dorëshkrimi i dramës “Juda Makabe” e Gjergj Fishtës. Këtë dorëshkrim e ka ruajtur At Zef Pllumi. Pader Vitorio kujton ditën kur ishin të dy duke sistemuar këtë bibliotekë dhe gjejnë një zarf të madh, ku ndodhej dorëshkrimi. E kanë mbajtur gjithë natën në dhomë, pasi nuk e besonin se e kishin gjetur. Drama “Juda Makabe” i ka rreth 750 vargje. Në këtë vepër, Fishta reagon ndaj atyre që donin ta shisnin Shqipërinë për të sjellë një robërim të ri, pas robërimit të gjatë osman. Kjo dramë është një himn për atdheun, e shkruar nga frymëzimi dhe mllefi, ku mund të shohësh dy personazhe, heroin dhe tradhtarin. Dikur kjo bibliotekë ku Pader Vitorio kalon pjesën më të madhe të kohës ka qenë një ndër bibliotekat më të pasura në Ballkan, falë drejtimit të At Gjergj Fishtës, Faik Konicës, Luigj Gurakuqit, Anton Harapit, Shtejfën Gjeçovit. Pas dhunimit në vitin 1946 pakkush dinte për fatin e librave. Një pjesë u gjetën në bibliotekën “Marin Barleti” ndërsa të tjera në shtëpitë e qytetarëve shkodranë. Rihapja e bibliotekës më 2003-in u bë falë donacioneve të etërve Luigj (Jak) Marlekaj – profesor në Universitetin e Milanos, Bolonjës dhe Barit; Paulin Margjokaj, edhe ky profesor universiteti në Itali dhe Daniel Gjeçai. Librat e kësaj biblioteke mbartin brenda dhe historinë tragjike të autorëve të tyre, të cilët u persekutuan, torturuan në regjimin komunist. Por falë këtyre librave idetë e tyre janë sot ende gjallë, po ashtu dhe kujtimi i tyre.

Ky shkrim Dorëshkrimet e pabotuara të Fishtës u publikua me pare te Gazeta SHQIP.

Pas 16 vitesh, Plasari largohet nga biblioteka

$
0
0

Aurel Plasari pranon largimin nga posti i drejtorit të bibliotekës. Pritet hapja e konkursit nga ana e ministrisë për kreun e ri të Bibliotekës Kombëtare. Ardian Vehbiu, një nga emrat e përfolur për këtë post/ Një vështrim në historikun e bibliotekës që me themelimin e saj më 1920

Aurel Plasari
Biblioteka Kombetare Tirane
Hyrja kryesore e Bibliotekes Kombetare

Nënshkrimi i dy marrëveshjeve “Për sallën franceze të leximit” pranë Bibliotekës Kombëtare me Aleancën franceze të Shqipërisë dhe Ambasadën Franceze në Tiranë, ka qenë aktiviteti i fundit i Aurel Plasarit si drejtor i Bibliotekës Kombëtare. Në prani të ambasadores franceze, Christine Moro, dhe presidentes së Aleancës Franceze, prof. dr Drita Hadaj, ai ka pranuar, fjalët e thëna nën zë për largimin e tij nga posti i drejtorit, post që e mban prej 16 vitesh”. “Largimi nga detyra erdhi pas një marrëveshjeje me ministrinë, për t’u emëruar në një vend tjetër”, tha Plasari, duke e quajtur fatlum faktin që marrëveshja e fundit që nënshkroi ka të bëjë me kulturën franceze dhe gjuhën frënge. “Së pari, sepse është fjala për një kulturë dhe një gjuhë – cette “langue superbe” – të cilave kultura jonë u ka detyrime të mëdha. Së dyti, edhe sepse vetë Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë ia detyron modelin e vet kulturës franceze: kur më 1920 baballarët e shtetit shqiptar vendosën themelimin e kësaj biblioteke imituan pikërisht modelin e Bibliotekës Kombëtare të Francës, model tanimë zotërues në mbarë Europën, por edhe përtej saj. Së fundi, e quaj fat të lumë edhe për arsye vetjake, për detyrimet që kam vetë ndaj gjuhës dhe përkatësisht kulturës së Francës”, është shprehur Plasari. Dikur në antologjinë e hershme “Poetë francezë” ai ka shlyer pak nga këto detyrime, duke përkthyer në shqip një dorë të mirë poetësh të dashur, sa për të aq edhe për lexuesin”. Kjo do të thotë që borxhet (këtë e kam nga turqishtja) ose debitet (këtë e kam nga frëngjishtja) kulturës franceze ende nuk ia kam larë sa do të dëshiroja dhe, jam i bindur, sa do të dëshironte shumëkush prej nesh”, tha Plasari. Sipas informacioneve, Plasari do ta mbajë postin e drejtorit deri në emërimin e drejtorit të ri, që pritet të bëhet pas një konkursi që Ministria e Kulturës do të hapë gjatë muajit gusht. Plasari është një ndër drejtorët më jetëgjatë në krye të një institucioni kulture në vend. Përkthyes, studiues dhe autor librash ai është një ndër personalitetet me kontribute në letrat shqipe. Falë përpjekjeve të tij në cilësinë e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare ka mundësuar përfshirjen e Shqipërisë në disa projekte të rëndësishme ndërkombëtare, si: Biblioteka Europiane sendërtuar në EUROPEANA, Biblioteka Dixhitale Botërore etj. Është nismëtar i festimit të Ditës Botërore të Librit në Shqipëri (2002); bashkëthemelues i Konferencës Kombëtare të Bibliotekonomisë (2005); organizator i disa konferencave shkencore kombëtare dhe/ose ndërkombëtare; pjesëtar i stafit akademik në Shkollën Kombëtare të Bibliotekonomisë; iniciues i organizimit për herë të parë në sistemin arsimor shqiptar të Masterit të Nivelit të Dytë të Shkencës së Bibliotekave etj. Lajmi për largimin e tij nga detyra e drejtorit ka rreth një muaj që qarkullon në rrethe të ngushta të njerëzve të librave. Ndër emrat e përfolur për zëvendësimin e tij ka qenë dhe ai i studiuesit Ardian Vehbiu. Ky i fundit e ka mohuar në faqen e tij në Facebook që mund t’i jetë propozuar një post i tillë. “Asnjë të vërtetë nuk ka në këtë mes; më mjafton drejtorllëku i bibliotekës sime private. Dhe s’më ka ofruar njeri ndonjëherë as këtë post, as poste të tjera të ngjashme, ndoshta edhe pse e kanë parë që më mungon interesi, ose për çfarëdo arsyeje tjetër. Shërbimet në fushën e kulturës i kam dhënë dhe do t’i jap ashtu siç mund t’i jap më mirë – duke shkruar”, ka shkruar Vehbiu në faqen e tij zyrtare. Hapja e konkursit nga ana e Ministrisë pritet të bëjë publikë dhe garuesit e ri, për të pasuar Plasarin, në krye të një institucioni i cili përgjatë gjithë viteve është parë si një referencë mendimi. Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë si institucion i parë shte­të­ror, publik e laik, mban për datë të themelimit të saj 10 korrikun 1920. Si bërthamë e saj shërbeu fondi i bibliotekës së “Komisisë Letrare Shqipe”, organizëm i përbashkët shqiptaro-austriak, krijuar në qytetin e Shkodrës në vitin 1917 në kontingjencat e njohura të Luf­tës së Parë Botërore. Më 1920 ky fond u vendos në Ministrinë e Ar­simit, Tiranë. Mbas vitit 1920 u bënë përpjekje për pasurimin e këtij fondi, si dhe për rior­ga­ni­zimin e bibliotekës si institucion kombëtar. Në momentin e përurimit më, 1922, ajo kishte rreth 6000 vëllime. Për periudhën e paraluftës, spikat veprimtaria e saj në vitet e Mbretërisë Shqiptare (1928-1937), kur ins­titucioni drejtohej nga atdhetari dhe lëvruesi i gjuhës shqipe, Sotir Kolea. Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore e gjeti Bibliotekën me një koleksion prej 15.000 vëllimesh. Ajo u vendos në një nga ndërtesat më të mira të asaj kohe, e cila shërben edhe sot si “aneks” i saj. Koleksionet me karakter albanologjik u rritën kryesisht si rezultat i konfiskimit të disa librarive dhe bibliotekave private të personaliteteve të kul­tu­rës. Në fund të vitit 1947, fondi i saj numëronte rreth 100.000 vëllime. Ngjarje me rëndësi për bibliotekën, por dhe për kulturën kombëtare, ishte dalja më 31.05.1948 e dekretit “Mbi dërgimin e detyrueshëm të shtypshkrimeve të Bibliotekës Kombëtare”, sipas të cilit asaj i dërgoheshin falas një numër ekzemplarësh të çdo shtypshkrimi të vendit. Ky de­kret i dha mundësi bibliotekës të kryejë rolin e qendrës arkivore të të gjitha botimeve të ven­dit dhe të botojë më pas Bibliografinë Kombëtare të librit shqip. Dekreti është ndryshuar e plotësuar disa herë. Nga institucion në var­tësi të Institutit të Shkencave, në vitin 1959 biblioteka kaloi në vartësi të Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës. Në vitin 1966 ajo u zhvendos në një pjesë të ndërtesës së re të Pallatit të Kulturës, ku gjendet dhe sot. Ndryshimet demokratike të viteve ’90 sollën mundësi ndryshimi edhe në politikat e Bibliotekës Kombëtare. Nga modeli i bibliotekave të Europës Lindore, me kufizime të skajshme në sigurimin e informacionit dhe shfrytëzimin e disa kategorive të literaturës, ajo kaloi në heqjen e barrierave kufizuese të kësaj natyre, duke shkuar drejt lirisë së plotë të informacionit për përdoruesit.

 

Në thellësi të bibliotekës

Biblioteka Kombëtare numëron në fondet e veta rreth 1.156.778 materiale bibliotekare,- deri më 01 qershor 2014,- (libra, periodikë, harta, atlase, mikrofilma e materiale të tjera). Fondi i arkivit të botimeve shqip, i antikuarit, i dorëshkrimeve, hartave, si dhe fondi i albano-balkanologjisë përbëjnë pasuri me vlera të mëdha për thesarin e kulturës kombëtare shqiptare e, si të tilla, të kulturës europiane. Fondi i arkivit përfshin botime me vlera të veçanta për pasurinë e shkruar të shqiptarëve, duke filluar nga botimet e para në gjuhën shqipe (shek. XVI) dhe duke vijuar deri në ditët tona. Koleksionet e rralla janë një tjetër pjesë e vyer e bibliotekës duke filluar nga antikuari, dorëshkrimet, apo hartat. Koleksioni i antikuarëve përbën një fond të posaçëm, shumë të rëndësishëm, jo aq nga numri i vëllimeve sesa nga përmbajtja e tij. Përmban 2449 vepra të rralla të botuara në shekujt XV-XVIII, përfshirë edhe veprat e para në gjuhën shqipe të Gjon Buzukut, Pjetër Budit, Pjetër Bogdanit, Frang Bardhit dhe të Jul Varibobës, si dhe veprat në latinisht të humanistëve shqiptarë Marin Barleti, Marin Beçikemi dhe Dhimitër Frangu. Pjesë e këtij koleksioni janë edhe botimet e Voskopojës që i takojnë shek. XVII-XVIII, si dhe 7 inkunabula. Libri më i vjetër i këtij koleksioni është vepra e Papës Piu II “Epistolae de Conventu Mantvano”, botuar në Milano në vitin 1473. Vepra ka vlera të veçanta. Në të theksohet mundësia e pjesëmarrjes së shqiptarëve dhe e Skënderbeut në koalicionin kundërosman të të krishterëve. Fondi i dorëshkrimeve ka 1189 vepra të dorëshkruara, kryesisht në gjuhët orientale (arabisht, osmanisht dhe persisht), shumica e të cilave janë kopjuar nga kaligrafë të specializuar në Shkodër, Berat, Elbasan, Tiranë etj. Koleksioni ka qenë pjesë e bibliotekave të medreseve dhe e bibliotekave të familjeve të mëdha shqiptare siç është dhe Biblioteka e Bushatllinjve, prej të cilës numërohen rreth 150 njësi bibliotekare që mbajnë vulën e sundimtarëve të Shkodrës, Mustafa dhe Karamahmut pashë Bushatlliu. Dorëshkrimet orientale kanë përmbajtje fetare, juridike, historike, gjuhësore e letrare etj. Vlen të veçohen veprat letrare të dorëshkruara në gjuhën shqipe me alfabet arab, sidomos divanet. Vlerësohen posaçërisht mynsheatet ose krestomacitë dokumentare (përmbledhje letrash private dhe shkresash zyrtare), një pjesë e të cilave me të dhëna për historinë e Shqipërisë dhe të qyteteve të saj. Pjesë e këtij koleksioni janë veprat e poetëve të mëdhenj të botës orientale. Shumica e dorëshkrimeve orientale u takon shekujve XIII-XIX. Ato shquhen për miniaturat në ar dhe dekoracionet. Koleksioni përmban një numër të vogël dorëshkrimesh shqip me alfabet grek, ku veçojmë Kodikun e Beratit të shek. XVIII me pjesë këndimi, poezi fetare, fjalor greqisht-shqip me 1600 fjalë etj. Pjesë e koleksionit janë edhe disa dorëshkrime në gjuhët perëndimore, ndër të cilat me vlerë të veçantë për Shqipërinë është ditari i albanologut hungarez, Franc Nopça “Albania Notizbücher” në 6 vëllime, shkruar gjatë viteve 1905-1909, 1913 etj. Nga dorëshkrimet greqisht i rrallë dhe i rëndësishëm është kodiku për Shën Nikodhimin nga Berati, i dorëshkruar në fillim të shek. XVIII. Koleksioni i hartave të rralla numëron 54 njësi bibliotekare. Ato u takojnë shekujve XVI-XVIII dhe janë përpiluar nga hartografë europianë më në zë të kohës. Hartat e rralla kanë vlerë të posaçme për trojet shqiptare e më gjerë dhe janë burim informacioni me të dhëna të shumta historike, etnografike, gjuhësore, gjeologjike etj. Nga ky koleksion veçohet harta e Vincenzo Maria Coronelli-t, kozmograf i njohur i Republikës së Venedikut, “Corso delli fiumi Drino e Boiana nella Dalmatia” e vitit 1688, e cila bën pjesë në përmbledhjen “Atlante Veneto”. Përmbajtja e hartës paraqet interes për studiuesit e fushës së albanologjisë. Ajo sjell të dhëna të bollshme gjeografike, historike, toponomastike, etnografike, statistikore e demografike për krahinat, qytetet dhe fshatrat shqiptarë. Hartat dallohen për zbukurimet dhe ngjyrat. Në fondin e albano-balkanologjisë ruhen të gjitha botimet shqipe, si dhe ato të huaja, që flasin për Shqipërinë, shqiptarët dhe popujt e ndryshëm të Ballkanit, që trajtojnë historinë, gjuhën, folklorin, kulturën e tyre. Sot qendra e studimeve albanologjike është përqendruar në shtetin shqiptar dhe literatura bazë për këto studime ndodhet në këtë bibliotekë.

 

Ky shkrim Pas 16 vitesh, Plasari largohet nga biblioteka u publikua me pare te Gazeta SHQIP.

Lufta 50-vjeçare ndaj fesë në tablo

$
0
0

Persekutimi i fesë në tablotë e Pjerinë Sheldijës/ Në Kishën e Shën Françeskut në Gjuhadol, e cila është kthyer në një galeri arti

lufta ndaj fese (2)
lufta ndaj fese (3)
lufta ndaj fese (4)
lufta ndaj fese (1)

Me duart e këmbët e lidhura, At Anton Harapi i veshur me fratin katolik vështron hapësirën bosh të burgut. Më 1946 ai do të pushkatohej nga regjimi komunist bashkë me disa klerikë të tjerë.

Lufta ndaj klerit katolik kishte nisur në Shqipëri që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe hyrjes së komunizmit në vend. “A e dini se çdo ndërtese i vihen themelet n’dhe? Edhe pse në varr, ne hijshëm duhet të jemi gurt e themelit të njasajë binaje të cilën sot e quajmë Shqypni”, do të shprehej At Anton Harapi, para pushkatimit. Pjerin Sheldija piktori i njohur shkodran e ka imagjinuar si në këtë tablo me flokët e pushpurisur At Harapin pak ditë para vdekjes. Një nga persekutimet më të mëdha në historinë e Shqipërisë komuniste është dhe lufta ndaj fesë së çdo besimi. Xhami e Kisha u shkatërruan, ndërsa njerëzit që merreshin me fenë përfunduan në burgje, pushkatime apo internime. Çdo gjurmë e besimeve fetare për gati gjysmëshekulli u përpoq të zhdukej në këtë vend. Temat fetare ishin të ndaluara dhe në art, letërsi, pikturë, apo kinematografi. Çdo fe ka historinë e saj në Shqipërinë e asaj periudhe po aq tragjike sa tjetra. Në Kishën e Shën Françeskut në Gjuhadol, sapo besimtarët hapin derën për t’u futur brenda ndeshen me tablotë e mëdha në çdo cep të murit. Bashkë me paqen që vjen natyrshëm brenda teje, sapo shkel në një godinë fetare, në këtë kishë njihesh dhe me historinë. Tablotë, pjesa më e madhe e kompozuar nga Pjerin Sheldija nuk janë tablo të zakonshme fetare. Ato mbartin brenda gjithë kalvarin e gjatë dhe dramatik që e ka shoqëruar besimin në Shqipëri. Historia tragjike ndaj klerit katolik nuk është vetëm në dorëshkrimet apo ditarët e pabotuar të françeskanëve, por edhe në këto tablo, që janë ngritur mbi dhembjen. I veshur me fratin e kuq, me sytë nga qielli, Krishti qëndron i kryqëzuar në një pemë. Sipër tij fle një engjëll, ndërsa poshtë dy partizanë me kapota dhe kapele me yll, me pushkë në dorë e ruajnë. Ky është subjekti i tablosë “Kryqëzimi i shekullit XX” (1992) që gjendet në muret e Kishës së Shën Françeskut. Për herë të parë kjo tablo u paraqit në ekspozitën e Lidhjes së Artistëve të Shkodrës në Galerinë e artëve të qytetit në nëntor të vitit 1992. Pas kësaj ekspozite piktori ia dhuroi Kuvendit Françeskan. Ishte kjo tablo që do ta bënte Sheldinë t’u përkushtohej tablove me tema fetare. Ai është i pari piktor në Shqipëri që trajtoi temën e persekutimit të klerit katolik shqiptar. Dy punë të tij janë dhuruar Papa Gjon Palit II, si dhe të tjera në koleksione private në Vatikan, Milano, Magliano, Corsoli etj. Në Kishën e Martirëve Shqiptarë në Blinisht përmes tablove të Sheldijës, tregohet historia e motër Marie Tucit. Ajo u arrestua në Ndërfushaz më 10 gusht 1949 dhe provoi tortura nga më çnjerëzoret. Hetuesit komunistë u munduan me të gjitha mënyrat e torturave, por vajza rezistoi heroikisht. Pastaj e përdhunuan në mënyrë barbare, sipas deklaratave të shoqeve të saj të burgosura me të. “Të gjitha torturat e mundura u ushtruan mbi trupin tim”, sipas një letre që nuk arritën ta nxirrnin jashtë nga burgu; ndër të tjera e futën në një thes, lakuriq, bashkë me një mace! Vdiq në spitalin e burgut në Shkodër, më 24 shtator 1950. Në muralen e realizuar nga Sheldija ajo shfaqet në burg e prangosur, dhe një mace e zezë kërcënuese duket sikur sapo ka dalë nga thesi i zi. “Dom Mark Gjanit, tue e torturue, i kërkuen ta mohonte Krishtin. U arrestua në vitin 1947 në Kalivare, vdiq në Shën Pal të Mirditës, pas torturave çnjerëzore, në vitin 1947. Kur e torturonin, kërkonin prej tij të mallkonte Jezu Krishtin dhe ai përgjigjej duke bërtitur: “Rroftë Jezu Krishti!”, e kjo për disa ditë rresht, derisa vdiq ndër këto tortura shtazarake. Këto fjalë të Dom Mark Xhanit janë treguar me lot në sy, nga një person që quhej Nikollë Perndoj nga Kthella e Oroshit, që kishte qenë në të njëjtën qeli me të. Trupi i tij u hodh në një kanal. Historia e tij gjendet në tablonë “Rrnoftë Krishti Mbret!(1993), ku pavarësisht torturave frati mban sytë nga qielli”.  “Shpifja e madhe” është një tjetër tablo e Sheldisë realizuar më 1996. Engjëj që përpiqen t’i ndalin komunistët në zjarrin që duan t’i vënë fesë. Duket sikur Sheldija ka hyrë në mendjen e secilit protagonist në këtë vepër. Fretër që mbajnë armë në duar. “Gjetja e armëve” në kishë ishte një tjetër propagandë për të justifikuar në popull masakrën ndaj dhjetëra klerikëve. Atë Mati Prenushi dhe gardiani i fretërve në Shkodër, At Çiprian Nikën, u akuzuan me shpifje se kishin futur armë në Alterin e kishës së Shënandout, në kishën françeskane të Gjuhadolit. Të dy fretërit, u pushkatuan. Dom Ndoc Suma i cili njihej dhe si etnograf u arrestua ndërsa kremtonte Meshën e Shenjtë, dhe u dënua me 30 vjet burg. Pasioni i tij ishte të mblidhte tregime mitologjike nga tradita e vjetër shqiptare, dhe vdiq në burg. Teksa ecën në kishën, që mban në mure historinë, të duket sikur po ecën në një galeri arti. E shkuara është këtu si një dëshmi, e cila të trondit kur e sheh falë tablove të Sheldijës. I vetëm ai ka vendosur që ashtu si Onufri apo Shpataragu shekuj më parë t’i përkushtohet një arti që ndaloi së marri frymë për gati 50 vjet, atij me karakter fetar. “Do punoj deri në fuqitë e frymës së fundit”, shprehet ai edhe pse në moshë.

a.b

 

Ky shkrim Lufta 50-vjeçare ndaj fesë në tablo u publikua me pare te Gazeta SHQIP.

Rikthehet “Rrathë III”

$
0
0

Konkursi

RratheTë gjithë të rinjtë që duan të shpalosin aftësitë e tyre në video-dokumentarët e shkurtër, do të ketë sërish këtë vit një mundësi për t’i bërë reale këto dëshira. Për të tretin vit radhazi, konkursi “Rrathë” rikthehet për t’u dhënë mundësinë gazetarëve, regjisorëve të rinj dhe të pasionuarve pas gazetarisë dhe videos për të prodhuar një film dokumentar. Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (SOROS) me partner Fondacionin Mediatik “Dritan Hoxha” ka hapur konkursin “për prodhimin e video-dokumentarëve prej 5-12 minuta, me tematikë sociale nga i gjithë territori i Shqipërisë”, me qëllim nxitjen e një mbulimi më të gjerë mediatik të komuniteteve të disavantazhuara dhe të papërfaqësuara, si dhe promovimin e punës të të rinjve dhe formave të reja të medias qytetare. Disa nga temat e sugjeruara janë: individi dhe shoqëria, liria dhe përgjegjësia qytetare, dinjiteti në varfëri, margjinalizimi dhe harresa sociale. Të ashtuquajturit “të padukshmit”, histori solidariteti njerëzor, shqiptarët dhe mjedisi etj. Ndër kriteret që do të vlerësohen janë origjinaliteti, ekskluziviteti i informacionit apo teknikat e përdorura. Të gjithë të rinjtë e interesuar duhet të dorëzojnë një ‘skenar’ (koncept ide) të video-dokumentarit sipas Formatit të Aplikimit që gjendet tek www.soros.al. Për dy vite radhazi ky konkurs ka sjellë ide dhe koncepte interesante mbi realitetin social në vend, duke trajtuar tema që më pas kanë zgjuar interesin e opinionit publik.

Ky shkrim Rikthehet “Rrathë III” u publikua me pare te Gazeta SHQIP.

Diktatori: Në fotot e nënës

$
0
0

Helidon Gjergji / Artisti vjen me ekspozitën e parë në Galerinë Kombëtare të Arteve. “E-Mages” sjell një rrëfim nga Rusia e largët staliniste, për të kujtuar të shkuarën tonë

aab1489dcc2e85b22a4c71c3c5422491_1
Helidon-Gjergji (1)
helidon-gjergji-e-mages (1)

Pas një karriere në galeri të ndryshme arti në Europë apo SHBA ku jeton tani, Helidon Gjergji vjen për herë të parë me një ekspozitë personale në vendin e tij. Punët e tij janë komentuar në revista të njohura për artin pamor, por ajo çfarë i ka munguar gjithnjë artistit ka qenë komunikimi me median dhe publikun që flet gjuhën e tij. “E-Mages” e ka quajtur ai ekspozitën, e cila u hap dje në Galerinë Kombëtare të Arteve. Një video-instalacion, i cili hulumton të shkuarën, por dhe hap debate mbi rrjetet sociale, rolin që po marrin çdo ditë e më tepër në shoqëri. “Video-instalacioni, ‘E-Mages’ (imazh në internet, elektronik), është një lojë fjalësh me imazhin se si ai ka ndryshuar tani në kohën e internetit, ndryshe nga imazhi në letër. Ideja e projektit ka ardhur nga mediat sociale, të cilat janë dominuese në të gjithë botën. Është një reflektim mbi këtë situatë, duke qenë se fëmijët që lindin sot, pothuajse nuk e njohin letrën”, thotë Gjergji. E për ta treguar forcën e “Facebook”-ut dhe imazheve që ai përcjell, Gjergji ka zgjedhur një fabul, e cila të çon në kohë në Rusinë staliniste, në një epokë që i kujton diktaturën komuniste. “Kam ardhur me një pjesë të historisë sime personale. Isha 20 vjeç kur komunizmi ra. Mendoj që personalja mbetet gjithnjë personale, dhe në art ajo duhet të marrë një dimension më të gjerë”, thotë Gjergji. Vetëm një artist që ka jetuar komunizmin mund të kuptojë atë çfarë ka ndodhur në Rusinë e largët. “Video-instalacioni im, ‘E-Mages’, sjell një histori të sajuar për nënën e Stalinit, Ketevan Geladze, e cila ka hapur një profil në ‘Facebook’ dhe çdo ditë hedh foto të familjes. Në ekranin e madh që projektohet në muret e Galerisë së Arteve mund të shohësh Stalinin fëmijë në krahët e Geladzes, adoleshent apo në momente të tjera familjare. Kjo familje duket kaq e lumtur, ashtu si mijëra njerëz në rrjetet sociale që e fshehin realitetin e tyre. Shoqëruar me një vals nga Shostakovitch (të orkestruar nga Andrea Rieu), këto imazhe fshehin gjithçka nga njeriu që bëri aq krime njerëzimit. Kjo video, si ‘një matrioshka (kukull) ruse hiperreale’, projektohet fillimisht mbi një pasqyrë të thyer e më pas pasqyrohet e copëzuar në mur. Në jetën reale jeta e Ketevan Geladze nuk ka qenë e lumtur. Ajo u martua me Besarion Jughashvilin kur ishte 17 vjeçe. Dy fëmijët e parë i vdiqën vetëm pak pas lindjes. Fëmija i saj i tretë dhe i vetëm Joseph (Stalini) u rrit në një ambient të dhunshëm. Babai e dhunonte atë dhe të shoqen. Njëherë ai e torturoi atë aq shumë, sa Stalini fëmijë doli jashtë dhe kërkoi ndihmë, duke thënë: ‘Ndihmë ai po e vret nënën!’. I ati do të largohej nga shtëpia pas dhembjeve që shkaktoi. Ajo punoi në familjet e tregtarëve çifutë duke mbledhur të holla për shkollimin e djalit. Ajo donte ta bënte atë Peshkop… Kur Stalini drejtonte Rusinë, nëna e tij jetonte në pallat në Kaukaz. Në një dhomë të vogël ajo shkruante letra në gjeorgjisht, pasi nuk arriti asnjëherë të mësonte mirë rusisht. Ai e vizitoi atë edhe pas revolucionit, dhe në momente zemërimi i kujtonte fëmijërinë. Kjo është me disa fjali jeta e Ketevan Geladze, të cilën Stalini e thërriste Keke që në faqen e saj në ‘Facebook’, duket kaq e lumtur.

Videoja nuk projektohet direkt në mur, por projektohet në një pasqyrë, e cila më pas e reflekton në mure. Kjo punë është realizuar nga Gjergji vite më parë, dhe është ekspozuar në disa galeri arti në botë. Ai zgjodhi të sillte Stalinin në Galerinë e Arteve si një moment reflektimi për të shkuarën, por dhe për faktin se këtu i sheh njerëzit të fiksuar pas rrjeteve sociale”. Asnjë lloj pasqyrimi nuk jep të vërtetën, por është thjesht pasqyrim. Unë e thyej pasqyrën në një farë mënyre edhe për t’i zgjuar njerëzit: kjo është pasqyrë, është sipërfaqe dydimensionale, realiteti qëndron diku tjetër”, thotë ai. Pasqyra dhe thyerja e pasqyrës është për të treguar se interneti vetë nuk është realitet, është pasqyrim i diçkaje. Zgjedhja e Stalinit si personazh për këtë video, erdhi për faktin se figura e tij është më e njohur në botë se diktatori shqiptar Hoxha. “Arti nuk është një pasqyrë e vendosur përpara realitetit, por më së shumti një çekan që i jep formë”, do të shprehej Breht. Por Gjergji vendos të bëjë të kundërtën. Ai reflekton mbi realitetin duke e riformuar, duke përdorur një kornizë strategjike, më shumë se një çekan. “Duke bërë një gjë të tillë çon sinjale alarmi dhe jo atë final, siç bën një çekan. Duke treguar realitetin të jepet mundësia që ta riformosh në një mënyrë të thjeshtë, duke sugjeruar strategji dhe jo duke u imponuar, siç bën një çekan”, thotë ai. Helidon Gjergji ka lindur më 1970-n dhe është diplomuar në Akademinë e Arteve, Tiranë, në vitin 1994, në Akademinë e Arteve të Bukura të Napolit në vitin 1996, dhe ka një Master për Artet Pamore nga Universiteti Northwestern në Çikago, SHBA. Ai ka qenë pjesëmarrës në Bienalen e Venecias. Nga viti 2004 jeton dhe punon në Nju Jork.

Ky shkrim Diktatori: Në fotot e nënës u publikua me pare te Gazeta SHQIP.

Viewing all 4020 articles
Browse latest View live


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>