Quantcast
Channel: Kulturë – Gazeta SHQIP Online
Viewing all 4020 articles
Browse latest View live

Ushtarët çekë që shkruan libra për Shqipërinë

$
0
0

Premysl Vins/ Shqipëria, në librat çekë, në shekullin XIX-XX/ Historitë e ushtarëve çekë që erdhën në Shqipëri për të luftuar në anën e austro-hungarezëve në vitin 1915 dhe pas kthimit në vendin e lindjes, u kthyen në autorë librash për Shqipërinë

Christmas-truce-2_2749187c
Christmas-truce-3_2749189b
evacuation-farewell-london-ca-1940-1354817915_b
Vickers_IWW

Jaroslav Křenek nuk i harroi kohët e kaluara në Shqipëri. I riu çek që pëlqente leximin, ishte pjesë e ushtrisë austro-hungareze, kur në vitin 1915 ajo pushtoi Shqipërinë e Veriut dhe atë të Mesme. Në ditarin që mbante gjithnjë në çantën e shpinës, Křenek shënonte çdo detaj nga ky vend për të cilin nuk kishte dëgjuar asgjë më parë. Jo vetëm bukuritë e natyrës, por dhe raportet njerëzore ishin aq të veçanta në këtë kënd të Ballkanit. Gjatë kthimit në Çeki pas luftës ai hodhi në letër të gjitha kujtimet nga Shqipëria, të cilat i botoi më pas në librin “Kujtimet për luftën në Shqipëri” (çekisht “Vzpomínky na vojnu v Albanii”) në të cilin ai përshkruan bukuritë e natyrës shqiptare, atmosferën orientale të qyteteve si të Elbasanit dhe Tiranës, që po shfaq simpati ndaj shqiptarëve dhe ka interes edhe për gjuhën dhe historinë shqiptare.

Přemysl Vinš

Přemysl Vinš

Libri i tij tregon vështirësitë e ushtarëve në Shqipëri – epidemitë e shpeshta të tifos e të kolerës, transportet e lodhshme në terrenin malor, por gjithashtu tensionin midis ushtarëve të kombësisë çeke dhe asaj gjermane dhe hungareze. Deri në fillimin e Luftës së Parë Botërore kontaktet midis çekëve dhe shqiptarëve ishin të rralla. Kjo situatë ndryshoi me fushatën ushtarake të ushtrisë austro-hungareze në Ballkan kur në vitin 1915, austro-hungarezët pushtuan Shqipërinë. Në radhët e ushtrisë austro-hungareze luftoi një numër i madh ushtarësh me kombësi çeke. Gjatë luftës arritën në Shqipëri me mijëra çekë. Nëpër Shqipëri udhëtonin dhe me jetën shqiptare njiheshin jo vetëm gazetarë dhe shkencëtarë, por edhe çekë nga shtresa të ndryshme shoqërore dhe lidhnin kontakte me shqiptarët. Në atë kohë ndodheshin në Shqipëri disa personalitete të njohura nga jeta politike dhe kulturore si p.sh. Presidenti i mëvonshëm komunist Antonín Zápotocký ose poeti, gazetari dhe përkthyesi i njohur çek Stanislav Kostka Neumann. Prania e numrit të madh të çekëve në Shqipëri gjithashtu u reflektua në krijimtarinë e tyre. Pas fundit të luftës dhe pas krijimit të shtetit çekosllovak me Shqipërinë dhe me kulturën shqiptare merreshin sidomos ata ish-pjesëtarë të ushtrisë austro-hungareze në Shqipëri të cilët botuan disa libra me kujtime për fushatën e tyre ushtarake në Shqipëri. Poeti Stanislav Kostka Neumann ishte një tjetër ushtar çek i cili qëndroi në Shqipëri. Librat e tij “Elbasani: kujtimet e luftës” (çekisht “Elbasan; Válečné vzpomínky”) viti 1922 dhe “Bragozhda dhe kujtime të tjera luftarake” (çekisht “Bragožda a jiné válečné vzpomínky, viti 1928), rindërtojnë në letër një atmosferë të Elbasanit të atyre viteve, duke na lënë një dëshmi se si dukej jeta në qytet në ato kohë. “Shumica e ushtarëve çekë e shikonin Shqipërinë si portën e orientit. Në natyrën e mahnitshme, xhami të qyteteve dhe zakone shqiptare shumë prej tyre gjetën frymëzim për veprimtarinë e tyre letrare”, tregon studiuesi i ri çek Premyls Vins. Jaroslav Křenek shkroi në vitin 1931 “Katër tregime shqiptare” (çekisht “Čtyři albánské povídky) në të cilat ai lidhi përvojat e veta nga qëndrimi në Shqipëri me tregimet që mësoi në Shqipëri. Bëhet fjalë për tregime dhe përralla që kanë lidhje me gjakmarrjen, besën dhe trimërinë e shqiptarëve. Këto tregime zhvillohen në sfondin e ngjarjeve reale dhe shpesh në to flitet për personalitete historike, si për Esat Pashë Toptanin ose për Mbretin Vid. Në veprën e poetit, Stanislav K. Neumann, gjenden edhe vjershat me titujt “Vera në Elbasan” dhe “Përshëndetje dhe kujtime”, ku autori shpreh dashurinë e tij ndaj Shqipërisë dhe popullit të saj. Duke gjetur frymëzim në ambientin shqiptar, ai shkroi edhe një përrallë të vetën që quhet “Përralla për minaren që doli shëtitje, dhe për ushtarin që kishte uri”. Neumann gjithashtu vizatoi disa akuarele që shfaqin rrugët e Elbasanit. Nga autorët e tjerë që u frymëzuan nga qëndrimi në Shqipëri është dhe ish-ushtari Karel Stellner(1873 – 1955) i cili botoi në vitin 1925 “Përrallat e mbrëmjeve të majit”. Edhe pse tregimet e tij janë të trilluara, kanë një bazë reale. Këto tregime i shkroi për ushtarët e tjerë dhe për të birin e tij në Çeki. Në një tregim, autori përshkruan përshtypjet e tij nga vizita e një shkolle shqiptare në qytetin e Milotit. “Pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Çekosllovakisë dhe Shqipërisë në vitin 1922 u themelua në Pragë Shoqata Çekosllovako-Shqiptare. Nuk është asnjë surprizë se pjesën e madhe të anëtarëve të saj e krijuan ish-ushtarët (J. Křenek, S. K. Neumann) dhe specialistët nga koha para luftës (Josef Vinař)”, thotë Vins. Shoqata çekosllovako-shqiptare botoi në vitin 1938 një libër jashtëzakonisht interesant që merret me Shqipërinë. Fjala është për një përmbledhje tekstesh me titullin “Shqipëria, mendimet për rolin e Shqipërisë në botë, për historinë e saj, ekonominë kombëtare dhe kulturën shqiptare”. Autori i saj ishte konsulli i nderuar i Shqipërisë në Pragë, çeku Jan Matoušek. Kjo është përmbledhja e studimeve që merren me situatën politike të Shqipërisë midis viteve 1920 dhe 1930 (autori është Josef Jirout), me zhvillimin ekonomik (autori ështëVáclav Červený), por përveç kësaj përmban përshtypjet nga vizita e Shqipërisë (autori është Artuš Černík), studimin gjeografik (autori është Karel Kuchař), vjershën e Neumann-it “Përshëndetje dhe kujtime” dhe tekstin e Vinař-it për rilindjen kombëtare shqiptare.

Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, është qeverisja e Ahmet Zogut ajo që do t’i tërheqë vëmendjen një tjetër autori çek. Josef Jirout e shfaq hapur simpatinë e tij ndaj Mbretit shqiptar. “Informacione të vlefshme sjell edhe teksti që merret me zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Ai analizon pasojat e krizës botërore ekonomike në gjysmën e parë të viteve ‘30 në Shqipëri dhe lexuesi i sotëm mund të përfytyrojë nivelin e bashkëpunimit të atëhershëm ekonomik midis Çekosllovakisë dhe Shqipërisë. Sipas të dhënave të librit, importi nga Çekosllovakia përbënte 7% nga gjithë vëllimi i importit shqiptar. Shumë interesante është parathënia e këtij libri të cilin e shkroi diplomati i atëhershëm çekosllovak në Tiranë Lev Vokáč”, thotë Vins. Në tekstin e tij reflektohet situata politike në Europë në vitin 1938 dhe trazirat e luftës së re në Europë. Vokáč shpreh tërheqjen e tij ndaj Shqipërisë dhe kërkon paralele midis situatës në Çekosllovaki dhe Shqipëri. Duke theksuar pozitën strategjike të të dyja vendeve, autori është në dijeni se Çekosllovakia dhe Shqipëria rrezikohen nga vendet fqinje. Ky tekst u përfundua vetëm disa muaj para nënshkrimit të Traktatit të Mynihut kur zonat kufitare me popullatën gjermane u shkëputën nga Çekosllovakia. Një tjetër botim interesant është “Historia diplomatike e Shqipërisë” me autor konsullin çekosllovak në Tiranë Josef M. Kadlec. Libri i tij përshkruan në mënyrë të hollësishme bisedimet për çështjen e fatit dhe të kufijve të Shqipërisë në Konferencën e Paqes të Parisit.

Pas fundit të Luftës së Dytë Botërore dhe pasi në Çekosllovaki dhe Shqipëri pushtetin e morën komunistët, marrëdhëniet bilaterale u intensifikuan në të gjitha fushat. Në vitet ‘50, ekzistonte në Fakultetin Filozofik në Pragë seminari i gjuhës shqipe të cilin e drejtonte Dhimitër Pilika dhe në Çekosllovaki studionin qindra studentë shqiptarë. Në periudhën e orientimit pro-sovjetik të Shqipërisë në vitet 1948–1961 u botuan në Çeki disa libra që u afronin lexuesve zhvillimin e fuqishëm ekonomik të Shqipërisë në krye me Partinë e Punës së Shqipërisë. Në Pragë botohet libri i ilustruar me fotografi me titullin “Shqipëria vent shqiponjash” autori i të cilit ishte Dhimitër Pilika(1923 – 2003). Gjithashtu u botuan dy libra me kujtime udhëtimesh që i njihnin lexuesit me ndërtimin e socializmit në Shqipëri, me luftën kundër analfabetizmit dhe me historinë dhe zakonet shqiptare. Libri i parë nga viti 1959 prej autorit Václav Jaroš(1898 – 1970) quhet “Dritat shkëlqejnë mbi Tiranë”, të dytin e shkroi Václav Cibula(1925 – 2009). Romani i tij quhet “Mbi male dhe në det” dhe u botua në vitin 1960. Në kohën e komunizmit u përkthyen nga frëngjishtja në gjuhën çeke disa tregime shqiptare me titullin “Shqiponjat fluturojnë lart” dhe Dhimitër Pilika përktheu romanin e Shefqet Musarajit nga koha e luftës. Ai doli në vitin 1951 me titullin “Me partizanët shqiptarë”. Nga periudha pas përçarjes me Bashkimin Sovjetik u botua libri “Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë” që solli informacione të përgjithshme për Shqipërinë. Autori i këtij libri ishte ballkanologu i njohur dhe njohësi i historisë shqiptare Pavel Hradečný(1938-2006). “Deri më sot nuk dihet fati i fjalorit çekisht-shqip të cilin e përpunoi pedagogu dhe kolegu i Pilikës Václav Polák(1912-1981). Sipas informacioneve që kam nga fakulteti, fjalori u rendit në planin e botimit, por Václav Polák u arrestua për arsye politike dhe fjalori i tij u konfiskua. Pasi doli nga burgu fjalorin nuk e gjeti më”, shprehet Vins. Numri i librave për shqiptarët nga periudha pas rënies së komunizmit mbetet relativisht i ulët. Janë botuar tre romane të shkrimtarit Ismail Kadare në gjuhën çeke – “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, 1990, “Prilli i thyer” 2007 dhe “Kush e solli Doruntinën”, 2011. Në vitin 2007 u botua Fjalori i parë Shqip-Çekisht dhe Çekisht-Shqip dhe autorja e tij, përkthyesja dhe albanologja Hana Tomková(1934) përktheu përrallat shqiptare. Përrallat u botuan në vitin 2009 nën titullin “Bukuria e vendit. Përralla dhe tregime shqiptare”. Një nga librat më të rëndësishëm në vitet e fundit është libri “Historia e Shqipërisë”, 2008 të cilin e shkroi historiani Pavel Hradečný. “Për arsye të vdekjes së tij të parakohshme, librin e përfundoi një kolektiv autorësh. Bëhet fjalë për një publikim të jashtëzakonshëm në vendin tonë, sepse zoti Hradečný për librin e tij shfrytëzoi rezultatet e kërkimit të tij shumëvjeçar në Shqipëri”, shprehet Vins. Albanologu është marrë me kërkimet mbi veprat çeke nga fundi i shekullit XIX deri në shekullin XX nga çekët kushtuar shqiptarëve, për të nxjerrë në dritë raportet historike mes dy vendeve përmes botimeve. Sipas tij, në krahasim me ambientin gjerman ose austriak, numri i librave çekë për shqiptarët është relativisht i vogël, por ky fakt nuk e ul vlerën e tyre.      Njësoj si në pjesët e tjera të Europës, edhe në Çeki, mund të ndeshim një interes të madh për ngjarjet në Ballkan në periudhën pas Kongresit të Berlinit në vitin 1878 (pas këtij të fundit u hap edhe çështja shqiptare). Në lidhje me ngjarjet e vrullshme në Ballkan udhëtonin në këtë pjesë të kontinentit tonë shumë gazetarë, udhëtarë, shkencëtarë dhe aventurierë të ndryshëm, të cilët nëpërmjet artikujve, librave dhe studimeve të tyre i njihnin lexuesit me gjendjen politike, ekonomike dhe kulturore në Ballkan. Në këtë mënyrë lexuesit çekë merrnin informacionet edhe për shqiptarët. “Të gjitha shtresat e shoqërisë çeke lexonin gazeta dhe revista që përmbanin artikuj për shqiptarët. Artikujt që u botuan në këto revista dhe gazeta kishin pa dyshim ndikim të madh për krijimin e imazhit të shqiptarëve”, thotë Vins. Nga shtypi çek i dekadave të fundit të shekullit XIX më shumë artikuj për shqiptarët përmbajtën gazetat dhe revistat Zlatá Praha, Osvěta, Česká včela dhe Světozor. Ndër autorët e këtyre artikujve mund të përmendim gazetarët Vladimír Sís (1889-1958), Josef Toužimský (1848-1903), botanistin Josef Rohlena (1874 – ?), etnografin dhe shkrimtarin Jan Třeštík (1859 -?) ose mjekun dhe shkrimtarin Josef Vinař (1875 –1963) i cili bashkëpunonte me albanologun e njohur Jan Urban Jarník (1848-1923). Josef Vinař ishte një nga çekët e paktë që flisnin dhe kuptonin shqip. Për shtypin çek Vinař përktheu disa vjersha shqiptare, këtu përfshihet edhe vjersha e njohur e Pashko Vasës “O moj Shqypni, e mjera Shypni” (çekisht “Ó Albánie, ubohá Albánie“). Deri në fund të shekullit XIX u botuan vetëm artikuj të ndryshëm etnografikë, por jo shumë libra – me përjashtim të dy monografive të Jarník-ut. Në gjermanisht ai shkroi librin “Zur albanischen Sprachenkunde” (1881) në të cilin paraqitet pasqyra e gramatikës shqipe dhe përkthimi i disa teksteve nga shqipja në gjermanisht. Monografia tjetër e Jarník-ut nga viti 1883 u botua çekisht me titullin “Kontributi për njohjen e dialekteve të gjuhës shqipe” ku autori nënvizoi dallimet midis gegërishtes dhe toskërishtes.       Rritjen e konsiderueshme të interesit për kombin shqiptar e solli fillimi i shekullit XX, sidomos periudha pas vitit 1910 kur në trevat shqiptare zhvilloheshin kryengritje të shumta kundër Portës së Lartë. Fjala është për botimin e përkthimit të poezisë shqiptare të titulluar “Këngët kombëtare shqiptare” në vitin 1911. Autori i kësaj përmbledhjeje vjershash ishte Josef Vinař i cili përktheu në gjuhën çeke disa vjersha të poetëve arbëreshë – Zef Skiroi, Jeronim De Rada, Dhimitër Kamarda. Gjithsej, përmbledhja e tij përmban 18 vjersha epike, ndër të cilat gjendet eposi për Skënderbeun dhe balada e njohur e Kostandinit dhe Doruntinës. Përveç kësaj, përmbledhja e vjershave përmban disa përkthime të lirikës martesore e dashurore nga rajonet e Korçës dhe të Kalabrisë. Në parathënien e librit, Josef Vinař i njeh lexuesit shkurt me historinë shqiptare dhe me gjuhën shqipe. Përmbledhja e poezisë së tij është e veçantë në ambientin çek dhe deri më sot ky është përkthimi i vetëm i poezisë shqiptare në gjuhën çeke. Në të njëjtin vit u botuan në Brno “Përrallat arnaute” (nga arkeologu kroat Ćiro Truhelka (1865-1942) i cili i përmblodhi këto përralla në komunitetin shqiptar afër qytetit Zadar. Nga kroatishtja i përktheu në gjuhën çeke Matyáš Hajný. Këto botime kanë pasur një rol të rëndësishëm për përçimin e një imazhi për Shqipërinë dhe shqiptarët në kuadër të një izolimi të plotë prej gjysmë shekulli. Dhe pse botimet kanë qenë më shumë me karakter publicistik, ato kanë mundur ta çojnë Shqipërinë si një vend me vlera dhe kulturë të hershme tek çekët.

Ky shkrim Ushtarët çekë që shkruan libra për Shqipërinë u publikua me pare te Gazeta SHQIP.


Mësimi i shqipes në Beograd, drejt përvjetorit të 90

$
0
0

Tirana na ka dërguar profesorë të mirë, por fatkeqësisht këta profesorë kanë pasur dhe kanë angazhime edhe në Shqipëri dhe, për këtë arsye, asnjëherë deri më tani nuk kanë pasur mundësi të qëndrojnë të dy semestrat në Beograd dhe të mbajnë ligjërata, ashtu siç mbajnë të gjithë lektorët e huaj të angazhuar të gjuhëve të tjera të huaja. Kjo ka ndikuar që edhe përkundër faktit që kemi pasur profesorë, mosprania e tyre është vërejtur shumë në fakultet dhe ka shkaktuar pakënaqësi.

 Intervista/ Dr. Naile Mala, shefe e Katedrës së Albanologjisë: Lektorët e shqipes këtu nuk përfaqësojnë vetëm veten

shqipja_ne_beogradE krijuar në çerekun e parë të shekullit të njëzetë, Katedra e Albanologjisë në Beograd është tashmë në prag të 90-vjetorit. Me qindra studentë përgjatë gjithë viteve kanë mundur të mësojnë gjuhën shqipe dhe të njihen me kulturën e shqiptarëve. Lektorët e kësaj katedre në vite kanë qenë ndër personalitetet më të njohura të albanologjisë. Në dekada, katedra ka njohur suksese dhe kohë të vështira, referuar sidomos situatave historike. Lektorët e saj kanë qenë kryesisht nga Kosova, por nuk ka munguar as angazhimi i kolegëve nga Shqipëria. Modeste, pa ndonjë buxhet të posaçëm, pa mundur dot as të përfitojë nga Shqipëria e Kosova, qoftë edhe ndihmë me libra për bibliotekën e saj, Katedra e Shqipes, mbetet, megjithatë, ndër më të mëdhatë, sa i përket numrit të studentëve. Ajo drejtohet nga një lektore dhe studiuese, e cila më shumë se gjithçka, e percepton si mision mësimdhënien e gjuhës sonë amtare në kryeqytetin serb. Për të krijuar një ide më të qartë sa i përket katedrës dhe mënyrës se si ajo funksionon, ne biseduam me dr. Naile Malën dhe fillimisht e pyetëm atë për interesin që kanë studentët aktualë për shqipen.

Ju ligjëroni në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Beogradit, mund të na thoni përshtypjet tuaja për interesimin e studentëve në lidhje me gjuhën shqipe dhe me kulturën tonë në përgjithësi?

Pas ngjarjeve të rënda, të cilat kanë ndodhur në Kosovë dhe pas ndryshimeve demokratike në vitin 2000, dukshëm është zgjuar interesimi për të mësuar dhe për të studiuar gjuhën dhe letërsinë shqipe në Serbi. Mirëpo në këtë kohë ende vazhdonte fushata antishqiptare në Serbi dhe katedra gjendej në një situatë të mjerueshme. Në fillim të viteve ‘90, profesorët e Prishtinës u larguan nga katedra, kështu që ajo mbeti edhe pa profesorë, edhe pa libra, edhe pa shpresë.

Katedra e Beogradit është më e vjetra e hapur për gjuhën shqipe, madje shumë kohë më parë sesa në Tiranë. Mund të na thoni më shumë në lidhje me këtë fakt?

Katedra për Albanologji në Universitetin e Beogradit është një nga katedrat më të vjetra. Kjo është themeluar në vitin 1925. Idenë për mësimin e gjuhës shqipe, i pari e ka dhënë shkencëtari i famshëm Jovan Cvijiq në vitin 1907, por ideja është realizuar në vitin 1920-‘21. “Fillimisht gjuha shqipe është mësuar në kuadër të një seminari të veçantë Gramatika krahasuese e gjuhëve indoeuropiane, kurse në vitin akademik 1920-‘21 edhe lënda Historia dhe gramatika e gjuhës shqipe. Në këtë kohë, si pedagog është angazhuar prof. dr. Henrik Bariqi. Përveç seminarit, në vitin 1923, ka filluar të botohet edhe Arkivi për vjetërsinë, gjuhën dhe etnografinë e shqiptarëve. Është interesant se revista fillon jetën e vet para se të fillonte seminari i gjuhës shqipe. Në këtë kohë, në Fakultetin Filozofik të Beogradit është mësuar vetëm gjuha serbe, gjuhët sllave, orientale dhe seminari për gjuhë gjermane dhe pas tyre, gjuha shqipe. Kësaj ndërmarrjeje arsimore dhe kulturologjike të Henrik Bariqit në vitin 1925, i bashkohet edhe dr. Xhevat Korça, pastaj edhe romanisti Vojisllav Dançetoviq. Seminari e ka ndërprerë punën nga viti 1937 deri në vitin 1948 për shkak të ngjarjeve politike dhe historike të asaj kohe.

Pas Luftës së Dytë Botërore, kur mësimet i ka mbajtur profesor Vojisllav Dançetoviqi, me mbështetje të fortë të asistentëve Idriz Ajeti dhe Anton Çetta, kjo katedër deri në vitet ‘60 ka qenë fidanishte kryesore e kuadrove të para universitare të shqiptarëve të Kosovës, në fushën e gjuhësisë dhe të letërsisë, në mesin e tyre ka qenë dr. Besim Bokshi, dr. Gani Luboteni, dr. Latif Mulaku, dr. Latif Berisha, Ramiz Kelmendi, Din Mehmeti, Fahredin Gunga, Murat Isaku, Enver Gjergjeku edhe shumë shumë të tjerë.

Deri nga fundi i viteve të ‘80 në këtë katedër kanë qenë të angazhuar profesorët e Prishtinës, mirëpo me largimin e tyre, që nga viti 1991 e deri në vitin 2008, katedra ka qenë në një gjendje vërtet të mjerueshme në çdo pikëpamje.

Disa nga personalitetet më të spikatura në albanologji në shekullin e njëzet e kanë drejtuar këtë katedër dhe kanë qenë lektorë. Cila është, në fakt, historia e lektorëve shqiptarë në vite (megjithëse ju thatë diçka edhe më sipër)?

naile-mala,-dr.-ne-letersi-shefe-e-katedres-se-albanologjise-ne-BeogradMund të thuhet se rolin kryesor në mësimin e gjuhës shqipe e kanë luajtur lektorët, prof. Henrik Bariçi, i cili është angazhuar në vitin 1925, dhe pas tij dr. Xhevat Korça, i cili ka qenë emigrant politik i ikur nga Shqipëria. Prof. Xhevat Korça për shkak të rrethanave të atëhershme është larguar nga Beogradi në vitin 1928 dhe është vendosur në Grac. Pas tij, si lektor ka punuar prof. Vojisllav Dançetoviç, serb i Kosovës, i cili e ka kryer romanistikën në Zagreb. Pas Luftës së Dytë Botërore, në këtë katedër ka punuar prof. dr. Idriz Ajeti dhe prof. Anton Çetta. Ata kanë punuar deri në vitin 1960, kur është hapur Fakulteti Filozofik në Prishtinë. Në vitin 1962, si lektor, është angazhuar prof. Remzi Nesimi, i cili i ka kryer studimet albanologjike në Beograd, pas tij 1966-1967, prof. Nderim Kupi, emigrant politik nga Shqipëria, i cili ka kryer italianistikën në Beograd dhe Halit Tërnavci nga Kosova deri në vitin 1975, kur pas vdekjes së profesor Vojisllav Dançetoviqit është emëruar shef katedre. Pastaj si lektore e radhës është pranuar prof. Gjushtina Shushka, e cila, pasi ka doktoruar në Tiranë në vitin 1994, është emëruar docente dhe nga fundi i viteve ‘80, Remzie Ajeti, e cila i ka mbaruar studimet në Universitetin e Prishtinës. Pas vitit 2000, në këtë katedër, fakulteti më ka angazhuar mua si lektore dhe asistenten Merima Krijeziun.

Nga viti 2008, Fakulteti Filologjik i Beogradit e ka parë të arsyeshme që tashmë edhe për katedrën tonë duhet të angazhojë pedagogë të jashtëm dhe në këtë vit ka lidhur Marrëveshjen për bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë, por edhe me Universitetin e Shkodrës. Ndër profesorët e parë që kanë ardhur është prof. dr. Stefan Çapaliku dhe prof. dr. Primo Shllaku, prof. dr. Tefë Topalli, prof. dr. Alfred Çapaliku, prof. dr. Avni Xhelili, prof. dr. Adem Jakllari, Ledia Dushi dhe në periudhën 2012-2013, prof. dr. Dhimitër Bello dhe prof. dr. Persida Asllani.

Cilat kanë qenë momentet më të vështira, sipas jush?

Momente të vështira ka pasur mjaft, por unë këtu do të theksoj vetëm rastin e Bibliotekës sonë, e cila, edhe pse dikur ka qenë shumë e pasur me libra, sepse pas Luftës së Dytë Botërore, Biblioteka Kombëtare e Tiranës i ka dërguar nga një kopje të secilit libër Shoqatës së atëhershme Kulturore jugosllavo-shqiptare në Beograd, mirëpo nga vitet ‘80 librat janë zhdukur dhe biblioteka gjithnjë e më shumë është varfëruar tmerrësisht. Kjo gjë ka qenë e dhimbshme për shumë shqiptarë, të cilët këtë bibliotekë e kanë përjetuar si diçka që u takon edhe atyre dhe si vend i rrallë ku dikush ka mundur të gjejë ndonjë element që ka të bëjë me identitetin shqiptar.

Ka pasur edhe momente të tjera, por ato qofshin të shkuara.

Me këtë rast dua të përmend një gjë që na ka bërë të ndihemi krenarë dhe prandaj edhe kësaj radhe, falënderoj zotin Ilir Meta, i cili si ministër i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, gjatë vizitës që ka bërë në Beograd, në vitin 2010, ka vizituar edhe Katedrën e Gjuhës Shqipe këtu dhe me këtë rast na ka sjellë rreth 30 tituj librash, të cilat na kanë ndihmuar mjaft në zhvillimin e mësimit në katedër, por edhe na ka premtuar çdo lloj ndihme të Shqipërisë. Vizita e zotit Ilir Meta ka ndikuar aq shumë, saqë nga ai moment edhe interesimi për katedër brenda vetë fakultetit ka ndryshuar rrënjësisht, por edhe qëndrimi i të tjerëve ndaj katedrës në përgjithësi.

Që nga viti 2011, edhe Fakulteti Filologjik i Beogradit për çdo vit ka ndarë mjete për blerjen e librave edhe për Katedrën e Gjuhës Shqipe dhe ne këto libra i kemi siguruar nga Prishtina.

Cilat janë marrëdhëniet e katedrës me shtetin amë, çfarë mbështetjeje keni gjetur dhe çfarë do të donit të kishit në të ardhmen për mbarëvajtjen e kësaj katedre?

Deri më tani kemi pasur profesorë vetëm nga Shqipëria, por shpresoj se në të ardhmen do të kemi edhe nga Kosova, sepse duke u nisur nga përvoja afatgjatë që kemi pasur gjatë viteve, profesorët e Prishtinës kanë shumë njohuri për lidhjet kulturore midis këtyre dy popujve dhe kanë më shumë sens për rrethanat në përgjithësi. Edhe me Shqipërinë kemi bashkëpunim të mirë. Tirana na ka dërguar profesorë të mirë, por, fatkeqësisht, këta profesorë kanë pasur dhe kanë angazhime edhe në Shqipëri dhe, për këtë arsye, asnjëherë deri më tani nuk kanë pasur mundësi të qëndrojnë të dy semestrat në Beograd dhe të mbajnë ligjërata, ashtu siç mbajnë të gjithë lektorët e huaj të angazhuar të gjuhëve të tjera të huaja. Kjo ka ndikuar që edhe përkundër faktit që kemi pasur profesorë, mosprania e tyre është vërejtur shumë në fakultet dhe ka shkaktuar pakënaqësi. Që t’i shmangemi kësaj situate, do të ishte mirë që në të ardhmen, Ministria e Arsimit e Shqipërisë të na dërgojë pedagogë, të cilët do të qëndrojnë tërë kohën në Beograd dhe të cilët do të mbajnë ligjërata si të gjithë të tjerët.

Po me libra a ju ka ndihmuar Shqipëria?

Përveç zotit Ilir Meta, për të cilin ju thashë, libra të tjerë nuk kemi marrë nga Shqipëria.

Si përzgjidhen lektorët dhe a e këqyrin ata mësimdhënien në një vend të huaj si një mision edhe më të rëndësishëm sesa brenda vendit? A keni ju një opinion për këtë?

Nuk e di cilat janë kriteret në bazë të të cilave Ministritë e Arsimit i zgjedhin lektorët, por e di se të gjithë lektorët e gjuhëve të huaja që vijnë në Fakultetin Filologjik të Beogradit nuk përfaqësojnë vetëm vetveten, por përfaqësojnë edhe shtetin e vet dhe, në njëfarë mënyre, janë ambasadorë të shteteve të veta.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Ky shkrim Mësimi i shqipes në Beograd, drejt përvjetorit të 90 u publikua me pare te Gazeta SHQIP.

Librat e rinj

$
0
0

Avni Nezaj

“Vajza e luginës së gjelbër”

(roman)

Botimet: “Mediaprint”

Çmimi: 600 lekë

nezaNjë histori dashurie, e cila na shpie pas në kohë, për të treguar lidhjen e dy të rinjve këtej dhe përtej kufirit gjatë regjimit komunist. Fshatrat kufitare janë të mbushura me histori, që ndonjëherë e shpjegojnë kohën më mirë se librat e historisë. Nezaj ka marrë një nga këto histori, për ta treguar në faqet e këtij romani. Personazhet në këtë roman e ndjekin rrugën e dashurisë dhe pse ajo u shfaqet mundimshëm dhe plot sfida. Me bashkimin e dy të rinjve pas një ndarjeje të gjatë, autori duket se u ka bërë sfidë kufijve që shpesh ngrihen para nesh.

 

Enver Bytyçi

“Shqipëri-Kinë, dështimi i një bashkëjetese”

Instituti i Studimeve të Europës Juglindore

Çmimi: 1200 lekë

Parathënie

Ky libër studimor i kushtohet një periudhe historike të rëndësishme të zhvillimeve të dy dekadave të marrëdhënieve e lidhjeve shqiptaro-kineze. Kur shqiptarët, pas prishjes së këtyre marrëdhënieve përjetuan pasojat tragjike të izolimit, atëherë kuptuan shumë më mirë dëmin e madh që i solli vendit sjellja kryeneçe e udhëheqjes komuniste të Tiranës. Pas divorcit me Kinën, për shqiptarët filloi një kalvar i vërtetë vuajtjesh e privacionesh, si rezultat i krizës së izolimit dhe mbylljes hermetike në raport me botën që na rrethonte. Është një histori e dhembshme, një tragjedi e njëkohësisht një komedi e absurditetit të llojit tonë. “Për këtë arsye jam i bindur se, unë si autor dhe ju si lexues, pra të gjithë ne, do të pajtohemi me faktin se pasojat e politikës së gabuar të diktaturës komuniste në Shqipëri në marrëdhëniet e saj me Republikën Popullore të Kinës i vuajtëm me dhembje të mëdha për ekonominë dhe zhvillimin e vendit”, shprehet Bytyçi.

 

librat-1
librat2
librat3

Arta Peraj

“Fishta në tri botë femërore”

Botimet: “Fiorentina”

… Në letërsinë tonë ishin të njohura gjithashtu imazhet e gruas engjëll, e gruas viktimë, dhe në mënyrë më të kufizuar edhe të gruas luftëtare. Natyrisht që Fishta i njihte tërë këto modele. E veçanta e figurave të grave që ai krijoi është se ato janë modele të ndryshme nga ato të romantizmit. Tringa, Silja dhe Jerina janë modele të jetës shqiptare, janë imazhe vajzërore shqiptare që kishte krijuar poezia popullore. Këto tri figura, që për mendimin tim përbëjnë elitën e të gjitha figurave të tjera femra që ai pikturoi, janë mishërim i idealit të tij për gruan shqiptare, pavarësisht se ai asnjëherë nuk e trajtoi atë në planin erotik apo amësor, sikurse bëri N.Mjeda. Ndoshta nisur nga zhguni që mbante mbi supe apo nga shëmbëlltyra e Virgjëreshës Mari, të tria këto figura (Tringa, Silja, Jerina) janë figura virgjëreshash, duke personifikuar në këtë mënyrë dëlirësinë e femrës dhe virtytet e saj …”, shkëputur nga libri.

 

Sophie Kinsella

“Mbretëresha e shtëpisë”

Përktheu: Mira Kroqi

Botimet: “Dituria”

Mbretëresha e shtëpisë … Historia e një vajze që ka nevojë të pushojë. Të gjejë veten. Të dashurohet. Dhe të mësojë si hekuroset … Sophie Kinsella (Madeleine Wickham) është autorja që në shtator të vitit 2000 hyri në listën e bestsellerëve në Mbretërinë e Bashkuar, me romanin e saj të parë të serisë “E fiksuar pas dyqaneve  Heroina e librit, Beki Blumvud, një gazetare financiare e këndshme dhe gazmore, që vdes për të bërë pazar, por është e pashpresë sa u përket parave, bëri për vete zemrat e lexuesve në mbarë botën. Beki Blumvud erdhi në shqip me librin e parë të kësaj serie më 2007-n; qysh atëherë ajo është kthyer në autoren e dashur e të shumëpëlqyer edhe të mjaft lexuesve shqiptarë. Veç serisë “E fiksuar pas dyqaneve …” që i dha famë dhe popullaritet, Sophie Kinsella është autore edhe e pesë romanëve të tjerë në shqip, jashtë kësaj serie, të gjitha bestsellerë, një prej të cilave është “Mbretëresha e shtëpisë”.

 

 

 

Ky shkrim Librat e rinj u publikua me pare te Gazeta SHQIP.

Louis Aragon: Për Elsën  

$
0
0

Elsa-triolet-1925Sytë e tu janë aq të thellë sa duke u përkundur për të pirë / Pashë të gjithë diejt të vijnë të pasqyrohen / të hidheshin për të vdekur të gjithë të dëshpëruarit / Sytë e tu janë aq të thellë sa më humbin kujtesën… Louis Aragon i shkroi këto vargje në tryezën e punës së Elsës, teksa ajo nuk ndodhej në shtëpi. Elsës i pëlqente të shkruante në dhomën e gjumit. Kur Parisi jashtë zhytej në errësirë dhe trupi i një burri prehej në gjumin e thellë bri saj, ajo ngrihej dhe kalonte orë të tëra pranë makinës së shkrimit. Ajo, gruaja me sytë e mëdhenj e të zinj, e veshur me fustane nën gju, që pëlqente t’u ngjiste një lule, si për të treguar brishtësinë e saj.

Louis Aragon dhe Elsa Triolet, dy protagonistë të rëndësishëm të letërsisë franceze, u takuan për herë të parë në vitin 1928, rastësisht, në “La Coupole”, në bulevardin “Montparnasse”, kur një ditë më parë, Aragon kishte njohur Majakovskin.

Ata do të hynin në historinë e letërsisë jo vetëm si dy letrarë të mëdhenj, por dhe si dy dashnorë të mëdhenj të shekullit XX.

Përpara se të njihej me Elsën, Aragon kishte një lidhje të gjatë me Nancy Cunard, lidhje e cila u prish për shkak të varësisë që Nancy kishte nga alkooli. Elsa ishte diçka tjetër në jetën e tij. Ai e ndjeu kur për herë të parë u ul me të në një nga kafenetë e Parisit. Duart e saj, vështrimi, u ngjasonin poezive që ai shkruante. Një burrë shkruan në vargje përfytyrimin e tij dhe Elsa dukej sikur kishte dalë nga ky përfytyrim. Lidhja e dashurisë mes Louis Aragon dhe Elsa Triolet do të befasonte të gjithë ata që mendonin se çifti nuk do të mund t’i shpëtonte ndarjes, për shkak të temperamenteve të ndryshme që kishin. Ata do të jetonin bashkë 42 vjet, duke influencuar në letërsinë e njëri-tjetrit. Butësia e stilit të Elsës ndihet në letërsinë që Aragon shkroi pas lidhjes me të.

Një ëndërrimtare e madhe, Elsa dukej sikur kishte dalë nga librat e klasikëve francezë. “Ëndërrimtari i vërtetë është ai që ëndërron të pamundurën”, do të shprehej ajo. Në jetën e saj, Triolet e takonte të pamundurën. E njohur si shkrimtarja e romancave, Triolet krijoi në libra ëndrrat e saj. Gratë që ajo përshkruan janë ëndërrimtare të pandreqshme dhe besojnë deri në fund tek ajo që dëshirojnë. Ashtu si gruaja te “Luna Park, letra dashurie”, e cila besonte se diku në hapësirë ekzistonte vërtet planeti i dashurisë, “Luna parku” i saj. Në shqip ajo është e njohur me librin “Trëndafili me kredi”. Por Triolet nuk ishte vetëm një shkrimtare që i pëlqente të shkruante romanca, por dhe një grua e angazhuar në jetën politike franceze. Shumë herët ajo përfaqësoi idetë e majta, duke u bërë pjesë e Partisë Komuniste.

Triolet do të ndikonte në pikëpamjet politike të Aragon duke e bërë të besonte te Partia Komuniste franceze. Dhe pse bindjet e tyre politike do të tronditeshin më vonë me zhvillimet që mori kjo forcë në Francë, ata deri në fund mbetën besnikë të idealeve që besuan. Në librat që shkruan ata nuk ngurruan të thoshin të vërtetën, pavarësisht ideologjisë. Ata e thanë të vërtetën, pa pasur turp për atë që kishin shkruar më parë, veçanërisht në kohërat e turbullta kur pushtetet kërkojnë të përfitojnë e të mbahen në kurriz të idealeve dhe të utopisë.
Pas Luftës së Dytë Botërore, Paul Eluard, Louis Aragon, André Malraux, André Gide, ishin ndër autorët më në zë të letërsisë franceze dhe që të katër me një shpresë për të ardhmen e proletariatit botëror. Por shpejt, shpresat e tyre do të veniteshin dhe bindjet do të ndryshonin. Që në librin e saj “Takimi i të huajve” më 1956-n, Elsa Triolet shkruante në atë kohë për klimën e urrejtjes e të frikës në radhët e komunistëve francezë. Proceset politike në Bashkimin Sovjetik dhe në gjithë Lindjen e Europës linin gjurmë në shpirtrat e tyre, ashtu siç do të linte gjurmë vrasja e Gorkit me urdhër të Stalinit. Gorki ishte tmerruar nga proceset kundër intelektualëve, madje kishte kërcënuar se do të fliste. Ai donte të shkonte në Itali, por shpejt atë e helmuan dhe bashkë me të u zhdukën nga kjo botë dhe ata që qëndronin rreth tij, mjeku i tij, sekretari dhe infermierët. Një vit më vonë, më 1957-n, në librin tjetër “Monumenti”, Elsa Triolet shkruan për historinë e një skulptori, të cilit i kërkojnë të bëjë një monument për Stalinin. Por në fund, ai e shikon se s’ka bërë asgjë me vlerë. Ai do ta shkatërrojë veprën e tij, por partia i bën presion dhe më së fundi e shtyjnë të marrë ca para dhe të pranojë. Të gjitha paratë ai vendos t’ua japë të verbërve që kurrë s’do ta shohin atë vepër, derisa më në fund ai vret veten… Ishte një histori reale që kishte ndodhur vite më parë në Pragë. Triolet nuk donte të heshtte ndaj asaj çfarë po ndodhte me komunizmin në Lindje.

Në vitin 1959, Elsa ishte 60 vjeçe. Ajo nuk donte që ata të heshtnin për atë çka ndodhte në Lindje, si dhe në gjirin e komunistëve francezë. Në një letër, ajo i shkruante Aragonit, të dashurit të saj: “Ti harron që ne jetojmë në epilogun e jetës sonë dhe se pastaj s’ka asgjë për të thënë… por të tjerët më pas do t’i thonë ato…” Ajo ishte tronditur nga proceset politike që vazhdonin në Bashkimin Sovjetik dhe të vërtetat mbi atë çka ndodhte dhe për jetën në gulagët e Siberisë, ku mbylleshin e vdisnin të burgosurit politikë, mes të cilëve shumë intelektualë. Ajo ndiente tashmë një frymë antisemitizmi tek udhëheqësit e Bashkimit Sovjetik. Por dhe nga udhëheqësit komunistë francezë ajo e ndiente që atë e shikonin me sy jo të mirë dhe se ajo po e shtynte Aragonin t’i largohej partisë së tij: “Ishte e lodhshme të shikoja që partia e burrit tim, shkruante ajo, të më shikonte si një të huaj. Për “idiotët” e Partisë Komuniste franceze, a nuk isha në fund të fundit një ruse, në mos një ‘ruse e bardhë’ dhe për më tepër një emigrante çifute e kundërvënie ndaj Bashkimit Sovjetik?” … Po, dhe Aragon ishte i një mendimi me të, jo thjesht se Elsa ishte dashuria e tij më e madhe, por dhe pse ai po e kuptonte se ideja e marksizmit po degjeneronte, se stalinizmi po triumfonte përsëri në Bashkimin Sovjetik. Ishte Elsa ajo që do ta shtynte Aragonin të mbronte Boris Pastërnakun pas botimit të romanit “Doktor Zhivago”. Angazhimi i tyre ishte përtej librave. Kur Elsa mbylli sytë përgjithmonë në vitin 1970, për Aragon tashmë kishte ardhur errësira. Ai nuk e pranoi asnjëherë ikjen e saj. Për vite me radhë ai nuk preku asgjë të saj, as rrobat, as librat asgjë. Do të duhej kohë deri sa ai të kthehej sërish kafeneve dhe rrugëve të Parisit. Mbrëmjet e tij më pas, ishin një rikthim në të shkuarën që kaloi me të, për ta përshkruar në librat që shkroi.

 

Ky shkrim Louis Aragon: Për Elsën   u publikua me pare te Gazeta SHQIP.

Të mos e tradhtosh pikturën

$
0
0

Adrian Çene/ Artisti vjen për herë të parë me një ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Arteve. Pesë tablo nudo mes 70 punimeve që sjellin një dimension tjetër të artistit 

Ardian CeneÇene është një prej artistëve modernë shqiptarë, i cili jeton dhe krijon në mjedisin artistik të Tiranës. Krijimtaria e tij ka kaluar përmes përshtatjes së kërkimeve individuale në botën e pafund të trajtesave që arti i ditëve të sotme i sugjeron çdo artisti. E rëndësishme është se kërkimet e tij nuk kanë reshtur, madje përmes tyre zbulohen kalime të guximshme, që për një piktor janë shpeshherë ballë rreziqeve të paparashikueshme, të cilat marrin emrin e thjeshtë “Imitim”

 

Një nudo është gjithnjë e bukur. Gruaja e ulur në karrige me duart e vendosura shkujdesur në këmbët e hapura nuk është vetëm sensuale. Në trupin e saj të zhveshur e ndien me një vështrim shqetësimin brenda saj. Të njëjtën ndjesi të jep dhe tabloja tjetër, ku një nudo e shtrirë në shtratin me mbulesë të kuqe me pika, kërkon të joshë me mënyrën e qëndrimit. Në fytyrën ku artisti i ka fshehur tiparet është misteri i saj. Një nudo mund të flasë me shumë gjuhë dhe mbart po aq të fshehta sa një trup i veshur. Prej shekujsh, piktorët vijojnë ta shohin nudon si përkryerjen e madhe të artit. Duket si një pikë takimi me të vërtetën, kur ajo shfaqet sa e qartë aq dhe e mjegullt. Adrian Çene i është rikthyer nudos shpesh në punët e tij. Jo vetëm si një tërheqje ndaj së bukurës, por dhe si një sfidë e një artisti që kërkon të hulumtojë stilin e tij, për të gjetur përkryerjen. Janë 5 tablo nudo mes 70 punimeve që ai ka zgjedhur për t’i prezantuar në ekspozitën e tij të parë personale që do të hapë më 6 gusht në Galerinë Kombëtare të Arteve. Nën titullin “Manipulation”, ekspozita sjell një dimension tjetër të artistit, tashmë më të rritur në rrugëtimin drejt artit. I zhytur në një lojë estetike, ai manipulon imazhet, duke i formësuar në një formë tjetër. Një lojë që të kujton realitetin e përditshëm ku tjetërsimi ndihet jo vetëm në marrëdhëniet njerëzore. E ndërsa gjithçka nisi si lojë, më pas u bë një domosdoshmëri e riformësimit të imazheve të veta përmes manipulimit mbi një imazh krejt të varfër, siç është fotografia konsumiste mediatike. “Ajo është një figurë me informacion shpeshherë të rremë dhe kjo bën që destinacioni i saj i fundit të jetë përdorimi njëherësh dhe hedhja tutje. Riciklimi i saj u bë bazamenti fillestar i përpunimeve të Adrian Çenes, i cili ndjeu se duke manipuluar imazhe të tilla përmes pikturimit dhe veçimit të detajit, që e ngacmonte më shumë, krijonte një realitet të ri, të ndryshëm nga piktura me vaj, por të afërt me procesin dhe lojën e tij foviste të ushtruar vite me radhë. Në këtë proces ai e çrregullon imazhin ekzistues dhe ia ndryshon informacionin fillestar, por nuk ia humb zanafillën apo imazhin e memorizuar”, shkruan për ekspozitën studiuesja Suzana Varvarica. Me shpejtësi, imazhet e manipuluara, të reja në vizion dhe të formësuara në detaj të Çenes, të afrojnë me fenomenin e kënaqësive të dyshimta të njeriut mbi botën e sendeve, mbi vetë botën njerëzore dhe mbi tipologjinë e ndërtimit të banesës ku jeton. “Në brendësi të këtyre botëve lëviz me shpejtësi mendimi i banorit për ndryshim të pamjeve të tyre, duke mos e përfillur as memorien e hershme, as atë më të renë. Ndryshimet e shpejta të imazheve të tyre janë konsumi më absurd dhe burim i kënaqësive të dyshimta, të cilat qenia njerëzore është e destinuar t’i harrojë”, shkruan Varvarica. Prej 20 vitesh Çene është një artist që vepron në skenën e artit në vend. Piktura është forma përmes së cilës ai ka dashur të shprehet. Nga tablotë që na zhysin në natyrë, tek ato shpesh abstraksioniste apo portrete që duken sikur janë një vizatim psikologjik i personazhit, Çene ka treguar se është një eksplorues i botës njerëzore. Dhe në tablotë më abstraksioniste ai ka treguar se është sentimental. Këtë e ndien teksa sheh dhe trupat pa fytyrë të personazheve që ka zgjedhur në këtë ekspozitë. Stili i tij shprehës ndihet nga një tablo në tjetrën, si një piktor që kërkon të shohë në thellësi. Ndoshta se ai vazhdon të jetë një artist që beson te piktura dhe nuk e ka tradhtuar atë. Pavarësisht tendencave që ka sot video-arti, fotografia, apo instilacionet si forma tepër të kërkuara artistike që japin një impakt më të shpejtë, Çene beson në ecjen e ngadaltë, por të bukur, të pikturës. Piktura është sfida e tij, një sfidë që e ka dashuruar që kur herët zbuloi forcën e ngjyrave. Një sfidë që e ka rritur artistikisht, teksa sheh punët e kësaj ekspozite. Por çfarë ka ndryshuar me artin e tij ndër vite? “Tashmë e shoh veten gjithnjë e më tepër drejt së vërtetës artistike. Edhe nëse dështoj në një tablo, të paktën kam qenë në kërkim të së vërtetës”, thotë ai. Çene nuk beson tek arti i angazhuar. Imazhi i artistit që ai ka në mendje, të çon në përfytyrim te një piktor që kalon orë të tëra në studio, deri në gjetjen e perfeksionit artistik. Kjo është mënyra sesi ai ka ndërtuar ditë pas dite punën e tij, duke u marrë me një tablo gjatë, deri sa ajo të marrë formën e përfytyrimit që ai ka në mendje. Një përfytyrim që shpesh mund ta lërë me muaj të tërë një tablo të papërfunduar, dhe ndodh që merr formë në një çast. “Më intereson loja që krijon ngjyra me imazhin”, thotë ai teksa mundohet të shpjegojë procesin e një pune. Për Varvaricën, Çene është një prej artistëve modernë shqiptarë, i cili jeton dhe krijon në mjedisin artistik të Tiranës. Krijimtaria e tij ka kaluar përmes përshtatjes së kërkimeve individuale në botën e pafund të trajtesave që arti i ditëve të sotme i sugjeron çdo artisti. “E rëndësishme është se kërkimet e tij nuk kanë reshtur, madje përmes tyre zbulohen kalime të guximshme, që për një piktor janë shpeshherë ballë rreziqeve të paparashikueshme, të cilat marrin emrin e thjeshtë ‘Imitim’”, shkruan ajo. Çene u dallua në rreth 20 vite të rrugëtimit të tij të parë, për një pikturë ku dominoi ekspresiviteti figurativ i sendeve të abstraguara, kontrasti në marrëdhëniet e ngjyrave dhe përdorimi i një linje të plotë vizatuese. Ai krijoi një gjuhë vizuale përmes ngjyrave, të cilat janë pushtueset e para të telajos së tij. Ai pikturoi me gjallëri dhe promotori i tij emocional krijoi sipërfaqe me ndjesi të forta foviste, ku detaji natyror abstragohej dhe shfaqej prej ushtrimit të një peneli me presion ekspresiv. Në ekspozitën që do të hapë më 6 gusht në Galerinë e Arteve, ai prezanton 70 punime në teknikën tempera-akrilik, mbi letër dhe akuarel mbi letër. Kjo ekspozitë është prezantimi i tij i parë në Galerinë Kombëtare të Arteve, pas ekspozitave që ka hapur në Europë apo galeri të tjera private në kryeqytet.

Ky shkrim Të mos e tradhtosh pikturën u publikua me pare te Gazeta SHQIP.

In memoriam – ing. Nikolla Xharo

$
0
0

Nikolla XharoBefasisht, pas një agonie dyditore, u nda nga jeta një ndër ndihmëtarët më të mëdhenj të zhvillimit dhe përhapjes së pasionit të koleksionimit e ruajtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore në vendin tonë, kryetari i Shoqatës së Koleksionistëve të Shqipërisë, i ndjeri Nikolla Xharo. Ai ishte nga ata të paktët e shumë të rrallët koleksionistë të mirëformuar e me veprimtari që shfaqej dukshëm në dijet dhe vlerat që ruante në artin e koleksionimit në filateli, në numizmatikë dhe faleristikë. Niko njihej në mjedisin e koleksionistëve si mishërimi i mirësisë, mirëkuptimit e tolerancës dhe ndarja e parakohshme e tij nga jeta ka lënë në dëshpërim pjesëtarë të familjes, të afërm e miq të koleksionimit. Lindur në Boboshticë në nëntor të vitit 1946, i arsimuar në inxhinieri elektronike, Nikolla Xharo, krahas punës, iu përkushtua fillimisht pasionit të filatelisë. Shumë shpejt, sidomos pas viteve ’80, ai u bë një nga ata specialistë njohës që me veprimtarinë dhe praninë e tij ndikoi së tepërmi në zhvillimin e hobit të koleksionimeve. Prania e Nikos në mjedisin e koleksionistëve ishte me shumë ndikim në formimin e një aradhe të rinjsh plot dëshirë e pasion. Me mirësinë e tij të jashtëzakonshme, ai u pa tërë kohën të ndihmonte, dhuronte ose jepte pothuaj falas pulla poste për të rinjtë në formim, me synim për t’ua futur atë në gjak. Me miqtë e tij të pasionit të koleksionimit, Vasil Xhitomi, Ferik Ferra dhe Artan Lame, u bë e mundur që të bëjnë funksionale një kioskë-dyqan, e cila brenda pak kohe u shndërrua në një “seli”, në pikë referimi takimesh, shkëmbimesh filatelike e numizmatike. Nga kioska e Nikos mori rrugë numizmatika shqiptare, e cila deri në vitin 1994 nuk ekzistonte. Ai u shfaq bindshëm në koleksionet e tij që në vitin 1996, kohë kur mori pjesë në konkurrimet ndërkombëtare të filatelisë me klasën Kartamaximum, “Kostumet në pullat postare të Shqipërisë”. Nuk do të vononte, që pak vite më pas, me shtrirjen dhe formimin e koleksioneve në klasat “Histori Postare” dhe “Filateli Tradicionale” të merrte vlerësime sipërore me fitimin e medaljeve argjend e Vermeil në konkurrimet e Luoyang – Kinë, Romë, Anversë – Belgjikë, Maribor – Slloveni, Sofje dhe para dy muajsh në Paris.

Nikolla XharoPoetesha dhe koleksionistja e talentuar, Luljeta Dano, tregon se ende nuk e kish idenë e xhubletës, kur te zyra e Nikos i tërhoqën vëmendjen dy të tilla. Ishte këmbëngulja e Nikos, pasi pa mahnitjen e saj në dizajnin dhe format e veshjes, që ajo t’i merrte; ishte përpos se fillimi i një ecurie të pazakontë të kësaj zonje, që nuk vonoi me nxitjen e Nikos, ta shndërronte veten në zotëruesen e koleksionit më të njohur të trashëgimisë kulturore të shpalosur në fushën e etnografisë, padiskutueshmërisht si vegimtare në llojin e koleksionit dhe shpirtin e thellë të njohurive historike të veshjes së spikatur të shqiptarisë femërore. Në statusin e saj ajo shkruante: Faleminderit Niko! Kush e ka njohur të ndjerin edhe si kryetar i Rotary Club, ishte në gjendje të prekte dhe kuptonte natyrën e tij, të një shpirti demokrat të formuar në botëkuptim si filantrop. Niko kulmonte me natyrën e qeshur në aftësinë për të mbajtur të bashkuar një grup heterogjen koleksionistësh, ku secili prej tyre ishte i ndryshëm në pëlqimet dhe jetën e trazuar politike shqiptare. Pavarësisht nga bindjet e tyre, Nikua gjente gjithnjë argumente për t’i mbajtur rreth shoqatës të bashkuar, sepse, me paqen që shpërndante, me natyrën tërë kohën të gëzueshme dhe shpirtin e tij të pastër llagar, ua bëri më të pranueshëm dëshirën për koleksionim. Ai ishte rrënja e të gjitha marrëdhënieve në shtresën e kufizuar shoqërore, por elitare, të koleksionistëve. Edhe praninë e tij si drejtor i revistës “Koleksionisti” e kish vënë në shërbim të këtij qëllimi, dije profesionale e shkencore për të gjithë, në shkëputje nga komente e dallime politike.

Për dijet, njohuritë, koleksionet dhe përvojën e gjatë, Nikolla Xharo ishte anëtar i Komisionit Shtetëror të Pullës Postare dhe anëtar i Komisionit Qendror të Emetimit të Monedhës, pranë Bankës së Shqipërisë. Kolegët dhe dashamirësit e tij i shprehin familjes që humbi bashkëshortin dhe babanë shembullor, mirënjohjet më të thella për të ndjerin Nikolla Xharo. Humbja e një kolegu të tillë është shumë e dhembshme! Do të na mungojë fytyra përherë e qeshur, fryma pozitive dhe puna e madhe e plot dashuri për koleksionet, shoqëria gazmore dhe prania e tij. I përjetshëm qoftë kujtimi për të, që kurrë nuk do të vyshket!

 

Bajram Peçi

Ish-kryetar i Shoqatës së Koleksionistëve të Shqipërisë

Anëtar i Komisionit Shtetëror të Pullës Postare

 

Ky shkrim In memoriam – ing. Nikolla Xharo u publikua me pare te Gazeta SHQIP.

Gjirokastra: Qyteti që ndryshoi në 72 orë

$
0
0

“TRAKU-Fest” në Gjirokastër, një zinxhir i pandërprerë me 26 veprimtari, që shkundi përgjumjen e qytetit të gurtë, i cili pretendon të jetojë me të ardhura nga turizmi kulturor. Hapja e tunelit të Luftës së Ftohtë zgjoi kureshtjen e vizitorëve

Engjëll Serjani

Koncert ne Qafe te pazarit
Traku Te rinjte mesyjne kalane
Traku

Në harkun kohor të 72 orëve, një “tërmet” i pandërprerë kulturor me amplitudë shumëballëshe i quajtur “TRAKU-Fest”, lëkundi shpirtrat, gurët, muret dhe sokakët e gurtë të qytetit që qëndron hijerëndë nën “ombrellën” mbrojtëse të UNESCO-s, si një trashëgimi e rrallë kulturore botërore. Qytetit të njohur të eventeve, festivaleve dhe panaireve, iu shtua edhe një festival tjetër “TRAKU-Fest” ose ndryshe Festivali i Trashëgimisë Kulturore, një risi që synon njëkohësisht kontaktin dhe njohjen e breznive të reja me trashëgiminë e rrallë të qytetin muze të Gjirokastrës dhe mundësi të shumta argëtimi për moshat e reja. “TRAKU-Fest”, që nisi mëngjesin e 31 korrikut dhe përfundoi në agim të datës 3 gusht 2014 në Gjirokastër, ishte një zinxhir i pandërprerë me 26 veprimtari të realizuara ditën dhe natën, nën dhe, mbi tokë, mbi kështjellë dhe në qiell. Ishte një event i panjohur më parë, që jo vetëm tërhoqi një masë të jashtëzakonshme të rinjsh dhe të rejash nga Jugu dhe gjithë Shqipëria, por ajo shkundi fort përgjumjen dhe plogështinë e qytetit të gurtë që pretendon të jetojë me të ardhura nga turizmi kulturor. Kjo veprimtari ofroi një numër shumë të madh aktivitetesh për çdo moshë, të shtrirë në tri ditë, duke u dhënë mundësi për të bërë zgjedhjen e dëshiruar midis konferencave shkencore akademike, festimeve dhe muzikës tradicionale, vizitave të organizuara në monument dhe site arkeologjike, filmave dokumentarë me tematikë trashëgiminë kulturore, fjetjen në një banesë 300 – 400-vjeçare, koncerte me grupet më të njohura të rajonit dhe vendit, ushqimet tradicionale, udhëtimit në histori, nën tokë, mbi tokë dhe në qiell. “Një lumë aktivitetesh paralele që të vështirësonin seriozisht zgjedhjen”, thotë studentja e studimeve master në UET, Kejsi Rizo, e cila ka mbërritur në Gjirokastër nga Tirana së bashku me vëllain e saj gjimnazist dhe me një grup bashkëmoshatarësh. “Festivali i Trashëgimisë Kulturore organizohet për herë të parë në Gjirokastër dhe përbën një nga risitë që ka ideuar dhe organizuar Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, me mbështetjen e bankës ‘Credins’”, thotë Maria Myridinas, një nga organizatoret më aktive e stafit të veshur me bluza të bardha, mbi të cilat është stampuar logoja “TRAKU–Fest”. Pjesë e këtij stafi rinor është edhe Ajola Xoxa. “Gjirokastra, që për mua është një gur i shndritshëm diamanti në të shkuarën historike dhe të tashmen, e meriton një respekt të përjetshëm dhe kjo veprimtari, që mua më mahniti për pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të moshave të reja, pa asnjë dyshim që është shumë pak. Për këtë qytet duhet bërë shumë më shumë se kaq”, thotë Xoxe. Pjesë e pandarë e stafit organizator ishte edhe stafi i bashkisë së qytetit, punonjësit e komisariatit dhe Drejtorisë së Policisë të Qarkut, përfaqësuesit e fondacionit “Gjirokastra” dhe Shoqatës së Artizanatit, tregtarët e zonës historike të Qafës së Pazarit, punonjësit e muzeve dhe institucioneve të tjera, vetë rinia e qytetit dhe banorët bujarë e mikpritës gjirokastritë. “TRAKU–Fest” është një festival, i cili qysh në startin e tij dëshmoi për një kontribut të vyer në promovimin e vlerave tona të trashëgimisë, duke ofruar një numër shumë të madh aktivitetesh tërheqëse të shtrira në tri ditë dhe kjo na nxit për të thelluar bashkëpunimin me këtë grup të rinjsh me ide dhe pasion”, thotë kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime.

Në shtëpitë monumentale të Skëndulatëve dhe Zekatëve

Dy nga banesat më të spikatura të arkitekturës tradicionale gjirokastrite, banesat Monument Kulture të Kategorisë së Parë, Skëndulatët dhe Zekatët, gjatë ditëve të festivalit u kthyen në panele të shkencës, ku emra të njohur, si studiues të historisë, arkitekturës, etnografisë letërsisë, arkeologjisë, si: Afrim Karagjozi, Artan Lame, Artan Shkreli, Linda Spahiu, Arben Xoxa, Irakli Koçollari etj., mbajtën kumtesa dhe debatuan për probleme të historisë dhe trashëgimisë kulturore të Gjirokastrës dhe rajonit të Jugut nga antikiteti deri në ditët tona. Prof. Astrit Karagjozi solli para auditorit të gjerë të dhëna të reja dhe vlerësime të papublikuara më parë për qytetin e Gjirokastrës të autorëve të ndryshëm, si: Evlia Çelebiu, Lord Bajroni, Martin Lik, Henri Hollad, Eduart Lir, Pukëvil etj. Ndërsa studiuesi Irakli Koçollari, në ligjëratën e tij, u ndal në disa të dhëna të reja arkivore për jetën dhe veprimtarinë e Ali Pashë Tepelenës. Artan Lame solli para auditorit të “TRAKU-Shkencor” disa harta dhe interpretime për zhvillimet e Luftës së Parë Botërore në territoret e banuara nga popullsia shqiptare. Problematika e ruajtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore në arkitekturë dhe etnografi, si dhe disa fakte të reja shkencore mbi arkitekturën, zhvillimin, profilin e qytetit dhe vlerat etnografike u përcollën përmes ligjërimeve të studiuesit Artan Shkreli dhe mjekes pediatre Linda Spahiu, e pasionuar dhe e përkushtuar ndaj etnografisë.

Muret monumentale, ekrane të filmave për Gjirokastrën

Dy filma, dy dokumentarë dhe një film artistik që u shfaqën duke përdorur si ekran muret e shtëpive muzeore dhe karakteristike të Skëndulateve dhe Zakatëve në lagjen Palorto të Gjirokastrës, tërhoqën interesimin e pjesëmarrësve. Fillimisht u ndoq një film dokumentar për Gjirokastrën, me skenar të gazetarit të talentuar të “Top Channel”, Marin Mema, me emisionin “Shqipëria tjetër” dhe operatorit Ardian Marku. Ky film dokumentar premierë, nëpërmjet pamjeve filmike, fakteve, dëshmive gojore, dokumenteve historike dhe këndvështrimeve origjinale të autorit Marin Mema, solli para publikut “Gjirokastrën tjetër”, një qytet të rizbuluar, sidomos në disa aspekte, të cilat kërkojnë rivlerësim nga të gjithë. Ndërkaq, mbas seksionit shkencor mbi historinë e Jugut të Shqipërisë, nga antikiteti në ditët tona, që do të zhvillohej në oborrin e shtëpisë së vjetër të Zekatëve, për të pranishmit u shfaq dokumentari i hershëm i kineastit Gëzim Erebara, filmuar nga Dhimitër Anagnosti me skenar të Ismail Kadaresë. Ky dokumentar, i realizuar rreth 30 vjet më parë, u pëlqye dhe u duartrokit gjatë nga të pranishmit për emocionet e thella që ngjallën përshkrimet e shkrimtarit Ismail Kadare për qytetin e lindjes, kamerën magjike të Dh. Anagnostit, si dhe për imazhin dhe gjuhën realiste filmike të G. Erebarës. Pjesë e programit dhe me interes për vizitorët ishte edhe ekspozita fotografike e studiuesit Artan Shkreli “Vizione të përthyera të Luftës së Madhe”, e cila u çel dhe qëndroi e hapur gjatë të gjitha ditëve në ish-kafe “Festivali”, në hyrje të Qafës së Pazarit të Vjetër të qytetit.

Vizitë në tunelin antibërthamor të Luftës së Ftohtë

Befasi dhe interes të jashtëzakonshëm treguan pjesëmarrësit e rinj në ditët e festivalit “TRAKU-Fest” për tunelin e ndërtuar gjatë Luftës së Ftohtë në Gjirokastër, një labirint i vërtetë betoni ndërtuar në një hapësirë të madhe poshtë themeleve shekullore të kështjellës dhe shtëpive monumentale prej guri të Gjirokastrës. Ky qytet i nëndheshëm është ndërtuar rreth viteve ’80, dhe të paktën deri në fillim të viteve ‘90 mjediset e këtij tuneli kanë qenë të ndaluara për t’u parë më parë nga vizitorët. Tuneli, që ndryshe konsiderohet si vendstrehim antibërthamor, është ndërtuar në kulmin e Luftës së Ftohë, vite kur Shqipëria ishte e vetizoluar dhe kjo ngrehinë e fshehur nën dhé, dëshmi e ndjenjës paranojake të ish-regjimit komunist, është e përbërë nga 56 dhoma. Ekspertët e ndërtimit hamendësojnë se vlera e përgjithshme e këtij ndërtimi mund të shkojë deri në 80 milionë euro. “Nuk ka ndonjë vlerësim të saktë, por janë rreth 80 milionë euro që pothuajse flenë, ndaj kjo mund të jetë një mundësi për të tërhequr vizitorët. Interesi është shumë i madh, pasi ne e kemi testuar interesin e vizitorëve të huaj. Ne mendojmë të bëjmë punime restauruese. Konstatuam një interes të madh të të rinjve, ndaj jam i sigurt që një muze i tillë, kushtuar Luftës së Ftohtë, do të ndihmonte që gjeneratat e reja që nuk e kanë jetuar, të kuptojnë më mirë thelbin e Luftës së Ftohtë”, thotë Sadi Petrela, drejtuesi i fondacionit “Gjirokastra”, që gjatë gjithë ditëve të festivalit e vuri veten në rolin e një ciceroni për grupet e shumta të vizitorëve.

Kalaja dhe Pazari përjetojnë netët magjike me muzikë

Si kurrë ndonjëherë tjetër, në pesë rrugët që të çojnë në Qafë të Pazarit, skena e madhe e festivaleve folklorike kombëtare dhe të gjitha mjediset e kështjellës së lashtë “tundeshin si në një tërmet” nga muzika. Koncert live me grupet “OffChestra” dhe “FanfaraTirana”, elektrizuan publikun që mbushi mjediset nën pushtetin e tingujve muzikorë. Grupe të ardhura nga e gjithë Shqipëria dhe shumë të tjera të nisura që nga shtëpitë tradicionale gjirokastrite, përgjatë gjithë kohës, por sidomos në mbrëmje, patën rastin të shijojnë muzikë të të gjitha rrymave dhe ritmeve. “Traku muzikor solli një numër të madh artistësh dhe bandash muzikore, si: Hysni Zela, Blla Blla Blla, Retrovizorja & Elina Duni, grupi i njohur ‘Fanfara Tirana’, ‘Offchestra’, Dj Lura, grupi LYNX”, shprehet organizatorja Maria Myridinas. Ndërsa ministrja e Turizmit, Englantina Gjermeni, e pranishme gjatë këtyre ditëve në Gjirokastër, nënvizon se me këto ide dhe forma joshëse për rininë dhe vizitorët e huaj ne promovojmë një nga potencialet më të rëndësishme të turizmit kulturor dhe historik që kemi në Shqipëri.
Pjesë e festivalit u bënë edhe udhëtimet e organizuara në Teatrin e Adrianopolit dhe në qytetin antik të Antigonesë.

Ky shkrim Gjirokastra: Qyteti që ndryshoi në 72 orë u publikua me pare te Gazeta SHQIP.

13 librat që nuk duhen humbur

$
0
0

Rexhep Qosja/ Librat që do të zgjidhte në Bibliotekën e madhe të Botës/ Nga “Lulet e verës” së Naim Frashërit, tek Asdreni, Gjergj Fishta e deri te klasikët e letërsisë botërore si Dante Aligeri, Sofokliu apo Shekspir…

Rexhep QosjaÇdo njeri është i dhënë pas diçkaje dhe sa më e rëndësishme të jetë ajo “diçka”, sa më e madhe, aq më e çmuar është jeta e njeriut. Në Prishtinën e pas viteve ‘60, Rexhep Qosja, një i ri i ardhur nga Kelmendi, kishte zbuluar atë ndjesinë e pakrahasueshme që të japin librat. As ëndërrimet më të mëdha nuk mund të krahasoheshin me atë çfarë të ofronte leximi i një libri. Kur në vitet ‘70 la Prishtinën për të vijuar studimet në kryeqendrën e ish-Jugosllavisë, Beogradin, ai rrëmonte libraritë në çdo skutë të qytetit për të blerë libra. Biblioteka e madhe e Universitetit të Letërsisë në Beograd nga ku kanë dalë një kastë e tërë intelektualësh kosovarë, që do të orientonin me idetë dhe projektin e tyre atë çfarë sot Kosova jeton, pavarësinë e saj, do të ishte për Qosen një parajsë e vogël, nga ku nuk donte të dilte.

Librat do të mbrehnin dalëngadalë kritikun brenda tij, dhe do të krijonin letrarin modern, të një vendi me të cilin kishte gabuar historia. Që në fillimet e tij, teksa fliste për rolin e kritikës, ai do të shprehej se “realizmi socialist nuk është as realizëm, sepse është romantizëm”. E këtë romantizëm, Qose do ta kishte për atdheun. Që nga “Vdekja më vjen prej syve të tillë” e gjithë korpusi i veprave të tij kanë brenda fatin e intelektualit. Nuk mund të kishte një kah tjetër gjithë letërsia e studimi i tij, teksa rritej bashkë me ato çfarë jetonte Kosova. Duket sikur atdheu është letërsia e Qoses. Një atdhe gjithnjë i shqetësuar dhe pse autori do ta shohë si romantik në trishtimin e tij. Por cilët kanë qenë librat që tronditën botën e Qoses, ata që i dhanë një kah tjetër jetës së tij? Cilët janë për të librat që nuk duhen humbur pa lexuar në Bibliotekën e madhe të Botës? “Psalme murgu”, vëllimi poetik që Asdreni e shkroi më 1930, ku ndiheshin tonet pesimiste pas revolucionit të qershorit, është një libër i dashur për Qosen, që nuk do të donte ta humbte. Rexhep Qose është një nga njohësit më të mirë të letërsisë së Asdrenit. Me jetën dhe veprën e tij ai mori titullin “Doktor i shkencave filologjike” në vitin 1971. Vargjet tek “Psalme murgu” janë të trishta , ashtu si koha në të cilën janë shkruar. Për një shkrimtar që beson te tragjizmi i fatit, “Edipi Mbret” i Sofokliut është një vepër e cila nuk ka si t’i mungojë librave që s’duhen humbur. Fati i Edipit i cili dashuroi të ëmën dhe u martua me të, është ironia e madhe e jetës, e cila vijon që t’i flasë ende shekullit XXI, si të ishte shekulli V kur Sofokliu e krijoi. E duke u ndalur te klasikët, Dante Aligeri është një tjetër autor ku Qose do të ndalet. “Komedia Hyjnore”, ku në një udhëtim imagjinar që zgjat vetëm tri ditë mund të takosh tre botë, parajsën, ferrin dhe purgatorin është ndoshta një nga librat që i flet moralit njerëzor. Është vështirë të ritregohet me disa fjalë subjekti i tërësishëm i Komedisë, në fakt, temat janë të ndryshme dhe ndërrojnë shumë herë. Elementet bashkuese janë prania e përhershme dhe e qëndrueshme e disa protagonistëve dhe tema e udhëtimit, i cili mund të shihet po ashtu si një ndryshim moral e fetar i personazheve. Protagonistët e këtij udhëtimi janë tre: I pari është Dantja, simbol i shpirtit njerëzor, i dyti është Virgjili, simbol i arsyes njerëzore, udhëheqës i tij nëpër Ferr dhe Purgator, e treta është Beatriçja simbol i dashurisë hyjnore, e cila e udhëheq Danten nëpër rrugët e ngritjes shpirtërore, rrugë e cila përfundon në Parajsë. Dantja vepron si profet, që flet në interes të Zotit për gjithë njerëzinë. Udhëtimi i tij është një alegori për përparimin njerëzor në tokë dhe i përparimit të tij drejt Zotit (Zot në këtë rast nënkupton përsosmërinë drejt së cilës njeriu synon gjithë jetën). Aligeri e kërkon shpërthimin te Perëndia dhe te besimi i thellë në forcën krijuese të mendjes njerëzore. Poeti këtu paraqitet si një kritikues i pamëshirshëm, i zjarrtë dhe i pasionuar që sulet kundër veseve, për të luftuar të keqen, për të vendosur mbi tokë një jetë më të drejtë e më të lumtur.

E duket se klasikët janë një prehje e bukur për Qosen. Shekspiri, ai që e bëri të pavdekshme jo vetëm letërsinë angleze, është një tjetër autor që ai do ta rrëmbente nga libraria e madhe e botës, për ta vendosur në një cep me librat e zgjedhur të tij. Mes komedive dhe tragjedive të tij, ai do të zgjidhte Hamletin, si një mënyrë për të ndier madhështinë e tragjizmit. E në kohët kur shpirti duket sikur i është shitur djallit, Fausti i Gëtes do të ishte një libër si një pasqyrë për të kuptuar botën. Fausti ka lënë gjurmë tek Qose si beteja e vështirë mes njeriut dhe djallit, ku dalin në pah dobësitë dhe kurthet njerëzore. Dëshirat e pafundme të Faustit janë dëshira që gjithnjë na çojnë në kufirin e lehtë që na ndan nga gabimet.

Fausti është një rrëfim jo vetëm për njeriun e djeshëm por edhe për atë të sotëm. “Vëllezërit Karamazov” i Dostojevskit është një tjetër libër që Qose e veçon.

Libri ku copëtohen idetë mekanike të botës së brendshme të njeriut dhe kufijve, të cilin Qose nuk resht së rilexuari. “Kur shoh pas të kaluarën dhe mendoj se sa kohë humba me kotësira, e me gabime; se si e humba kohën time, pa ditur si të jetoj, e pa mundur ta çmoj kohën; kur mendoj se mëkatova ndaj vetes sime dhe shpirtit tim, atëherë zemra ime rënkon. Jeta, vëllai im, është një dhuratë, jeta është lumturi. Çdo minutë duhet të jetë një shekull lumturie. Tani, duke ndërruar mënyrën e jetesës, rilindem në një njeri të ri”, do t’i shkruante Dostojevski të vëllait, pasi e falën nga dënimi me vdekje. Një hap për t’u larguar nga vetmia, është të hapësh një libër të Dostojevskit. “Lulet e së keqes” shkruar nga Bodler, është një tjetër vëllim poetik të cilën Qose e veçon, si një manual për të mësuar të bashkëjetosh me të keqen. E keqja mund të mundet nëse ti jeton me të. Bodler mendonte se detyra e tij ishte të nxirrte të bukurën nga e keqja dhe këtë e dëshmon me këtë vepër. “Kujtimet nga ana tjetër e varrit” e Shatobrianit është një tjetër libër i vyer për Qosen. “Uliksi”, libri që i dha jetë prozës moderne, nuk ka si të mungojë në bibliotekën e një kritiku të mirë të letërsisë. Me këtë libër Xhojsi ndryshoi konceptin mbi romanin, dhe konsiderohet si një nga veprat më të rëndësishme të shekullit XX. Pak libra kanë arritur të depërtojnë në mënyrë kaq intime në thellësi të ndërgjegjes dhe kaosit të jetës moderne. Uliksi vërteton faktin se jeta e zakonshme shfaq një domethënie epike nëpërmjet fuqisë dhe gjenisë së një romancieri i cili i çkyq të fshehtat e tij dhe gjurmon modelet universale. “Zoti, jeta dhe vepra”, një libër i thellë psikologjik i Zhak D’Ormeson, është një tjetër libër që Qose e merr nga moria e pafund e librave të botuar ndër shekuj.

Udhëtimin e tij në letërsinë e huaj, Qose e mbyll me nobelistin Gabriel Garia Markez, i cili u nda nga jeta vetëm pak muaj më parë. “Njëqind vjet vetmi” nuk është vetëm ngritja dhe rënia e familjes Buendia dhe e fshatit Macondo, themeluar prej saj në zemrën e Kolumbisë, por një histori ku mund ta gjejë veten çdo njeri, dhe çdo vend. Realizmi magjik i Markezit ishte i bukur, pasi ishte real. Ashtu si Servantes, apo Dante Aligeri, apo librat e tragjedive greke, letërsia krijonte një frymëmarrje të lehtë që përhapej kudo tek ty, pikërisht se kishte lindur prej jetës. E teksa ka përfunduar udhëtimin në bibliotekën e botës, Qose kthehet sërish në Bibliotekën shqiptare për të marrë prej saj dy libra që nuk do kurrsesi t’i mungojnë librave që s’duhen humbur. Ato janë “Lulet e verës” së Naim Frashërit dhe “Lahuta e Malcis” e Gjergj Fishtës.

 

Librat që zgjedh Rexhep Qose 

- “Lulet e verës” Naim Frashëri

- “Psalme Murgu”, Asdreni

- “Lahuta e Malcis”, Gjergj Fishta

- “Edipi Mbret”, Sofokliu

-“ Komedia Hyjnore”, Dante Aligeri

- “Hamleti”, Shekspir

- “Fausti”, Gëte

- “Vëllezërit Karamazov”, Dostojevski

- “Kujtimet nga ana tjetër e varrit”, Shatobriani

- “Lulet e së keqes”, Bodler

- “Uliksi”, Xhejms Xhojs

- “Zoti jeta dhe vepra”, Zhan D’Ormeson

- “Njëqind vjet vetmi”, Gabriel Garsia Markez

Ky shkrim 13 librat që nuk duhen humbur u publikua me pare te Gazeta SHQIP.


Çene sjell “Manipulations” në GKA

$
0
0

Ekspozita

“Manipulations” quhet ekspozita e artistit Adrian Çene, e cila u hap dje në Galerinë Kombëtare të Arteve. Në ekspozitë do të paraqiten rreth 70 punime në teknikën tempera-akrilik mbi letër dhe akuarel mbi letër. Kjo është ekspozita e parë e piktorit në Galerinë Kombëtare të Arteve. Çene është një prej artistëve modernë shqiptarë (lindur më 1969-n) dhe është diplomuar për pikturë në Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1992. Ai jeton dhe punon në Tiranë. Krijimtaria e tij ka kaluar përmes përshtatjes së kërkimeve individuale në botën e pafund të trajtesave që arti i ditëve të sotme i sugjeron çdo artisti. Në këto 20 vite krijimtari, Çene është dalluar për një pikturë stilistike foviste, ku dominon ekspresiviteti figurativ i sendeve të abstraktuara, kontrasti në marrëdhëniet e ngjyrave dhe përdorimi i një linje të plotë vizatuese.
Disa kohë më parë, rreth vitit 2009, përmes vizatimit, Adrian Çene mbivendoste imazhin e tij të imagjinuar mbi një imazh të dhënë, konkret e të palëvizshëm fotografik. Fotografia mediatike dhe riciklimi i saj u bënë bazamenti fillestar i përpunimeve të Adrian Çenes, i cili ndjeu se duke manipuluar imazhe të tilla përmes pikturimit dhe veçimit të detajit, që e ngacmonte më shumë, krijonte një realitet të ri, të ndryshëm nga piktura me vaj, por të afërt me procesin dhe lojën e tij foviste të ushtruar vite me radhë. Në këtë proces ai e çrregullon imazhin ekzistues dhe ia ndryshon informacionin fillestar, por nuk ia humb zanafillën apo imazhin e memorizuar. Pikturat në këtë ekspozitë janë një imazh jo real, i abstraktuar përmes ngjyrave, të cilat vijnë me një gjuhë shumë më të qetë, janë më pak kontrastuese dhe anojnë drejt plotësisë dekorative.

Ky shkrim Çene sjell “Manipulations” në GKA u publikua me pare te Gazeta SHQIP.

Nesër nis edicioni i tretë i Festivalit Bashkëkohor të Artit

$
0
0

Art kontakt

Edicioni i tretë i Festivalit të Artit Bashkëkohor “Art Kontakt” hap siparin nesër për të vijuar dy ditë në Porto Palermo. Tema e këtij viti është quajtur “Uncharted”. Janë rreth 25 artistë pjesëmarrës, të cilët do të paraqesin punët e tyre në teknika të ndryshme si video-art, piktura, fotografi, performanca, instalacione etj. “Art Kontakt”, Festival 2014, do të jetë një pikë takimi i artistëve që do të vijnë nga Shqipëria dhe vende kryesisht të Ballkanit dhe Mesdheut. Qëllimi i këtij festivali është të sjellë në qendër të vëmendjes tendencat e artit bashkëkohor në Shqipëri dhe në nivel ndërkombëtar, zhvillimin e artit multidisiplinor, shkëmbimin e praktikave artistike midis artistëve dhe organizatave kulturore të rajonit, për të forcuar rrënjët e bashkekzistencës në rajonin tonë nëpërmjet artit dhe kulturës. Në larminë e aktiviteteve të këtij Festivali të Artit Bashkëkohor, do të ketë mjaft risi dhe prurje origjinale projektesh artistike, uorkshope dhe performanca. Një seksion i veçantë informativ do t’i dedikohet projektit të Adrifort. I përfshirë do të jetë edhe një projekt artistik, audiovizual i producentit muzikor Leonard Toma, i cili do të projektojë imazhe të fortifikimeve Adrifort, të shoqëruara me një përzierje të tingujve të muzikës elektronike me atë të traditës së vendeve të Adriatikut dhe Jonit. Përveç artit pamor, ky festival do të pasurohet me tingujt live të muzikës bashkëkohore eksperimentale, të Dj-ve të ardhur nga vendi dhe rajoni.

Ky shkrim Nesër nis edicioni i tretë i Festivalit Bashkëkohor të Artit u publikua me pare te Gazeta SHQIP.

Një ftesë për në ferr

$
0
0

Artistët Lume Blloshmi dhe Gjergj Prevazi ndërthurin pikturën me kërcimin në muret e Torrës Veneciane në Durrës, duke dhënë një shfaqje që befasoi vizitorët

Vali Qyrfyçi 

ftese per ne ferrQë nga lashtësia e deri në ditët tona, njerëzimi ka ecur nëpër një kalvar vuajtjesh që luftërat dhe dhuna sjell. Dy artistë të mirënjohur, piktorja Lumturi Blloshmi dhe koreografi Gjergj Prevazi, e kanë sjellë artistikisht këtë kalvar përmes imazheve artistike dhe dancit “Zarabanda – Ftesë në ferr”.

Gjergj Prevazi, koreograf, thotë për gazetën “Shqip”, se shfaqja premierë “Ftesë në ferr” u bën homazh vuajtjeve njerëzore, flet për kalvarin e vuajtjeve, dhembjeve të popujve që nga lashtësia deri në kohët moderne. Mjaft të kujtojmë Kosovën dhe atë që po ndodh sot në Lindjen e Mesme, në Gaza. Ka qenë një propozim i Lume Blloshmit para tre vjetësh që u materializua këtë verë. Është një përzierje e dancit me imazhin, imazhe që piktorja Blloshmi i ka vizatuar dhe projektuar më parë, por dhe në funksion të kësaj premiere. Lëvizjet koreografike të interpretuara nga Elton Cefa, Akreoma Saliu, Elona Zyberi, Robert Nuha, Rosella Pellicciotti, Glodian Imeraj, Rreze Qerreti dhe Evisa Lazri përcollën te publiku artistikisht intensitetin e vuajtjeve njerëzore dhe ferrit të krijuar mbi tokë nga vetë njerëzit, duke mbështetur imazhet e punimeve të artistes Blloshmi të realizuara në lëkura portokalli. Premiera që ndërthuri bukur artin e Blloshmit të projektuar në muret e Torrës Veneciane me koreografinë e Prevazit dhe lëvizjet e tetë kërcimtarëve, u mirëprit nga qytetarët durrsakë dhe pushuesit e shumtë që frekuentojnë qytetin në këtë sezon. Sipas Prevazit, “Ftesë në ferr” shënoi të parën dhe të fundmen shfaqje për këtë sezon, po në varësi të reagimit të artdashësve, publikut do të përcaktohet dhe kalendari artistik për të. Lume Blloshmi është një nga piktoret e rëndësishme bashkëkohore shqiptare. E lindur në Tiranë më 1944-n, pas studimeve të mesme në Atelienë e piktorit Guri Madhi për pikturë (1963), vazhdon Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë në degën e Pikturës nën drejtimin e pedagogëve: Ksenofon Dilo, Sali Shijaku, Danish Jukniu dhe mbron diplomën në vitin 1968. Më tej Blloshmi do të punojë si piktore dekoratore për shumë vjet në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor, Tiranë, në GKA, në Institutin e Monumenteve të Kulturës, ku dhe del në pension. Krijimtaria artistike e piktores Lumturi Blloshmi është mjaft e gjerë dhe e rëndësishme. Piktorja Blloshmi ka lëvruar gjinitë si peizazhin, natyrën e qetë dhe kompozimin dekorativ simbolik. Vepra piktorike e Lumturi Blloshmit është mjaft e gjerë dhe grupohet në disa periudha e cikle. Periudha e para viteve ‘90 (1968-‘90) karakterizohet nga realizime piktorike (kryesisht peizazhe), që dallohen nga një kolorit mjaft i fuqishëm, kompozime dinamike të veçanta e interesante. Sigurisht që periudha e dytë (pas viteve ‘90 e në vazhdim) ka një prodhimtari artistike më të gjerë, mjaft interesante, si në cilësitë artistike që ajo mbart, por edhe në variacionet e shprehjeve artistike. Mjetet shprehëse tashmë kanë një diapazon të gjerë, duke filluar në tablotë që realizohen nga natyra, nga veprat dekorative-simbolike e deri tek instalacionet e rezultatet artistike.

Nuk është hera e parë që Blloshmi kërkon të kthejë në art ngjarjet politike. Ajo ka ironizuar shpesh përmes tablove apo instilacioneve situata të ndryshme në vend.

Një vit më parë, ajo u prezantua për publikun me ekspozitën “Homazh për Damien Hirst” nën kurimin e Edi Hilës.

Ky shkrim Një ftesë për në ferr u publikua me pare te Gazeta SHQIP.

Kinemaja shqiptare prezantohet në “Montreal Film Festival”

$
0
0

Tre filmat konkurrues “Amsterdam Express”, “Amaneti” dhe “Heroi”, janë premiera të këtij viti në kinematografinë shqiptare

kinemaja shqiptare (1)
kinemaja shqiptare (2)
kinemaja shqiptare (3)
kinemaja shqiptare (4)

Tri prodhime kinematografike shqiptare do të prezantohen për herë të parë në “Montreal World Film Festival”, një nga eventet më të njohura për botën e kinemasë, një festival i kategorisë A. 400 filma nga 80 vende, mes të cilëve edhe Shqipëria, do të garojnë për çmimet e këtij festivali, i cili hap siparin më 21 gusht deri më 1 shtator. “Amsterdam Express”, filmi i regjisorit Fatmir Koçi, i cili disa muaj më parë pati premierën në Tiranë, është përzgjedhur në seksionin “Focus on world cinema”. Në këtë film, Koçi është bashkëskenarist me autorin Jonatan Preece. Në role kryesore interpretojnë aktorët Blerim Destani, James Biberi, Flonja Kodheli, Carolien Spoor, Natasha Goulden, Gert Ferra. Producentë janë Rozeta Feri dhe Blerim Destani. Filmi tregon historinë e një të riu shqiptar emigrant në Amsterdam, i cili është kapur mes rreziqeve dhe joshjeve të qytetit të pasur, kërcënimeve të trafikantëve të seksit e drogës, por dhe martesës me një vajzë holandeze. Ndërsa në vendin e tij të prapambetur e pret një dashuri e vërtetë. Është historia e Bekimit, 30 vjeç, i cili bën çdo gjë për të bërë para. Në të vërtetë ai kthehet duarbosh në vendin e tij, pasi ka dhënë paratë e fundit për të shpëtuar një vajzë me emrin Ana, nga dritaret në distriktin e Dritave të Kuqe. Historia zhvillohet në Tiranë dhe Amsterdam. Bekimi 30-vjeçar dhe fqinja e tij Marta, janë të dashuruar. Bekimi ka një ëndërr, të ndërtojë një shtëpi të re. Ai emigron në Amsterdam për të bërë para. Bekimi përfundon në një qendër emigrantësh ku takon Anën, një 20-vjeçare nga Europa Lindore, dhe Van Doom, një trafikant të njohur droge e seksi. Këtu e ardhmja e tij ndryshon… Premiera e filmit në Tiranë muaj më parë pati reagime të të dyja kaheve. Historia e trajtuar nga Koçi solli një debat mbi mënyrën sesi shqiptarët shihen nga të tjerët. Një tjetër prodhim shqiptar që do të shfaqet në ekranin e “Montreal World Film Festival” është dhe filmi “Amaneti”, me regji të Namik Ajazit, i cili është përzgjedhur në garën e madhe të “World Competition”. “Amaneti”, me skenar të Ruzhdi Pulahës, rrëfen historinë e një funksionari të lartë të Sigurimit, i cili pret fundin, ashtu si edhe ai ua ka përgatitur të tjerëve. Ngjarjet zhvendosen në vitin 1982. Është koha kur është eliminuar Mehmet Shehu dhe klani i tij. Sinopsi i filmit vërtitet rreth një djali që do të çojë në vend amanetin e të atit. Babai i beson një sekret që ta bëjë publik pas vdekjes së tij. Këtij të fundit, pasi ka qenë një nga personazhet kyçe që ka ndihmuar në eliminimin e të gjithë kundërshtarëve kryesorë brenda e jashtë partisë, i ka ardhur radha për t’u goditur. Të dy filmat, “Amsterdam Express” dhe “Amaneti” janë financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe nga bashkëprodhimet e huaja. Nga Kosova në këtë festival prezantohet filmi “Heroi” i regjisorit Luan Kryeziu, i cili ka pasur premierën në shkurtin e këtij viti në Prishtinë. Filmi trajton temën e luftës fillimisht, për të ardhur deri te lufta e pasluftës, nëpër të cilën kalon Shkambi, i njohur me nofkën Heroi, gjatë luftës së fundit në Kosovë. Regjisori Kryeziu e ndërtoi këtë film në mendje pas një ngjarjeje të vërtetë. “Fillimisht ishte ideja e përshkrimit të një fenomeni social, nga i cili dëshmohet se karakteri i njeriut transformohet varësisht nga rrethanat shoqërore. E duke u nisur nga ky fakt, na është dashur të gjejmë një shembull ideal të një individi me moral dhe të virtytshëm, i cili bie pre e rrethanave shoqërore, të cilat ndikojnë në ndryshimet e jetës së tij. Pas disa ditëve dëgjova që një ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishte bërë vetëvrasje në Ferizaj, dhe kjo si pasojë e kushteve të mjerueshme. Dhe pikërisht këtu nisi gjithçka për fabulën e filmit tim”, do të shprehej ai. Të tre filmat që prezantohen në Montreal janë premierat më të fundit në prurjet e kinematografisë shqiptare. Temat që tre filmat pasqyrojnë janë një rrëfim mbi realitetin shqiptar, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Ndërsa Ajazi rimerr të shkuarën për ta ndërtuar në kontekstin e së tashmes, Koçi merr të tashmen, e cila është e tillë prej së shkuarës. Filmi i regjisorit Kryeziu është një rrëfim i trishtë për atë çfarë ka ndodhur pas luftës me ish-ushtarët e UÇK-së. Ky është edicioni i 38-të i “Montreal World Film Festival”. Presidenti i jurisë është Sergio Castellito, ndërsa anëtarë, regjisori francez Rachid Bouchareb, producentët Andreanne Bournival, Fridrik Thor Fridriksson, aktorët Ana Torrent dhe Jane Zhang.

 

Ky shkrim Kinemaja shqiptare prezantohet në “Montreal Film Festival” u publikua me pare te Gazeta SHQIP.

Dino Buzzati / Burri me xhaketë bezeje

$
0
0

2-Almerina-e-Dino-Milano-_640Ajo nuk harronte asnjëherë shallin në shëtitjet e mbrëmjes. Teksa era luhatej rrugëve të Milanos, ajo fuste lehtë krahun te Dino dhe vijonte të dëgjonte rrëfimin e tij. Historitë që shoqëronin këto shëtitje ishin të ndryshme nga mbrëmja në mbrëmje. “Ishte sikur të ecje duke lexuar një libër dhe të shihje diellin që rrokullisej me shpejtësi e humbte ndërtesave të qytetit”, do të shprehej më vonë Almerina Buzzati, gruaja e shkrimtarit të njohur italian Dino Buzzati. Ajo e deshi që kur lexoi tregimin e tij të parë. Ashtu mes rreshtash përfytyroi burrin që mund t’i kishte shkruar. Më pas, kur u takuan në kafenenë pranë “Corriere della Sera” ku Buzzati punonte si gazetar, ajo nuk dyshoi më në ato çfarë kishte menduar më parë për këtë burrë. Ende pa i mbushur të 30-at, vetëm 28 vjeç, Almerina Buzzati vendosi të bashkëjetonte me një prej penave më të mira të letërsisë italiane të shekullit XX, Dino Buzzati, në atë kohë 63 vjeç.

Almerina Antoniazzido ta ndiqte pas kudo, e veshur ashtu siç na shfaqet në foto, geta me rrjetë dhe funde mbi gju dhe një peliçe të zezë. Në vitin 1967, në një foto ajo shfaqet teksa e sheh me adhurim, atë mes një grupi artistësh. Dino jetonte ashtu siç shkruante. Jeta e tij rrokullisej në ditë të ngjashme me personazhet që ai la pas. Por i tillë ishte Dino Buzzati, ai mund të vraponte vetëm pas momenteve që e tërhiqnin nga larg. I lindur në një familje ku librat zinin të gjitha faqet e murit, ai do të tërhiqej që i vogël nga shfletimi i tyre. Për 12 vite ai studio piano dhe violinë, por më pas vendosi t’i braktisë studimet. Pas vdekjes së të atit, në moshën 14-vjeçare, Buzzati regjistrohet në Liceun e Milanos, ku njihet me Arturo Brambilla, i cili në vazhdim do të jetë edhe miku i tij më i mirë. Të dy, jo rrallëherë, u përballën edhe në duele shkrimesh, prej të cilave do të dalë edhe prodhimi i parë letrar i këtij autori. Me Brambilla–n do të nisë edhe një korrespondencë e vazhdueshme deri në vdekjen e parakohshme të mikut të tij të ngushtë, ngjarje që la gjurmë të thellë në jetën e Buzzati-t. Qysh në rini ai nis të mbajë një ditar ku vazhdimisht shkruante mendimet dhe ngjarjet e ndodhura.

Ndihet mjaft i tërhequr prej gazetarisë dhe ja ku në vitin 1928, pa i përfunduar ende studimet, hyn si praktikant në gazetën “Corriere della Sera”. “Sot hyra në ‘Corriere’, kur do të dal prej saj? – shpejt, ta them unë, i zbuar si një qen”, shkruante ai në ditar. Puna në media do ta frymëzonte për të shkruar një nga veprat e tij më të mira “Shkretëtira e Tartareve” përkthyer në shqip nga Dritan Çela. “Për shumë kohë, unë punoja çdo natë në redaksi. Ishte një punë e rëndë dhe monotone. Muajt e vitet kalonin dhe unë pyesja veten nëse gjithçka do të vazhdonte kështu, nëse shpresat, ëndrrat e pashmangshme me moshën e re, do të veniteshin pak e nga pak, nëse rasti i moshës sime e të tjerë shumë më të vjetër, që i merrte e njëjta rrymë e lehtë lumi dhe pyesja veten nëse edhe unë një ditë do të gjendesha në të njëjtat kushte si edhe kolegët me flokë të bardhë, në prag të pensionit, kolegë me pamje të zymtë që nuk do të linin pas veçse një kujtim të zbehtë që do të fshihej shpejt. Është e qartë se e njëjta situatë paraqitet në çdo lloj pune, në çdo profesion e karrierë. Ishte pra një temë pak a shumë universale, një makineri, ingranazhet e së cilës më kishin mbërthyer edhe mua…”, – tregonte Buzzati. Për gati një vit ai e përfundoi historinë që flinte çdo ditë brenda tij. “Punoja gjithmonë në kushte ideale, pra natën kur kthehesha nga gazeta, rreth orës 02.30 të mëngjesit, atëherë kur nuk kisha gjumë, kur mendja ishte krejtësisht e kthjellët dhe kur ndërgjegjja e dinte se nuk ekzistonte asnjë mundësi shpërqendrimi. Shkoja në shtrat e ashtu ulur shkruaja në një fletore që sot nuk e di ku ka përfunduar”, do të shprehej Buzzati në një intervistë. Në mars të vitit 1939 teksa bëhej gati të shkonte për punë në Addis Abeba si i dërguar special i “Corriere”-s ai e çon librin në shtëpinë botuese. Korrigjimet e fundit sipas këshillave të botuesit, i bëri kur ndodhej në Afrikë. Në kapakun e botimit të parë të “Shkretëtira e Tartareve” në fotografinë me një sfond të verdhë, Dino Buzzati shfaqet i veshur me një xhaketë bezeje, me një këmishë me jakë të hapur, ndoshta me duar mbi ije. Shikimi është melankolik, si i fiksuar mbi një shkretëtirë, ndërsa flokët e valëzuar janë të shndritshëm. Dhe pranë lexojmë: “Dino Buzzati, lindur në Belunio më 1906. Ka jetuar gjithmonë në Milano dhe punon prej shumë vitesh në ‘Corriere della Sera’. Buzzati është një shkrimtar i lidhur me kohën që jetoi. Lufta do të linte gjurmë te letërsia e tij, po aq sa brenda tij. Më 10 qershor, në Romë, dëgjon fjalimin e Mussolini-t dhe shpalljen e luftës. I thirrur nën armë, niset nga Napoli mbi kryqëzorin Fiume si korrespondent lufte dhe arrin zonën e operacioneve detare të Mesdheut. Në bordin e luftanijes Trieste merr pjesë në betejën e Kepit të Tauladës. Në vitet ‘50 ai njihet me balerinën Silvana F, të “La Scala”, së cilës i kushton romanin “Një dashuri”. Kjo do të ishte një dashuri torturuese për Dinon, i cili shkruan në ditar: “E vetmja gjë, për të shpëtuar, është ta shkruaj. Të tregoj gjithçka, të bëj të kuptohet ëndrra e fundit e burrit që është te porta e pleqërisë. Dhe, në të njëjtën kohë ajo, mishërim i botës së ndaluar, të rremë, romanceske e përrallore, në kufijtë e së cilës kishte kaluar gjithmonë me përbuzje dhe dëshirë të errët”. Njohja më vonë me Almerinën do t’i jepte një tjetër dimension jetës së tij. Në mars të vitit 1965, Dino shkoi në Pragë, ku vizitoi shtëpinë e Kafkës, shkrimtari i tij i preferuar. “Dhe pastaj thonë se jam unë ai që imitoj Kafkën. Jo, është vetë jeta!”, do të shprehej ai. Autor bocetesh e pikturash të ndryshme, Buzzati merr pjesë në ekspozita të ndryshme, duke deklaruar se e konsideron pikturën jo si një hobi, por si profesionin e tij. Në një diskutim autoironik, publikuar në katalogun e një galerie arti, ai pranon se e pikturuara dhe e shkruara për të, në fund të fundit janë e njëjta gjë. “Nuk ka rëndësi në pikturoj apo shkruaj, pikësynimi im është të arrij atë që dua, të rrëfej histori”. Në vitin 1961 në një intervistë me Paolo Monelin ai shprehej: “Ka individë… që piqen vonë, shumë të shtyrë në vite. Unë duhet të jem njëri prej tyre. Shumë gjëra nuk i kuptoj ende, të tjerat i kam kuptuar kur nuk më shërbente më t’i kuptoja. Dashuria për gruan, them dashuria, jo të shkuarit në shtrat, xhelozitë, lotët e pasionit, dëshira për të vdekur, ose madje për të vrarë veten, kënaqësia e dëshpëruar që të vuash për një mosmirënjohëse, për një të pabesë, të gjithë këtë e kam zbuluar vetëm në këto kohë. Nuk di të them nëse jam bërë më në fund i pjekur, apo sapo i kam arritur tani njëzet vjetët e vërtetë”. Me “Poemë me vizatime”, ai do të nderohet me çmimin “Paese Sera”, në vitin 1970. Më pas ai sëmuret rëndë dhe mbyll sytë përgjithmonë në Milano më 28 janar 1972, në moshën 65-vjeçare, një pasdite me borë dhe erë, mes kllapisë e dhimbjes, i mbërthyer nga një sëmundje e pashërueshme. “Më kujtohet shëtitja jonë e fundit në Cortina. Ishte mjaft i sëmurë, por nuk donte ta thoshte. Preferonte të bënte sikur u besonte atyre që i thoshin mjekët të cilët flisnin si disa personazhe të tregimeve të tij, duke u munduar të jepnin besim në atë që thoshin, të fusnin të dridhurat deri në kockë pikërisht për atë që nuk thoshin…”, do të shprehej më vonë miku i tij, Indro Montanelli. Dino Buzzati është një shkrimtar i thellë, që me stilin e tij arrin të depërtojë lehtë dhe të lërë gjurmë gjatë në mendjen e një lexuesi.

a.b

 

Teodor Laço

Gropas ’67

Roman

Botimet: “Tirana Times”

Shkrimtari Teodor Laço i është rikthyer vitit 1967 për të shkruar romanin e ri titulluar “Gropas ’67″. Ngjarjet në roman zhvendosen në një fshat të humbur, që autori e quan thjesht Gropas. Aty është kampi i të internuarve. Në këtë vend, një ultësirë si bythë kazani, rrethuar me brinjë kodrinash dhe duna që e ndanin nga deti, rastësia apo fati, i gjeti nën të njëjtën strehë edhe tre njerëz të dëbuar nga kryeqyteti; Zigur Trushin, agjentin e fshehtë të Sigurimit të Shtetit me pseudonimin “Hija”, inxhinierin Vllas Vishnja dhe poetin Miron Konjari. Galeria e personazheve në romanin e Teodor Laços është e gjerë, por rreth këtyre tre njerëzve ndërthuren jetë dhe realitete shqiptare që gjallojnë si të vërtetë.

 

Lisa See

“Lulja e dëborës dhe erashka sekrete”

Përktheu: Petro Plasa

Botimet: “Pegi”

Në shekullin e nëntëmbëdhjetë, në një provincë të largët të Kinës, një shtatëvjeçare me emrin Lili krijon një marrëdhënie emocionale me Lulen e Dëborës që zgjat gjithë jetën. Vit pas viti, Lili dhe Lulja e Dëborës këmbejnë mesazhe në erashkë, si rrëfim të shpresave dhe ëndrrave. Ato durojnë së bashku dhimbjen e këmbëve të lidhura, përjetojnë martesat e paravendosura nga familjet e tyre, ndiejnë si nëna vetminë, gëzimet e tragjeditë e tyre. Të dyja gjejnë qetësi në këtë marrëdhënie

 

Harold Robbins

Ai që nuk dinte të dashuronte

Përktheu: Amik Kasoruho

Botimet: “Dudaj”

Xhonas Kordi, një cinik me shpirt të trazuar, që trashëgon një perandori financiare, kërkon dashurinë e vërtetë. Tri janë gratë e fatit të tij: Rina, një vejushë marramendëse; Xheni, një aktore e rastësishme, që ishte e paracaktuar për filma jetëpak, si dhe Monika. Nuk është vetëm historia private e një magnati gjenial dhe të guximshëm, por edhe portreti i një shoqërie mitike që vërtitet mes sipërmarrjesh të mëdha e nganjëherë të pista dhe mes gjallërisë tërë ngjyra të studiove kinematografike, ndërkohë që në horizont po shfaqej mjegulla e Perëndimit dhe Lufta e Dytë Botërore.

Emil Richeburg

Bija e mallkuar

Përktheu: Bora Islami

Botimet: “Bora”

“…Luçia, pasi kaptoi gardhin e kopshtit, u drejtua për në Sableuse. Djaloshi i panjohur e priste matanë vijës, pak hapa larg urës së vogël. Për një çast, ajo u gjend pranë tij. Pa lëshuar asnjë fjalë, ai e përqafoi dhe e shtrëngoi në kraharorin e tij. Buzët e tyre u takuan. Ishin me të vërtetë të lumtur! Më në fund, ai e tërhoqi prej dore dhe e shpuri përfund një shelgu. Këtu u ndalën. – E dashura ime, – tha ai, – kur mendoj rreziqet që përballon ti për të ardhur këtu të ngrohësh zemrën time, qortoj vetveten; e gjykoj veten të padenjë për ty, për dashurinë tënde, e cila është tërë jeta ime, dhe, duke pyetur zemrën time, kërkoj në atë tënden besimin e pakufishëm, skuqem prej egoizmit…”, pjesë nga libri.

 

 

Ky shkrim Dino Buzzati / Burri me xhaketë bezeje u publikua me pare te Gazeta SHQIP.

Fan Noli, jeta pa luks në rrugën “Blagden”  

$
0
0

“Jeta e Nolit në apartamentin e tij të thjeshtë në ‘26 Blagden Street’ ishte spartane. Dyshemenë e kishte të shtruar me lecka dhe dhomën me mobilie të vjetra. Një tavolinë në dhomën e ndenjjes përbënte ‘zyrënolin’ e tij dhe aty ai priste vargun e pafund të vizitorëve. Zakonisht mbathte sandale të hapura”, kujton miku i Nolit, Anton Athanasi

Fan Noli në kujtimet e bashkëkohësve, Anton Athanasi, Dhimitër Athanasi dhe Peter Prifti. Jeta në apartamentin e thjeshtë mes librave

Peter Prifti, ish-sekretar i Federatës Panshqiptare “Vatra” dhe redaktor i gazetës “Dielli”, merrte shpesh rrugën për në “26 Blagden Street”, Boston, vetëm 2-3 minuta larg zyrave të “Vatrës” për të vizituar Fan Nolin që jetonte në atë rrugicë. Orët te Noli zgjateshin pa fund, për shkak të bisedave që nuk kishin të mbaruar. Shqipëria dhe gjithçka që ndodhte me komunitetin shqiptar në SHBA, çështje të gjuhës shqipe apo situatën politike në Shqipërinë e largët, vinin në biseda në atë apartament tepër të thjeshtë. “Ishte një apartament i vogël, me mobilie të thjeshta dhe me një pamje pak si të zhveshur, pak si të vjetruar. Pjesës së pasur të zyrtarëve të ‘Vatrës’ u vinte si turp nga ky apartament, se mendonin që vendbanimi i Nolit bënte figurë të keqe në sytë e amerikanëve. Por kishte një të mirë ky apartament: ndodhej në një rrugë të vogël e të shkurtër dhe shumë të qetë. Ideale për studime, lexime dhe shkrime”, shkruan Peter Prifti në kujtimet e tij. Krejt ndryshe nga dimensioni i tij i madh, ishte jeta e tij. Fan Nolit i pëlqente të jetonte thjesht. Për të nuk kishte rëndësi se çfarë mbarte brenda apartamenti, për sa kohë ai i krijonte kushte për të lexuar. Miqtë e tij të shumtë që hynin e dilnin në këtë apartament, kanë shënuar në ditar përshtypje nga këto vizita. Dhimitër J. Thanasi, atdhetar shqiptar në SHBA, tregon në kujtime, se Nolit nuk i pëlqente luksi. “Noli si person ishte njeri i thjeshtë, atij nuk i pëlqenin lukset dhe banoi gjithë pjesën e fundit të jetës, 1934-1965, në një apartament të vjetër, me mobilie shumë të vjetra. Ishte shumë i kursyer. Rronte më shumë me perime dhe rrallë hante mish. Vishej me rroba modeste, por të paqme. Ishte mikpritës. Dera e tij ishte e hapur jo vetëm për miq, por edhe për ata kundërshtarë që e vizitonin. Të priste me buzëqeshje e fisnikëri, por jo sipas zakonit shqiptar, se asnjë kupë me ujë nuk të nxirrte dhe jo se s’kishte, por ashtu ishte zakoni i tij”, shkruan Thanasi. Anton Athanas, një prej personaliteteve shqiptare më të njohura në Amerikë, me një kontribut të çmuar në çështjen shqiptare, duke mbështetur shoqërinë “Vatra” ishte mik i Nolit. Ai e quan spartane jetën e Nolit në atë apartament. “Jeta e Nolit në apartamentin e tij të thjeshtë në ‘26 Blagden Street’, ishte spartane. Dyshemenë e kishte të shtruar me lecka dhe dhomën me mobilie të vjetra. Një tavolinë në dhomën e ndenjjes përbënte ‘zyrën’ e tij dhe aty ai priste vargun e pafund të vizitorëve. Zakonisht mbathte sandale të hapura. Shtëpia e tij ishte pranë Bibliotekës së madhe Publike të Bostonit në ‘Copley Square’ dhe ai kalonte me kënaqësi orë të frytshme duke kërkuar materiale për krijimtarinë e tij letrare”, kujton Athanas. Ajo çfarë të binte në sy sapo futeshe në atë apartament ishin librat. Një përshkrim tjetër për mënyrën e jetesës së Nolit gjejmë dhe në një intervistë që redaktori i “Diellit” në vitet ‘58-’59, Peter Prifti, i pat marrë Nolit, që ato kohë jetonte vitet e fundit të pleqërisë në Kryekishën e Shën Gjergjit. Në fakt, Peter Prifti e ka emërtuar atë jo intervistë, por audiencë me Hirësinë e Tij, me kryepeshkopin mitropolit F. S. Noli. Atij i kishte bërë përshtypje të thellë përgjigjja që i kishte dhënë imzot Noli, njërës prej pyetjeve që ai i kishte drejtuar: Imzot, cila është vepra juaj më e çmuar për Kombin? Ai i ishte përgjigjur: “Futja e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve më 1920″, sepse i dha fund copëzimit të trojeve shqiptare nga fqinjët! Natyrisht që pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve është merita e padiskutueshme e Fan Nolit, falë oratorisë dhe diplomacisë së tij, por kryeveprat e Nolit janë të shumta, pat menduar atëherë gazetari që e intervistonte. Futja e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve kishte sponsorizimin e Federatës Panshqiptare “Vatra”. Audienca me kryepeshkopin është botuar në gazetën “Dielli” në numrin e 10 dhjetorit 1958. Në tre paragrafët e para, Prifti përshkruan takimin në rezidencën e kryepeshkopit: “E takuam në rezidencën e tij në rrugën ‘Blagden’, një vend i mobiluar me modesti, ku ai ka punuar e ka jetuar për shumë vjet…. Në studion e tij, syri sheh rafte të tëra me libra. Kur dikush e pyeti një herë se a ndihej i vetmuar pa njeri pranë për të biseduar, Noli i tha: ‘Ata janë të gjithë miqtë e mi, unë mund të bisedoj me secilin prej tyre’”. Librat, muzika, historia kanë qenë po kaq të rëndësishme në jetën e tij sa feja. Megjithatë, në intervistën për Priftin, ai pohon: “Jam marrë me histori, letërsi dhe muzikë me raste, por feja ka qenë puna e jetës sime, sepse e fillova karrierën time si njeri i Kishës më 1908-n dhe jam akoma njeri i Kishës pas 50 vjetësh”. Ç’mendon ai për muzikën moderne, poezinë, oratorinë dhe diplomacinë? Përgjigjja është se i interesojnë të dyja format e këtyre arteve, si modernia ashtu edhe antikja, sepse, sikurse Gëte, ai është universal në shije. Tepër modest, gjë që reflektohet dhe në jetën e tij, Noli ishte dhe pijedashës dhe me sens humori. Në një fjalim të mbajtur në banketin e Detroitit në Miçigan më 22 nëntor 1953, ai ia dedikon mikut të tij, Faik Konica, faktin që është kthyer në një vegjetarian.

a.b.

Box

Si më ktheu Konica në vegjetarian

“Do t’ju tregoj se kush më ktheu në vegjetarian. Këtë e bëri miku ynë i vjetër, Faik Konica, i cili shërbeu si ambasador i Shqipërisë në Uashington nga 1926-a, më 1939-n, dhe që ishte i bindur se asnjë ditë nuk ishte e përsosur pa dy biftekë: një për drekë dhe një për darkë, nganjëherë edhe një për mëngjes.
Konica besonte te vegjetarianizmi, por e keqja ishte se ai thjesht nuk i thoshte dot ‘Jo’ një bifteku të madh e të lëngshëm. Nganjëherë ndërgjegjja e tij prej vegjetariani brengosej aq shumë sa i duhej të rezervonte së paku një ditë vegjetariani në javë. Më ka qëlluar ta shoh një ditë tek hante një sasi të madhe ushqimi vegjetarian dhe t’i jepte fund me një biftek duke thënë: ‘Motra jonë lopa ia ka ngenë të hajë ushqim vegjetarian gjithë ditën. Ne qeniet njerëzore duhet të pushojmë së ngrëni, se kemi punë të tjera për të bërë. Kjo është koha kur shfaqet bifteku’. Konica ishte nga ata njerëz që e shijonte dhe e donte ushqimin. Besonte si te sasia, edhe te cilësia. Një ditë e kam parë t’ia fillonte me një tas të madh me midhje të përvëluara, vazhdoi me një aragostë, pulë të pjekur dhe… biftekun e domosdoshëm. Pas ëmbëlsirës ra në një gjumë hipnotik dhe unë pandeha se u sëmur nga mbingrënia. Por kisha gabuar. Shpejt zbulova se ajo që e shqetësonte ishte diçka krejt tjetër. Pa orën e dorës dhe tha: ‘Ora qenka pesë. Së shpejti do të vejë gjashtë. Kur do të hamë darkën?’. Fjalët e fundit të Konicës në shtratin e vdekjes, drejtuar shërbëtores së tij zezake, ishin: ‘Hatti, më sill një biftek, por që të mos jetë i pjekur mirë, të jetë i kuq e i lëngshëm, përndryshe do ta kthej mbrapsht’. Ai ishte i mendimit se duhej të vdiste me stomakun plot.”

 

(Fjalimi i Nolit në një banket në Miçigan më 22 nëntor 1953)

 

Ky shkrim Fan Noli, jeta pa luks në rrugën “Blagden”   u publikua me pare te Gazeta SHQIP.

“Ndrysho, mos u mshef!”

$
0
0

Twenty_Feet_from_Stardom_01DOKUFEST/ Festivali Ndërkombëtar i Filmit hap siparin më 16 gusht në Prizren. Festivali do t’i bëjë homazh regjisorit austriak Michael Glawogger, i cili vdiq në fillim të këtij viti, duke shfaqur tri filmat nga trilogjia e tij e globalizmit

Ndrysho, mos u mshef!” Kjo është fjalia që do të udhëheqë edicionin e 13 të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit me Metrazh të Shkurtër “DokuFest”, që hap siparin më 16 deri më 24 gusht në Prizren. Ndryshimi dhe nevoja e shoqërive për të ndryshuar, do të vijë përmes temave apo filmave të përzgjedhur për në ekranin e madh të festivalit, si një homazh forcës së heshtur të qytetarëve dhe përpjekjeve të tyre që të jenë një zë më i fortë në të ardhmen. Organizatorët e festivalit ishin dje në Tiranë, ku prezantuan programin në prani të ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro. “DokuFest” bën pjesë në programet e kalendarit të përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë. “Mbështetja e ‘DokuFest’ përputhet plotësisht me politikën e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë për të krijuar një urë komunikimi kulturor pa kufi e pa barriera dhe ne kemi gjetur te ‘DokuFesti’ modelin e shkëlqyer se si mund të ndërthuret arti me edukimin. Bashkëpunimi që Ministria e Kulturës po ndërton me ‘DokuFestin’ nuk është thjesht mbështetja e festivalit, por do të mbërthejë edhe në aktivitete të tjera të shtrira gjatë gjithë vitit”, u shpreh Kumbaro. Eroll Bilibani, drejtori ekzekutiv i “DokuFest”, u shpreh se në muajin nëntor në Tiranë do të vijë një program special me fituesit e disa kategorive të festivalit. Sipas drejtorit artistik të festivalit, Veton Nurkollari, numri i aplikimeve për të marrë pjesë në festival këtë vit ka qenë rekord, rreth 2400 aplikime, nga ku janë përzgjedhur 237 filma nga 56 vende në 6 programe garuese dhe një numër të programeve speciale të kuruara, ndërsa pritet që në festival të jenë mbi 200 të ftuar. Festivali do të hapet me shfaqjen e filmit Everyday rebellion dhe mbyllet me shfaqjen e 20 feet from stardom. SHBA-ja është shteti në fokus këtë vit dhe do të prezantohet me 30 filma, përfshirë shfaqjen e disa dokumentarëve klasikë si Harlan County USA nga Barbara Kopple, Hoop Dreams nga Steve James dhe Hearts and Minds nga Peter Davis. Producentë, aktorë apo njerëz të rëndësishëm nga bota e kinematografisë, pritet të mbërrijnë gjatë ditëve të festivalit në Prizren, mes të cilëve dhe kameramani Richard Pierce dhe Lynzee Klingman, që është një ndër editorët e Hearts and Minds, Christian Frei, regjisori i filmit Sleepless in New York, Marilyn Ness, producent i 1971 dhe E-TEAM, si dhe shumë të tjerë, nga rajoni e nga jashtë. Festivali do t’i bëjë homazh regjisorit austriak, Michael Glawogger, i cili vdiq në fillim të këtij viti, duke shfaqur tri filmat nga trilogjia e tij e globalizmit. Një vështrim gjithëpërfshirës në skenën e filmit eksperimental austriak do të prezantohet përmes programit special “Austrian Experiments”. Filma për muzikë, teknologji dhe konfliktet e fundit në Lindjen e Mesme, çështjet e mjedisit dhe të drejtat e njeriut janë po ashtu pjesë e programit. Edhe këtë vit nuk do të mungojë “DokuPhoto”. Më 15 gusht, fotografi i njohur dhe anëtari i Agjencisë së Fotografisë VII, Donald Weber, do të prezantojë ekspozitën Barricade: The EuroMaidan Revolt, që mbledh portrete të njerëzve që Donald Weber takoi në rrugë, si dhe koktejeve Molotov që kanë qenë arma e zgjedhur e protestuesve EuroMaidan në Kiev. Gjatë katër ditëve të “DokuFest”, nuk do të mungojnë as konferencat që do të përfshijnë në diskutime inxhinierë, shkrimtarë, aktivistë të shoqërisë civile, mendimtarë pro dhe kundër internetit etj. Temat që janë përzgjedhur për t’u diskutuar janë interesante, si “Ballafaqimi me të kaluarën”, “Qytetet komplekse” apo “Pesë vjet më pak”, një temë mbi jetëgjatësinë mesatare në Kosovë, në veçanti mbi faktin se kosovarët jetojnë pesë vjet më pak se kombet e tjera në rajon, për shkak të ndotjes me qymyr. Regjisori i nominuar për “Oskar”, Christian Frei, dhe drejtori i fotografisë, i nominuar për çmimin “Emmy”, Peter Indergand, do të jenë pjesë e një master klase dhe të flasin për bashkëpunimin e tyre në krijimin e filmave War photographer, Space Tourists dhe Sleepless in New York. Regjisorja e filmit My Name is Salt, Farida Pacha, dhe producenti e kameramani Lutz Konermann, do të jenë pjesë e një master-klase tjetër në lidhje me aspektet teknike, formale dhe ato të produksionit të filmit. Kameramani dhe regjisori i njohur Richard Pearce (Hearts and Minds, The Road to Memphis, Woodstock) do të tregojë histori personale mbi mënyrën sesi duhet operuar me kamerën. Ndërsa Kino Prizreni do të mbledhë filmbërësit nga e gjithë bota që do të takohen në Prizren për të shkruar, xhiruar, edituar filmat e tyre me një buxhet joekzistues dhe me pajisje e ekspertizë të përbashkët. Nuk do të mungojë gjatë këtyre katër ditëve edhe sesioni i filmit për fëmijë, si dhe këngëtarët që do të performojnë gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve. Disa prej filmave të këtij festivali u shfaqën dje në ekranin e Akademisë së Filmit “Marubi”.

 

Homazh për Michael Glawogger/ Një vit më parë ai ishte në Prizren

Kinemaja duhet t’i nxisë njerëzit të mendojnë

Regjisori, shkrimtari dhe fotografi i njohur austriak do të kujtohet në ekranin e madh të “DokuFest”, i cili u nda nga jeta më 22 prill të këtij viti, gjatë xhirimeve në Liberia. Një vit më parë, ai ishte i pranishëm në “DokuFest”, ku mbajti një ligjëratë lidhur me mënyrën sesi duhet realizuar një dokumentar. I njohur për trilogjinë e dokumentarëve për prostitucionin në tri vende, me tri gjuhë dhe tri religjione, Michael Glawogger ishte në “DokuFest” për të shfaqur po këtë film dokumentar të titulluar “Whores Glory”. Në fakt, dokumentari i shfaqur ishte pjesa e tretë e trilogjisë së rrëfimit të tij për globalizmin përderisa aty përfshiheshin edhe këngë të kantautores shumë të njohur PJ Harvey.” Prostitucioni ka qenë aty dhe do të mbetet gjithmonë. Jam kundër kriminalizimit të prostitucionit”, u shpreh Glawogger në Prizren. Duke folur për mënyrën sesi duhet realizuar një dokumentar, ai ka thënë se të bësh një dokumentar duhet të qëndrosh shumë gjatë me personazhet e zgjedhura. “Nuk është dokumentar nëse e merr personazhin dhe e vendos në një karrige dhe e xhiron. Ajo është intervistë. Dokumentar është normaliteti dhe ajo çfarë njerëzit bëjnë në jetën e zakonshme”, ka thënë Glawogger. Sipas tij, nëse dëshiron të bësh një film artistik, atëherë duhet të bësh shumë për aktorët. “Nëse vendos të bësh dokumentar, atëherë duhet të kesh pamje të mira. Pamjet duhet të flasin”, ka thënë ai. I njohur për filmat e tij Kill daddy Good night, Slugs, Contact high dhe dokumentarët Megacities e Workingman’s Death, Glawogger shprehej se është budallallëk që një regjisor të mendojë se një dokumentar dondryshojë botën,ai thjesht nxit njerëzit të mendojnë. Glawogger ishte i pasionuar pas artit të kinemasë dhe nuk e mendonte se do të ikte aq shpejt nga kjo jetë. Idetë e tij do të vijnë përmes filmave të përzgjedhur si një homazh për regjisorin që e mbështeti “DokuFest” me prezencën e tij një vit më parë, por dhe që besonte te kinemaja.

 

Ky shkrim “Ndrysho, mos u mshef!” u publikua me pare te Gazeta SHQIP.


Besa Myftiu,15 librat që nuk duhen humbur

$
0
0

Besa_MyftiuLibrat që kanë lënë gjurmë te Besa Myftiu dhe që do t’i rrëmbente nga biblioteka e madhe e botës, për t’i veçuar si librat e saj të dashur. Nga “Novelat” e ndjeshme të Stefan Cvajg, ku një grua mund t’i hedhë paratë në kumar për dashurinë, te Dostojevski, Gogoli apo Shekspiri… Si poete ajo nuk mund të mos veçonte Eseninin, Pushkinin dhe Uollt Uitmanin…

Alda Bardhyli

“Gjithë natën mendova për ty, pa të njohur akoma. Unë vetë kisha vetëm një duzinë librash të lirë, të lidhur me karton të dobët, të cilët i doja më shumë se çdo gjë tjetër dhe i lexoja vazhdimisht. Dhe tani po më mundonte pyetja se si duhej të ishte vallë ai njeri, të cilit i përkisnin dhe që i kishte lexuar të gjithë këta libra të mrekullueshëm, që dinte gjithë këto gjuhë dhe që ishte aq i pasur e njëkohësisht aq i ditur. Ndjeva njëfarë admirimi mbinjerëzor, që m’u shtua edhe më tepër nga ata libra të panumërt. Përpiqesha të parafytyroja: të kujtoja një burrë të shkuar nga mosha, me syze e me një mjekër të gjatë e të thinjur, të ngjashëm me profesorin tonë të gjeografisë, vetëm se më shumë bujar, më të pashëm e më të butë. Nuk e di pse qysh atëherë qesh e sigurt se ti duhej të ishe i pashëm, megjithëse të parafytyroja plak… Pa kuptuar, unë ndjeva atë që ndiente çdo njeri te ti: që ti bëjë një jetë të dyfishtë, një jetë me një faqe të çelët, të kthyer ndaj botës, dhe me një tjetër krejt të errët, të cilën e dije vetëm ti, dhe këtë dyzim të thellë këtë të fshehtë të qenies sate, unë trembëdhjetëvjeçarja, krejt e magjepsur, e ndjeva që në vështrimin e parë…” Këto pasazhe janë shkëputur nga novela “Letra e një të panjohure” e Stefan Cvajg, përkthyer në shqip nga Vedat Kokona. Një nga shkrimtarët më të mirë të viteve ‘20-‘30 Stefan Cvajg vijon të jetë edhe sot një ndër më të lexuarit. Letra e ndjerë e së panjohurës, që besonte deri në fund te dashuria gati-gati e pashpjegueshme me zotërinë e librave, është ndoshta një nga më të bukurat e Cvajg, po aq sa dhe “24 orë nga jeta e një gruaje”. Gratë e Cvajgut i dorëzohen dashurisë dhe u dalin përpara sfidave për të pasur pranë njeriun e zemrës. Ashtu si gruaja që humbi gjithë paratë në kumar, vetëm nga vështrimi dhe mbrëmja që kaloi me një djalosh. Apo ëndërrimtarja te “Padurimi i zemrës”, që është një prej personazheve që solli në histori pritjen e bukur dhe moderne. I botuar më 1938-n, libri mbart teorinë psikoanalitike të ndjenjës së fajit, ku dashuria fajtore kurorëzohet me një vetëvrasje të dëshiruar e të kërkuar nga dy personazhet kryesore të librit (Një fund të tillë pati dhe Cvajg, bashkë me të dashurën Charlotte Altmann). Besa Myftiu e ka lexuar herët Cvajgun. Novelat e tij shpalosnin para vajzës që dëshironte të shkruante, një botë nga ku nuk donte të dilte. Ai kishte aftësinë të trondiste dhe njëkohësisht të nxiste drejt rrugëve që shkëlqejnë në jetë, dhe pse mund të duken të pamundura. Sot, kaq vite pas prekjes së parë nga letërsia e Cvajgut, tashmë si një shkrimtare e konsoliduar, Besa zgjedh pikërisht librin me Novela të tij, në morinë e librave që nuk duhen humbur pa lexuar në bibliotekën e madhe të botës. Për një vajzë të rritur mes librave është e vështirë të veçojë prej tyre disa që i ka dashur më shumë, pasi çdo libër ka lënë tek ajo një gjurmë apo e ka shpënë diku. “E kam shumë të vështirë të zgjedh midis librave të mi të dashur 15 libra që nuk duhen lënë pa lexuar. Megjithatë, po e bëj një përzgjedhje. Jam e sigurt se nesër do të kujtohem për romanë, novela e poezi apo përmbledhje me përralla (të Andersenit p.sh.) që nuk i kam përmendur”, thotë Myftiu, e bindur se nëse do t’i duhej të bënte një listë, ajo është tepër e gjatë. Nëse Cvajg nuk duhet humbur për ndjeshmërinë, Dostojevski është një shkrimtar që e ka shpjeguar aq mirë shpengimin e njeriut modern. Besa zgjedh librin e tij “Idioti” në listën e librave që nuk duhen humbur. Heroi dhe protagonisti i këtij romani, princi Mishkin, pasardhësi i një familjeje të vjetër fisnikësh, biond rreth të 20-ave, është një personazh që sfidon kohën me mesazhet që mbart. Ky është një libër jo vetëm për Rusinë, por për të gjitha vendet që kërkojnë të hedhin vështrimet tek e shkuara. Xhek London është një shkrimtar i dashur për lexuesit shqiptarë. Besa zgjedh “Martin Iden”, në bibliotekën e madhe të botës, për ta vendosur në listën e librave që nuk duhen humbur. Proza e tij mbetet një nga më të fuqishmet në antologjinë amerikane dhe jo vetëm. Ishte dhe mbetet shkrimtari anglosakson më i përkthyer në të gjithë botën, sidomos në Europë. London ishte një shkrimtar me ide socialiste, por shumë romantik, naiv, konfuz dhe kontradiktor. Megjithatë vepra e tij gjeti përhapje shumë shpejt në Bashkimin Sovjetik, në vendet e kampit socialist, si dhe në Shqipëri. E një grua që shkruan poezi nuk ka si të mos e ketë në çantën e saj, një autor si Uollt Uitman. “Fije bari” është libri me poezi që ajo zgjedh nga ky autor, për ta bashkangjitur te librat e tjerë që nuk duhen humbur. Shekspiri nuk ka si të mungojë në kolazhin e veprave që të mësojnë gjuhën e botës. “Mbreti Lir” është vepra që Myftiu veçon në morinë e tragjedive dhe komedive që ende shijohen prej tij. Historia e Mbretit Lir që vendos të ndajë mbretërinë ndërmjet tri bijave, vazhdon të ngjitet edhe sot në teatro në botë, për të treguar nihilizmin. E gjithë vepra përshkruhet nga pesimizmi dhe kjo është ajo që e bën atë si një nga veprat më të preferuara të shekullit XX. Tolstoi, si një nga shkrimtarët më të lexuar para viteve ’90, është në listën e librave të Besës, me veprën “Ringjallja”, për të vijuar më pas me “Ushtarin e mirë Shvejk” e Hashek, dhe lirikat ruse të Eseninit dhe Pushkinit. “Tregimet e Petërburgut”, e çon Besën sërish në letërsinë ruse për të marrë prej saj një vepër të Gogolit. Nën përkthimin e Mitrush Kutelit, këto tregime lexohen më ëndje ende sot. Gogoli e trajtoi artin e të shkruarit si një lojë, dhe e luajti me pasionin më të madh. Letërsia ruse duket se ka qenë një prehje e bukur për Myftiun, ndoshta dhe për faktin se ka qenë një nga letërsitë më të përkthyera në Shqipërinë komuniste. Stendal është një tjetër shkrimtar që ka ndikuar në rritjen e Besës si shkrimtare. “E kuqja dhe e zeza” është një libër, të cilin ajo e merr pa mëdyshje për ta vendosur bri librave të saj të dashur. Historia e të riut inteligjent e ambicioz, Zhylien Sorelit, që ka fatin të arsimohet dhe guximin e ambicien të dallohet në shoqërinë e lartë, është gjithmonë aktuale. Dy dashuritë e tij, zonja Dë Renal dhe Matildë dë la Mol, janë simbol i kundërshtive të egra që përplasen në shpirtin e Zhylienit. Në librat e dashura të një shkrimtareje femër, nuk ka si të mungojë Ema Bovari, një grua kaq joshëse e krijuar nga Floberi. Ema Bovari është një vajzë provinciale që lexon shumë libra romantikë dhe ka marrë një formim konservator në manastir. Për shkak të letërsisë romantike që lexonte, Ema bën zgjedhjet e gabuara në jetë, humbet lidhjet me realitetin dhe shndërrohet në një viktimë të pasioneve të saj, të cilat e orientojnë drejt aventurave të pafundta. Ema dëshiron ndryshimin në jetën e saj, por problemi qëndron me faktin se ajo është heroinë pasive: nuk vepron vetë për të dalë nga monotonia, por varet prej personazheve të tjerë. Në kohën që u shkrua romani, shoqëria franceze kalonte një krizë shoqërore, ekonomike, psikologjike, morale dhe filozofike. Romani ka si qëllim të demaskojë vlerat false të shoqërisë, moralin hipokrit të saj, kotësinë e letërsisë romantike dhe influencën negative të saj. Ajo është viktimë e realitetit francez që ishte duke u bërë provincial dhe karakterizohej nga amullia dhe shpërbërja. Nëse për Balzakun provinca ishte diçka që kundërshtonte Parisin, për Floberin gjithë realiteti francez po bëhej provincial. Romani fshikullon përmbysjen e principeve në Paris, ku shkelja e kurorës nuk përbënte skandal. “Evgjeni Grande” nga Balzak dhe “Kështu foli Zarathustra” nga Niçe, janë dy librat e fundit që Myftiu merr për t’u bashkangjitur librave që ajo s’mund t’i linte pa lexuar, e bindur se janë pafund titujt apo personazhet që do të donte t’i merrte në bibliotekën e madhe të botës. Besa Myftiu është autore e nëntë veprave në gjuhën frënge dhe e tri veprave në gjuhën shqipe si “Miq të humbur” (poezi), “Rrëfime nga vendet e harruara”, roman, “Drejt së pamundurës”, tregime.

 

Librat që do të zgjidhte Besa Myftiu

- Idioti, Dostojevski

- Martin Iden, Xhek London

- Fije bari, Uollt Uitman

- Mbreti Lir, Shekspir

- Ringjallja, Tolstoi

- Ushtari i mirë Shvejk, Hashek

- Lirika, Esenin

- Poezi, Pushkin

- Dhjetë novela, Çehov

- Tregimet e Petërburgut, Gogol

- E kuqja dhe e zeza, Stendal

- Madame Bovari, Flobert

- Novela, Cvajg

- Evgjeni Grande, Balzak

- Kështu foli Zarathustra, Niçe

 

Ky shkrim Besa Myftiu,15 librat që nuk duhen humbur u publikua me pare te Gazeta SHQIP.

Vizatimet e atit   Në pikturat e Ferdinand Pacit

$
0
0

vizatimi5Ferdinand Paci/ Historia e artistit shkodran që jetoi dhe iku shpejt nga jeta…përmes vizatimeve të bëra pas viteve ‘60 dhe kujtimeve të mikut të ngushtë, piktorit Kujtim Buza

Alda Bardhyli

Gruaja në vizatimin e bërë me laps ka të njëjtin vështrim prej vitesh. Fustani i mbyllur deri në qafën e hollë dhe një shami që s’ka mundur t’i fshehë ballin e lartë, e bëjnë më tërheqëse portretin e saj. Ka një të fshehtë pas çdo gruaje dhe ky portret që duhet të jetë realizuar pas viteve ‘60 e tregon këtë. Adrian Paci është rritur duke i parë këto vizatime, që shpalosin një galeri personazhesh, plot botë, që duket sikur kanë në fytyrë historinë. Personazhe, përmes të cilave i dukej sikur zbulonte, atin e tij, i cili iku përgjithmonë kur ai ishte ende fëmijë, duke i lënë pas një koleksion të tërë pikturash, vizatimesh, ca të papërfunduara. Ndoshta ngjizja e tij drejt artit ndodhi natyrshëm teksa përballej çdo ditë me tablotë që i kishin zëvendësuar padashur atin. Është një koleksion i tërë pikturash, i lënë pas nga Ferdinand Paci, një prej piktorëve më të mirë në vitet ‘60-‘70, që e posedon sot familja Paci. Tablo dhe portrete që shpalosin dimensionin e një artisti që dukej sikur e kishte kapërcyer kohën. Një e verdhë që zhytet mes blusë dhe të gjelbrës të jep ndjesinë e një vere fantastike, në tablonë “Ditë vere” (1970), e cila ndodhet në koleksionin e Galerisë së Arteve në Shkodër. Ndërsa portretet në vizatimet që Adriani na tregon janë pa kohë. Me një aftësi prej kirurgu Paci duket sikur ka hyrë në mendjet e tyre, për të parë prej andej mendimet që u lexohen në fytyrë. Këto portrete janë një udhëtim psikologjik në mendjen njerëzore, duke i bërë këto personazhe që janë marrë diku nga Veriu i Shqipërisë, të dashura edhe sot në shek XXI. Teksa shikon punët e lëna pas, ndien vrapin e artistit për t’i thënë të gjitha në pak kohë, sikur ta ndiente ikjen pa kthim. Pikturat e Ferdinand Pacit janë një prurje për artin figurativ në vitet ‘70, me kolorin e ngjyrave, apo intimitetin që përcjellin. Për Kujtim Buzën, mikun e tij të ngushtë, “Paci ishte një piktor i planeve të mëdha, i kompozimeve, veçanërisht kishte për zemër figurat e malësorëve, apo temat me motive nga Veriu i vendit”. Ai sjell shpesh në mendje energjinë e djaloshit shkodran gjatë kohës së Institutit të Lartë të Arteve. “Me Ferdinandin na bashkonin shumë gjëra, jo vetëm piktura. Ai ishte një student që kishte mendime, dhe ishte në rrethin e talenteve të reja. Në atë periudhë ne botonim mendimet tona në gazetën e Institutit dhe Ferdinandi ishte aktiv me shkrimet e tij mbi artin. Ishim disa shokë që shkruanim si Llambi Blido, Nazhi Bakalli, Skënder Kamberi…”, kujton Buza. Sipas tij, Paci do t’i sillte pikturës shqiptare prurje akoma më të suksesshme për vetë orientimin që ai kishte nga piktura veneciane. Folës i mirë i italishtes, dhe i rritur në një ambient të influencuar nga arti italian, atij i pëlqente piktura italiane, dhe përpiqej të hapte një dritare në murin e kohës. Buza kujton ende sot diplomën e tij, me titullin “Dreka malësore”, një peizazh i mrekullueshëm i sofrës së veriut. Janë shumë kujtime që e çojnë Buzën në kohët e kaluara me mikun, që do t’i mungonte shumë gjatë jetës. Sa herë dëgjon opera i kujtohet Ferdinandi. “Kur punonte ai kishte dëshirë të këndonte arie, dhe e bënte gjithnjë këtë. E dëgjoja shpesh teksa këndonte opera me zërin e tij voluminoz…Ishte një djalë i këndshëm, i gjatë, që e donte artin”, thotë Buza. Pasioni për udhëtimet sidomos për veriun  vendit, nga ku ka marrë motive për në pikturën e tij, do t’i merrte dhe jetën, gjatë një aksidenti automobilistik kur ishte vetëm 35 vjeç. Buza e kujton atë mbrëmje kur bashkë me Fatmir Haxhiun u nisën në orën 2 të natës drejt Shkodrës me shpresën se do të mund ta shihnin gjallë mikun e tyre. Por vdekja nuk mund t’i marrë artistët. Ata ridimensionohen me artin që kanë lënë pas. Ferdinand Paci iku shumë i ri, në kulmin e shpërthimit të tij artistik. Koleksioni i tablove që ai ka lënë pas, duket sikur e sjellin artistin në çdo kohë, si një zë figurativ të rëndësishëm në historinë e artit pamor në vend. I lindur në Shkodër në vitin 1940, ai do të ndiqte shkollën pedagogjike ku mori mësim nga Simon Rrota. Ai do të rritej artistikisht duke ndjekur modelin e artit të një grupi artistësh që kishin ardhur nga akademitë italiane. Në Tiranë ai vjen për të vazhduar Liceun Artistik, nën drejtimin e tre mësuesve që kishin studiuar në Itali, Abdurrahim Buza, Nexhmedin Zajmi e Kel Kodheli. Talenti i tij do të spikaste që gjatë viteve të Liceut me Portretin e “Nine Gurashit. Me duart e mbledhura në prehër Nina duket aq e paqtë teksa e sheh dhe sot. Një tablo me një stilistikë të arrirë, e bën këtë pikturë të të tërheqë me thjeshtësinë e vet. Studimet e mëvonshme në Institutin e Lartë të Arteve do të ndërtonin më mirë profilin artistik të artistit të ri. Pavarësisht se arti në atë kohë ishte i orientuar drejt një kornize zyrtare, në vizatimet e lëna prej Pacit, shohim një devijim nga kjo skemë. Por fryma skematike ndihet në tablotë e pashmangshme për çdo artist të asaj periudhe. Është impresionuese të krahasosh një seri vizatimesh të bëra gjatë viteve 1963-1965, në ekspeditat e Institutit të Lartë të Arteve në malësi e në fshatra të ndryshme të vendit me ato të vitit 1967, ku Ferdinandi bashkë me një grup artistësh të asaj kohe paraqet punën e aksionistëve në ndërtimin e hekurudhave, hidrocentraleve në ndërtimin e Shqipërisë socialiste. Një tis melankolie përshkon vizatimet e bëra gjatë ekspeditave, duke i bërë tepër të gjalla ndryshe nga ato çfarë shihen në punët që shprehin Shqipërinë e re.

Punët e Pacit, bashkë me veprat e realizuara gjatë asaj periudhe në Shqipërinë socialiste meritojnë të studiohen dhe të kenë vëmendjen e duhur në historinë tonë të artit. Dhe pse krijimtaria e tij është zhvilluar në një kohë të shkurtër ajo ka jetuar dhe presionin e ngjarjeve të rëndësishme për kohën siç ishte revolucioni kulturor i vitit 1967, letra e hapur e Komitetit Qendror të PPSH-së kundër mbeturinave fetare dhe zakoneve prapanike, Plenumi i 1974 i Komitetit Qendror të PPSH kundër shfaqjeve të huaja ideologjike në art. Ishte e pashmangshme që krijimtaria e tij ashtu si e shumë artistëve të asaj periudhe të mos kishte brenda artin e soc-realizmit. Por ndërsa sheh këto vizatime sot, apo tablotë në koleksionin e Galerisë së Arteve Shkodër, kupton se gjuha e artit nuk ka kohë dhe kur ajo vjen nga thellësitë mund të magjepsë në çdo kohë. Ashtu si këto portrete malësorësh, të bëra me laps që Ferdinand Paci duhet t’i ketë takuar diku në fshatrat veriorë, gati gjysmëshekulli më parë…Portrete që sot janë një trashëgimi e vyer jo vetëm për familjen, por dhe për historinë e artit shqiptar në shekullin  XX.

 

Ky shkrim Vizatimet e atit   Në pikturat e Ferdinand Pacit u publikua me pare te Gazeta SHQIP.

GERALDINA, MBRETËRESHA QË SOLLI TË BUKURËN TE SHQIPTARËT

$
0
0

zoguBashkëbisedim me princin Leka II, mbi rikujtesën e aktit të shënjuar të një populli gjatë Luftës së Dytë Botërore, atë të mbrojtjes së qindra jetëve të një populli tjetër në rrezik shfarosjeje

 

MONIKA SHOSHORI STAFA

Geraldine Apponyi ishte një shqiptare e zgjedhur të ishte një grua jo e zakonshme në vendin e shqiponjave. Martesa e mbretit Zog me të do të shkonte përtej një ceremoniali pompoz të një klani bejlerësh nga Veriu me konteshën me nënë amerikane, bijë e një familjeje aristokrate hungareze jo më nën pasuritë që mund të mbante kur perandoria habsburgase njihte ekspansionin e madh. Ndër librat e shumtë për të analizohet se te martesa e mbretit Ahmet Zogu me të renë hungareze, me titull Konteshë, shtrihet “martesa” e Shqipërisë me Europën, pakti ynë i parë euroatlantik. Me shumë gjasë, mendohet se Zogu tregoi një triumf ekzigjence estetike të shqiptarit, një estetikë në bukurinë fizike që i kërkohej Shqipërisë më tutje se kaq dhe padyshim estetikës në moralin e saj. Pas vdekjes së tij, në një spital të Francës, nën lëngatën e një sëmundjeje të pashërueshme, por dhe të Shqipërisë së humbur tashmë për të, mbretëresha me lehtësi mund ta shmangte gabimin e vajzërisë dhe të jetonte si e veja e një mbreti. Përkundrazi zgjodhi t’i qëndronte deri në fund fatit të saj, Shqipërisë, deri kur u kthye për të vdekur, në atdheun e saj të dytë, Shqipërinë, e cila më shumë sesa gëzim i kish falur brenga. Përzgjedhja e materialeve për jetën e saj, dorëshkrimeve apo gjithfarë, intervista dhe dëgjesa mbi çdo gjë që ajo ka lënë pas, pa dyshim të rrëmben nga romantizmi dhe dëlirësia e shpirtit të saj. Shqipëria ishte një shtet në zhvillim, një shtet i çuditshëm mes së resë dhe së vjetrës, më pohon historiani prof. Bernd Fisher në një email të pak viteve më parë. Ai shkruan më tej se për konteshën e re kontrastet mbresëlënëse, rrjedhojë e këtij shteti, u ofronin syve të një të huaji një pamje të pazakontë e të çuditshme. Këto përshtypje dhënë prof. Fisherit nga mbretëresha Geraldinë aty nga fillimvitet ’80, demonstrojnë dhe ekzigjencat e një konteshe të re në krah të mbretit të vendit, që pritej të bëhej dhe atdheu i saj i dytë. Patjetër që gruaja krah tij do të kish një mundësi të jashtëzakonshme të japë ndihmesën e saj në këto detyra. Ajo do të ish frymëzuesja dhe nxitësja e tij. Roli që do të kish mbretëresha shqiptare, shpjegon më tej ai, padyshim, në sytë e konteshës së re, nuk do të ish ai i një gruaje të luksit, por i një qenieje njerëzore me vullnetin për të bërë sakrifica dhe dëshirën për të punuar. Të jesh mbretëreshë e Shqipërisë, në atë kohë, ishte një detyrë, e cila mund të kryhej vetëm nga një grua që do të kish të njëjtën forcë dhe vetëbesim për të përmbushur një mision. Kontesha e re, Geraldine Apponyi, e dinte se do të përballej me shumë vështirësi. Nuk do të ish e lehtë të luftoje kundër paragjykimeve të një populli që është edukuar me respektin ndaj zakoneve. Padyshim nuk do të ish e lehtë t’i mësosh një populli të cilit i është dashur të luftojë për ekzistencën e vet në të gjitha kuptimet e fjalës, dëshirën për një formë të re jete. Në vorbullën e luftës së Hitlerit, ky vend i vogël, por i trazuar, kishte mbetur në hije madje dhe ishte anashkaluar paturpësisht. Megjithëse ishte një vajzë e ndrojtur dhe e brishtë, kontesha Geraldine Apponyi, kur ende punonte në Muzeun Kombëtar të Budapestit si bibliotekare, ishte vetëm një vajzë e re interesante, por dallohej për kureshtjen dhe vullnetin e fortë ndaj dhe qëndrimi me dinjitet të gjërave që s’i pëlqenin ishte i vendosur. Për vendosjen e regjimit nazist në disa vende të Europës, megjithëse shumë e re, arrinte të kuptonte se ai ish një regjim autoritar dhe represiv derisa kundërshtoi një ditë të përshëndeste Heil Hitler, teksa hynte në një dyqan veshjesh. Mbretëresha Geraldinë është në një mënyrë, një figurë tragjike, që e ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së saj duke u endur nga një vend në tjetrin. Por, ajo kurrë nuk u pendua për fatin që pati. Ajo e konsideroi jetën e saj si një përrallë të bukur, duke e menduar veten gjithmonë si një princeshë që u martua me një mbret të bukur në një tokë të largët tepër ekzotike. Për prof. Bernd Fisher, duket se është një mëkat i madh që ajo nuk jetoi dot më gjatë. Sipas tij, ajo do të ishte bërë një ambasadore e mrekullueshme për Shqipërinë.

Ekziston një pikëpamje e tillë që në Shqipëri nuk ka pasur hebrenj të pasur, prandaj shqiptarët nuk i shihnin me zili, madje, duke i gjetur në ditë të hallit, fitonin mëshirën dhe solidaritetin e tyre. Cili është mendimi juaj?

Hebrenjtë e ardhur në Shqipëri u përkasin shtresave të ndryshme shoqërore. Një pjesë e madhe e tyre kanë qenë intelektualë dhe u përkrahën nga qeveria e mbretit Zog, duke u punësuar në mjaft sektorë të rëndësishëm, si në financa, mjekësi e në shumë profesione që kishte nevojë ekonomia, pra ata u trajtuan sipas aftësive të tyre e jo sipas pasurisë. E rëndësishme është që qytetarët shqiptarë i mirëpritën dhe i trajtuan si të barabartë në të gjitha aspektet.

Në Shqipëri erdhën vërtet shumë hebrenj, por këta qenë të parëndësishëm, s’përfaqësonin gjë, nuk ishin si Shpilman (kujtoni filmin “Pianisti“) apo si Norbert Jokli, për të mos bërë shumë krahasime. Kjo logjikë është përdorur për të gjetur një shpjegim pse afro 3000 hebrenj të ardhur në këtë vend nuk provokuan sjellje mospranuese ndaj tyre në popullsinë vendase. Në fakt, nga dëshmitë dhe kujtimet që ruhen në familjen tuaj, si i komentoni këto pikëpamje që ka një grup i caktuar kërkuesish në Shqipëri?

Sigurisht një pjesë e hebrenjve kaluan nga vendi ynë transit për t’u akomoduar në vende të tjera perëndimore dhe një pjesë jo e vogël qëndruan. Pikërisht kjo pjesë u trajtua me shumë kujdes nga qeveria, duke u grupuar dhe sistemuar në mënyrë të planifikuar në rajone e qytete të ndryshme të Shqipërisë. Pavarësisht se ndoshta nga kjo masë nuk kishte personalitete aq të shquara sa emrat që ju përmendët, kjo nuk do të thotë se midis tyre nuk kishte intelektualë të shquar dhe veçanërisht këta në mjedisin shqiptar të kohës. Këtu mund të përmend, p.sh. 15 anëtarë të familjes Vaisman të ish-presidentit të Izraelit apo edhe mjekun e nënës mbretëreshë Geraldinë, z. Overnofski. Mjafton të përmendim faktin se pranë oborrit mbretëror ishin punësuar 7-8 specialistë hebrenj, gjë që dëshmon se hebrenjtë e ardhur në Shqipëri u përkisnin të gjitha niveleve shoqërore dhe intelektuale. Për sa u përket hebrenjve që kanë kaluar transit nëpërmjet vendit tonë ende dhe sot nuk ka lista të detajuara për numrin dhe nivelin e tyre shoqëror.

Mbretëresha Geraldinë, në një intervistë dhënë vetëm pak kohë para vdekjes për një dokumentar kinematografik, ka pohuar se gjatë periudhës mbretërore shteti shqiptar i ka lëshuar një pasaportë nderi shkencëtarit hebre, Albert Ainshtain, për t’i lehtësuar rrugën drejt botës së lirë. A mund të na i konfirmoni këtë të dhënë? Ç’dini më shumë për këtë fakt nga kujtimet tuaja apo dëshmitë që mund të ruani?

Rreth viteve 1931, fizikani i shquar, Albert Ainshtain ka kaluar transit nga Shqipëria dhe është takuar drejtpërsëdrejti me mbretin Zog në vilën e Durrësit, duke u pajisur me dokumentet përkatëse. Ndërsa takimi me mbretëreshën Geraldinë është realizuar pas Luftës II Botërore. Për rastësi, në vilën Parmoor House afër Londrës, ku ka qëndruar familja mbretërore përpara tyre, ka banuar për një farë kohe dhe shkencëtari i madh, fizikani Albert Ainshtain.

Ndër shumë intervista është pohuar se mbretëresha Geraldinë, një mbretëreshë që jetoi më pak se një vit në vendin ku krijoi familjen, e la Shqipërinë vetëm një ditë pasi kishte lindur princin trashëgimtar. Shqiptarët, historianë e johistorianë, politikanë e jopolitikanë, janë gati të kacafyten po të hapet diskutimi për meritat / tradhtinë e ish-mbretit Zog, por ndërkaq ekziston një konsensus i heshtur i të njëjtëve për të mos thënë asnjë fjalë të keqe për mbretëreshën Geraldinë. Në fakt, edhe mbretëresha kurrë nuk e përgojoi atdheun e kurorës, edhe në ditët më të zeza. Paraprakisht dua t’ju kujtoj se përgojimit, ironisë dhe përqeshjes nuk i kanë shpëtuar as “motrat princesha”, të cilat patën marrë role të ngjashme mbrojtëse si muzat në Greqinë antike. Si e shpjegoni këtë “pakt“ të shqiptarëve me mbretëreshën Geraldinë për të mos e përgojuar njëri-tjetrin? Çfarë ka të dukshme dhe të padukshme nëna mbretëreshë kur vjen puna te dashuria që kanë shqiptarët për të?

Sigurisht që kjo pyetje është shumë intriguese dhe nuk mund t’i jepet një përgjigje e përcaktuar mirë, aq më tepër nga unë, si nip i saj, pasi dihet se si mund të flasë një nip, veçanërisht për gjyshen e tij. Por me bindje mund të them se tipari më dallues i saj, ka qenë humanizmi dhe dashuria njerëzore, që duke u bashkuar edhe me bukurinë, plotësuan një figurë tepër të dashur për popullin shqiptar, që siç dihet edhe ajo e deshi dhe e respektoi gjithë jetën deri sa mbylli sytë përgjithmonë.

Si mund ta përshkruanit portretin e mbretëreshës Geraldinë prej njohjes suaj të drejtpërdrejtë dhe prej asaj përmes burimeve bibliografike?

Natyrisht përshkrimi im është një përshkrim që bëhet për një gjyshe në një moshë të thyer, larg perceptimit të bashkëkohësve të saj ku ajo përshkruhet si ‘trëndafili i bardhë i Europës’. Gjithsesi, një fëmijë sheh te gjyshja e tij njeriun më të dashur, më të urtë, që tregon përrallat më të bukura, që e mbron nga fajet apo prapësitë e moshës, por edhe që e qorton megjithëse e ka zërin më të butë se nëna e tij etj., si këto. Megjithatë gjyshen e kujtoj shumë skrupuloze për sa i përket edukimit tim në tërësi dhe veçanërisht atij etik në gjithë gjerësinë e tij, si në veshje, si duhej të qëndroja në tavolinë gjatë ngrënies, si duhej të komunikoja me të rriturit etj. Te gjyshja shihja dhe më janë ngulitur në mendje, sjellja e saj me njerëzit që e rrethonin dhe i shërbenin. Ato ishin një marrëdhënie tepër njerëzore dhe vlerësuese për çdo njeri, të pasur apo të varfër, pa dallim. Në fjalorin e saj mbaj mend vetëm fjalë të bukura dhe kurrë ndonjëherë, qoftë edhe një fjalë të vetme vulgare kundrejt askujt brenda e jashtë familjes.

Mendoni se ka diçka logjike që lidh martesën e ish-mbretit Zog, që ishte i besimit mysliman me mbretëreshën Geraldinë, që ishte e besimit të krishterë, nga njëra anë, dhe tolerancës së shfaqur nga shteti i kryesuar prej tij, ndaj hebrenjve në rrezik?

Padyshim që kjo martesë përmbledh anën logjike dhe atë shpirtërore. Mendoj se në këtë lidhje ka mbizotëruar dashuria, e cila nuk u venit kurrë edhe pas vdekjes së mbretit Zog. Në aspektin logjik mendoj se çdo mbret ka mundësinë e përzgjedhjes së bashkëshortes së tij, duke e parë martesën edhe në aspektin politik të marrëdhënieve shtetërore me aleatët më të sigurt nga ana gjeopolitike dhe besoj se për kohën Austro-Hungaria ishte përzgjedhja më e mirë sesa me fqinjët rreth nesh. Për sa i përket çështjes fetare në pikëpamjet e familjes nbretërore, përkatësitë fetare përbëjnë pasuri dhe nuk janë parë kurrë si ndasi. Familja ime është shembulli i bashkëjetesës së të gjitha feve. Babai pati në krah një mbretëreshë të fesë anglikane, unë kam në krah Elian, që i përket fesë ortodokse, ndaj për mua është më se e natyrshme që hebrenjtë si përkatësi fetare, kanë qenë të mirëpritur, në Shqipërinë mbretërore.

Mbretëresha Geraldinë kishte një atdhe të lindjes (Hungarinë) dhe një atdhe të jetës (Shqipërinë). Por ajo jetoi pa asnjërin atdhe të saj gjatë gjithë jetës. Mund të thuhet se jeta e saj qe një eksodus biblik. Ndonëse mund të duket figurative, a nuk ju ngjan se roli i saj i njohur për të zbutur politikën mbretërore ndaj një populli në eksod, siç ishin hebrenjtë, u shpërblye shumë keq? A kanë detyrime brezat e sotëm për të ndrequr diçka?

Është i vërtetë pohimi i mësipërm, por njeriu nuk e parapërcakton fatin e jetës së tij. E rëndësishme është që sido që të jetë fati i jetës, së pari njeriu duhet të mbetet gjithnjë njeri me të gjitha virtytet që i ka falur natyra apo Zoti. Dhe ajo ashtu mbeti në të gjitha pozicionet që i caktoi fati, të lumtura dhe të trishtueshme. Dashuria njerëzore e shoqëroi deri në fund të jetës, si ndaj vendit të saj të lindjes, si dhe ndaj shqiptarëve, hebrenjve dhe të gjithë njerëzimit. Për mbretëreshën Geraldinë janë botuar disa libra nga autorë të huaj ku kanë dalë në pah jo aftësitë e saj politike apo diplomatike sesa dashuria dhe vlerat njerëzore. Për sa i përket pyetjes a kanë detyrim brezat e sotëm për të ndrequr diçka, mendoj se populli shqiptar e ndien dhe e vlerëson mirësinë dhe dashurinë e saj ndaj tij. Sigurisht që shqisat dhe mençuria popullore shpesh qëndrojnë më lart se politikat e ditës, e them këtë se nuk do të ishte e tepërt që varrimi i mbretëreshës Geraldinë të bëhej më ceremonial, shtetëror, ku të merrnin pjesë të gjithë përfaqësuesit e forcave politike, pasi në fund të fundit ajo nuk përfaqësonte vetëm një kah të politikës, sesa të gjithë popullin shqiptar. Megjithatë vlerësojmë vënien e emrit të mbretëreshës Geraldinë maternitetit të Tiranës, që edhe në kuptimin figurativ ka një domethënie: lindjen e brezave të rinj, të cilët padyshim do ta çojnë edhe më lart Shqipërinë.

Mërgimi i mbretit Zog dhe i mbretëreshës Geraldinë, me një rikthim pas 60 vjetësh ekzil, me të vërtetë ka një ngjyresë biblike. Por nëse do të ngulmonim ta trajtonim pikërisht si të tillë, ka rrezik që shembulli të kthehet në kundërproduktiv. Një studiues i huaj e ka quajtur si një lloj besnikërie ndaj popullit shqiptar, e ngjashme me atë të Penelopës mitologjike. Si e gjykoni ju?

Mendoj se ka një të vërtetë në krahasimin e mësipërm. Këtu kam parasysh si dashurinë edhe respektin ndaj popullit shqiptar, por mbi të gjitha dashurinë dhe amanetin ndaj të shoqit, mbretit Zog. Siç e përmenda më lart, ajo jetonte me të edhe pas vdekjes së tij dhe ardhja e saj ishte për mbretëreshën, rikthimi i mbretit Zog në vendin e tij. Padyshim që kjo dashuri për Shqipërinë ishte transmetuar gjatë gjithë jetës edhe te fëmija i saj, mbreti Leka si edhe te mua, kështu që mendoj se ky ishte edhe shpërblimi më i madh që iu bë i mundur para se të mbyllte sytë përgjithmonë.

Nga sa keni konstatuar gjatë kontakteve në Shqipëri, por dhe jashtë, a mendoni se ka njohje të mjaftueshme në shkallë ndërkombëtare realiteti shqiptar i viteve 1930 për marrjen në mbrojtje të hebrenjve?

Padyshim që njohje ka, por jo e mjaftueshme. Të mos harrojmë se përreth gjysmëshekulli regjimi komunist jo vetëm që nuk mund të evidentonte asnjë vlerë të monarkisë dhe mbretit Zog, por e nxiu gjithë realitetin e asaj periudhe. Sidoqoftë, kohët e fundit janë shtuar botimet lidhur me këtë aspekt, por ende të pandërkombëtarizuara në shkallën e duhur. Më e rëndësishmja është që populli izraelit përgjithësisht e njeh dhe e vlerëson atë realitet, por kjo nuk do të thotë që ne kërkojmë ndonjë shpërblim. Ne kërkojmë që të njihen vlerat e kombit shqiptar në të gjithë botën, vlera që ky popull i ka shfaqur gjatë gjithë ekzistencës së tij. Historia e popullit tonë ka qenë jo ajo e përfitimit nga të tjerët sesa ajo e luftës për të ruajtur trojet dhe vlerat kombëtare. Nuk është e tepërt që në këtë rast të përmendim periudhën e Skënderbeut, ku Shqipëria u bë mburojë e Europës, edhe pse një shtet i përmasave të vogla.

Megjithëse një vend aleat i Italisë fashiste, gjatë periudhës monarkike, sidomos pas shpalljes së doktrinës hitleriane “Final Solution“, Shqipëria u hapi kufijtë qindra hebrenjve të vendeve të Europës Qendrore. Mendoni se ky fakt duhet të jetë një pikënisje për të reflektuar jo vetëm për të shkuarën tonë, për të shkuarën e kontinentit, por edhe për zhvillime të sotme, sidomos për tolerancën ndëretnike e ndërfetare dhe respektimin e dinjitetit të njeriut?

E vërteta e pamohueshme është se mbreti Zog nuk pranoi regjimin fashist në Shqipëri, duke mos njohur kurrë ligjërisht pushtimin e saj. Në ultimatumin e fundit, disa orë para pushtimit, Musolini i premtonte mbretit Zog një sërë privilegjesh materiale dhe honorifike, por ai i refuzoi me neveri. Ajo që është madhështore për një komb të vogël si Shqipëria, mbetet fakti që populli nuk dorëzoi asnjë hebre as gjatë marshimit nazist në vendin tonë. Në ndërgjegjen tonë kolektive, në plan të parë u vunë të drejtat e njeriut. Është për të ardhur keq që pikërisht ky komb që ka dhënë shembullin e tolerancës, gjatë dekadave të fundit të vuajë ende gjenocidin dhe diskriminimin etnik e fetar nga fqinjët tanë.

 

Aktorja e njohur turke, prezente në Festivalin e Filmit që mbahet në Durrës

“Shamikuqja” do të vijë në Durrës

Shamikuqja, personazhi i njohur i filmit turk me të njëjtin emër, do të vijë në Shqipëri si e ftuar në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit, që hap siparin nga data 9-14 shtator në qytetin e Durrësit. Simboli i bukurisë dhe mençurisë së femrave turke, Turkan Suray, ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj në festival, në kuadër të programit kushtuar 100-vjetorit të kinemasë turke. Ndërsa janë duke u bërë përgatitjet e fundit për festivalin, organizatorët kanë bërë publike jurinë, e cila këtë vit është e përbërë nga emra të njohur në botën e kinemasë, si regjisori Per Nielsen, përkthyesi Gjergj Vlashi, aktori maqedonas Xhevdet Jashari, i njohur për interpretimet te “Koha e kometës” dhe “Unë jam nga Titov Veles”, regjisori Muharrem Fejzo, regjisori Tom Van Avermaet, aktorët Genti Kame dhe Teuta Krasniqi, dhe presidente Eva Zaoralová. President i jurisë së seksionit “Botë Ballkanike” do të jetë Hrvoje Hribar, tri herë fitues i “Filmit kroat më të mirë të vitit” dhe drejtor i Qendrës Kinematografike Kroate. Miki Manojlovic, aktori i mirënjohur i filmave të Kusturicës, do të jetë prezent në retrospektivën e tij në Durrës “International Film”.

 

Ky shkrim GERALDINA, MBRETËRESHA QË SOLLI TË BUKURËN TE SHQIPTARËT u publikua me pare te Gazeta SHQIP.

Shqipëria ka nevojë për një ngjarje ndërkombëtare arti

$
0
0

ulay-abromovitch-630x446-600x424Çfarë ndodh me sistemin e artit në vend/ Cilat janë tendencat e artit shqiptar këto vite dhe si do të jetë e ardhmja… Andi Tepelena, drejtor i “Art Kontakt”, vjen në një rrëfim vetëm pak ditë pas përfundimit të Festivalit të Artit që u mbajt në Porto Palermo

Arti bashkëkohor është si një acid që gërryen klishetë dhe traditën konservatore të shoqërive. Arti ka qenë gjithnjë pararojë e ndryshimeve, duke parandier nevojën e shoqërive për të ndryshuar. Një tablo mund ta japë me një vështrim zgjedhjen, ashtu në kaosin që përcjell apo dëshirën për zhvillim. Në një demokraci të re si kjo e jona, gjuha e artit duhet të ishte më e ashpër e ndoshta më e drejtpërdrejtë ndaj fenomeneve që kanë shoqëruar periudhën postkomuniste. Qytetet duhet të ishin mbushur me galeri arti, jo vetëm si një nevojë për të prezantuar prurjet e reja artistike, që nuk kanë munguar këto vite, por dhe si një shije e re estetike për shoqërinë e pamësuar me format e reja. Nga një shpërthim që duhet të kishte brezi i ri i artistëve të pas ‘90-s, duke e kthyer artin e tyre në një shuplakë ndaj politikës dhe gjendjes ekonomike, duke hapur vetë portat drejt marrëdhënies më direkte me publikun, kemi një tërheqje të artistëve, në pritje të mundësive që duhet t’u ofrohen nga institucionet e artit. “Në vend, ende nuk shohim ekspozita që të përmbysin estetikën që mbizotëron në qarqet artistike, apo ekspozita që të shprehin ide rebele dhe të mbajnë një qëndrim të guximshëm ndaj zhvillimeve sociale, politike, kulturore”, shprehet Andi Tepelena, kurator dhe drejtor i “Art Kontakt”, një festival bashkëkohor arti, i cili sapo ka mbyllur edicionin e tretë në Kalanë e Porto Palermos. Rreth 25 artistë nga vende të ndryshme të Ballkanit sollën perceptimet e tyre të reja artistike në teknika të ndryshme si video-art, piktura, fotografi, performanca, instalacione etj. Nëse në vende të tjera fqinje, festivalet e artit janë domosdoshmëri dhe tepër të zakonshme si një formë nxitëse për artin në vend, por dhe për të parë situatën në të cilën vepron arti, në Shqipëri, festivalet e artit janë aq të rrallë.

Duke i parë si një përmbysje të estetikës së vjetruar dhe një ripërtëritje të marrëdhënieve midis aktorëve të fushës, për Tepelenën ka ardhur koha kur festivalet e artit duhet të jenë domosdoshmëri.

Prej disa vitesh, sillni Art Kontakt” një festival ndryshe arti, çfarë ka sjellë ky event në vite dhe çfarë solli këtë vit?

Ky festival ka të veçantën e tij në stilin “underground”. Nëse arti bashkëkohor e ka strehën e vet në epiqendrat kulturore, pra në kryeqytetet e vendeve të zhvilluara, “Art Kontakt” bën të kundërtën, e çon artin bashkëkohor në periferi gjeografike. Kjo ka një arsye shumë të thjeshtë. Së pari, pasi Kalaja e Porto Palermos ka arkitekturë dhe pozicion gjeografik magjik, gjë që frymëzon kuratorë e artistë.

Së dyti, sepse kemi një qasje të trashëgimisë sonë kulturore, pra atë që përbën identitetin tonë historik kulturor, dhe një qasje me koncepte bashkëkohore dhe krijuese e bën më interesante dhe nxitëse përvojën e vizitorit pranë këtyre objekteve historike.

Ashtu sikurse në konceptin e këtij edicioni, i titulluar UNCHARTED, kjo hapësirë gjeografike, metaforikisht, nuk u shfaq vetëm si vend historik, por si një vend ku histori të tjera lindën. Territori imagjinar i Porto Palermos mori formë tjetër. Ide të reja, vepra të reja, shprehën përvojën e artistëve për botën ku jetojnë, duke i veshur një identitet të ri shtresëzimeve historike identitare të Porto Palermos. Gjuhët dhe teknikat artistike ishin ato që gjejmë zakonisht në ekspozitat e artit bashkëkohor, duke filluar nga teknika, video instalacioni, performancë. Rëndësi iu kushtua dhe pikturës bashkëkohore nëpërmjet artistëve Helidon Haliti dhe Rron Qena, e cila gjithnjë e më shumë po bëhet një “specie” në humbje e sipër në ekspozita të artit bashkëkohor në Shqipëri.

Tema të forta u prekën, siç është projekti “Katër i Radës” i Arta Ngucaj dhe “Heshtja e Kangës” nga Arben Beqiraj, me gratë e dhunuara në Kosovë; projekti i Eliza Hoxhës, “The Spider Web City”, që prek temën social-urbanistike të Bathores dhe ai i artistes angleze Julia Heslop. Po ashtu tema me frymëmarrje ndërkombëtare, që prekin ngjarjet e rëndësishme ndërkombëtare të shekullit të kaluar të artistit gjerman Nasserman. Ndër temat që shprehin gjendjen e individit në shoqëritë ku jetojnë do të veçoja projektin “Multiplicity të Ema Andreas dhe Klod Dedja si dhe “Sorry” të Beskida Kraja. Një vend i rëndësishëm iu kushtua artistëve të rinj që vijnë nga realitetet e Akademive të Arteve. Mund të përmend performancën poetike ekzistenciale të Arbies Komoni dhe Arbies Ferruni, apo projektin fotografik “Vanity” të Fjoralba Kryemadhit. Në këtë festival pati dhe një ndërthurje me disiplina të tjera artistike, si me muzikën e kërkuar, ku do të përmendja projektin “Metamorphic narratives” të Ilir Llukës, projektin audivizual të Ermal Bazhanit dhe Orjet Nazëraj, projektin muzikor me tinguj të Adriatikut, nga Leoanard Toma dhe projektin muzikor ku ndërthuret muzika tradicionale shqiptare me atë elektronike eksperimentale.

Një projekt interesant ishte dhe ai arkitekturor i Emi Toskës, ku kishte realizuar një vizion se si mund të shndërrohen në muze të historisë dhe për ekspozita të përkohshme Kalaja e Porto Palermos. Pra janë të gjithë këto elemente që e pasuruan dhe e bënë më të larmishëm UNCHARTED.

Çfarë i sjell një festival skenës artistike në vend?

Oksigjen, ide të reja estetike, që përmbys estetika të vjetruara. Sjell një ripërtëritje të marrëdhënieve midis aktorëve të fushës, sjell një komunikim të ri midis artistit dhe publikut.
A mund të flasim sot për një sistem arti në vend?

Nëse i referohemi kritikut Lawrence, i cili përdor i pari fjalën sistem arti në një ese në revistën amerikane “Artforum”, ku njohja dhe fama e artistit nuk përcaktohet vetëm nga ndjeshmëria e artistit dhe publikut, por nga një seri rregullash, takimesh, mbështetjesh nga institucione private dhe publike që duhen menaxhuar me kujdes, mendoj se jemi në kushtet e një koncepti francez që flet për “botë arti” apo konceptin italian “fushë arti”.

Në Shqipëri, përveç Ministrisë së Kulturës, apo ndonjë bashkie tek-tuk, nuk ka struktura siç mund të jenë fondacione private ose miks privat publik të artit, që mbështesin në mënyrë të vazhdueshme prodhimin artistik (vepra dhe ngjarje artistike), nuk ka struktura ekspozuese të artit, galeri të mirëfillta që të kryejnë atë rolin ndërmjetës tregtar midis artistit dhe koleksionistit. Koleksionisti veçanërisht ky aktor shumë i rëndësishëm i të ashtuquajturit “sistem arti”, është i paformuar me artin bashkëkohor, pasi në vend mungon kritika dhe editoriale e specializuar, numri i kuratorëve është tepër i ulët…

Kjo është rrugë e gjatë dhe varet shumë dhe nga zhvillimi ekonomik i një vendi dhe politikat kulturore që ndiqen për të investuar në art, por dy gjëra mund të bëheshin në një periudhë afatshkurtër.

Krijimi i hapësirave të përshtatshme shtetërore ekspozuese në qendrat urbane, ndarja e fondit të krijimtarisë individuale pranë Ministrisë së Kulturës dhe Bashkive, dhe nxitja e korporatave të mëdha, apo bankave të krijojnë koleksione me vepra të artistëve të rinj shqiptarë. Në këtë mënyrë do të krijohej ekonomi rreth veprave të artit.
Cilat janë problemet që vëreni në terrenin e artit në vend dhe tendencat?

Mbi të gjitha, mungesa e ngjarjeve të rëndësishme ndërkombëtare të artit. Mosbërja e Bienales së Tiranës ka lënë një vakum. Por Shqipëria ka nevojë për shumë ngjarje të mëdha gjatë vitit, jo të presë dy vjet për një gjë të tillë. Këto ekspozita të mëdha u japin mundësi pikëtakimi artistëve me kolegë të vendeve të huaja, të ndajnë informacion, gjë që ndikon në rritjen dhe njohjen e çdo artisti, të shprehin ide avangarde, por mbi të gjitha këto ekspozita të mëdha do t’i shërbenin edukimit të gjerë të publikut me tendenca artistike.

Në vend ende nuk shohim ekspozita që të përmbysin estetikën që mbizotëron në qarqet artistike, apo ekspozita që të shprehin ide rebele dhe të mbajnë një qëndrim të guximshëm ndaj zhvillimeve sociale politike kulturore.

Si e shihni raportin e artistit me kohën?

Artisti ka një raport paksa të çuditshëm me kohën që jeton. Shpesh të jepet përshtypja se falë intuitës së vet u paraprin ngjarjeve, në raste të tjera vjen më mbrapa ngjarjeve historike, në të shumtën e rasteve, falë sensibilitetit shpreh një nevojë emocionale për ngjarje që e kanë prekur aty për aty.

Shpesh është si një Faust që kërkon të ndryshojë botën, apo si Uliks kureshtar për të prekur misteret e jetës reale, apo një Bodler që i shkon në zemër shpirtit të individit.

Artisti i sotëm ka dhe një përgjegjësi sociale. Sikurse thotë një miku im artist, arti bashkëkohor është si një acid që gërryen klishetë dhe traditën konservatore të shoqërive.

Por ajo që e karakterizon më shumë se çdo gjë artistin në raport me kohën dhe shoqërinë është rafinateca, hapja mendore dhe kurajë për t’u përballur me të ardhmen.
E si e projektoni të ardhmen?

Mbetem optimist. Në këtë vend ka shumë energji dhe shpirt krijues dhe kjo përbën bazë të shëndetshme për rritjen dhe modernizimin e individit dhe shoqërisë shqiptare.

 

 

Ky shkrim Shqipëria ka nevojë për një ngjarje ndërkombëtare arti u publikua me pare te Gazeta SHQIP.

Një film për homoseksualët shqiptarë në Sarajevë

$
0
0

02022014-4Hapi siparin dje Festivali XX i Filmit në Sarajevë / Tre regjisorë të rinj shqiptarë, Gentian Koçi, Elton Baxhaku dhe Eriona Çami, pjesëmarrës në garën e madhe ndërkombëtare. Regjisori Isa Qosja, më 19 gusht jep premierën e filmit më të ri, “Tri dritare dhe një varje”

Edicioni XX i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Sarajevë ka hapur siparin dje me një ceremoni ashtu siç i takon një jubileu. I ndarë në tri pika të ndryshme, festivali e ka kthyer Sarajevën në një qytet arti. Kineastë nga e gjithë bota dhe adhurues të filmit kanë zbritur në qytet për të jetuar tetë ditët e filmit (Festivali nisi më 15 dhe përfundon më 23 gusht). Shqipëria prezantohet në këtë festival me dy prodhime të tre regjisorëve të rinj. Regjisori Gentian Koçi është përzgjedhur ndër 14 projektet më premtuese për rajonin, për vitin 2014 në Cinelink, gjatë ditëve të Festivalit të Sarajevës, me skenarin për filmin me metrazh të gjatë “Dita zë fill”. Historia flet për një dramë intime që zhvillohet në një apartament, në mjedisin urban periferik të Tiranës. Historia zhvillohet rreth tri personazheve, dy grave dhe një djali të vogël njëvjeçar, dhe tregon përpjekjet e një nëne të re për të mbajtur me zor vendin e punës. Kjo histori, sipas Koçit, flet për kompromise të heshtura që secili prej nesh i bën në përballjen me mbijetesën. Në seksionin e dokumentarit më të mirë, është përzgjedhur dhe “SkaNdal” me regji të Elton Baxhakut dhe Eriona Camit. Dokumentari me skenar të Xheni Karajt dhe Kristi Pinderit tregon për lëvizjen homoseksuale në Shqipëri. Dokumentari do të shfaqet nesër dhe në 63 minuta përshkruhen 5 vjet. Është historia e djemve dhe vajzave që duhet të dilnin mbi tabutë e shoqërisë për të pranuar hapur homoseksualitetin e tyre. Përtej historive personale, dokumentari tregon dhe se si është zhvilluar kauza e këtij komuniteti në Shqipëri, një kauzë e cila ka qenë e mohuar, shqetësimet dhe ato çfarë ka ndodhur në vite. “Gjatë gjithë punës, sfida kryesore ishte si të realizojmë një dokumentar që të frymëzojë komunitetin”, është shprehur Karaj. Dokumentari “SkaNdal” konkurron jo vetëm për trofeun kryesor që është “The Heart of Sarajevo”, por edhe për disa çmime të tjera të rëndësishme të këtij eventi me më shumë se 100 mijë vizitorë, siç është çmimi “Human Rights Award”, për disa çmime që akordohen nga “Al Jazeera”, dhe për “EDN Talent Grant”. Pas shfaqjes së dokumentarit, në datën 17 gusht do të organizohet një debat në “DocuCorner”, një formë kjo interaktive mes të rinjve dhe regjisorëve që synon të ngjallë debat dhe diskutime. Këtë vit, festivali u ka kushtuar një hapësirë të veçantë të drejtave të njeriut, ku një program i tërë filmash me temë nga të drejtat e njeriut do të shfaqet në ekranin e madh. Përveç Shqipërisë, që këtë vit konkurron me dokumentarin “SkaNdal”, janë plot 20 vende të botës pjesë e së njëjtës garë. Ceremonia e hapjes së Festivalit Jubile u zhvillua dje në Teatrin Kombëtar të Sarajës, ku u shtrua dhe tapeti i kuq. Përgjatë 9 ditëve, publiku do të shohë 246 filma që konkurrojnë sipas sesioneve të ndryshme. “Zemra e Sarajevës” u nda dje për dizajnuesen Agnes B. dhe regjisorin Gael Garcia Bernal në ceremoninë e hapjes së festivalit. Në natën finale të ndarjes së çmimeve të festivalit, regjisori Danis Tanoviç do të nderohet me kupën “Zemra e Sarajevës”. Tre filma u prezantuan në ditën e parë, të edicionit XX të festivalit. Kinemaja meksikane do të ketë një vend nderi gjatë ditëve të festivalit. Më 19 gusht, në skenën e festivalit do të jetë premiera e filmit më të fundit të regjisorit Isa Qosja, “Tri dritare dhe një varje”, prodhim i Qendrës Kinematografike të Kosovës. Filmi tregon historinë e Lushes, një mësuese fshati, e cila i tregon në një intervistë një gazetareje të huaj se është dhunuar bashkë me tri gra të tjera të fshatit gjatë luftës në Kosovë. Si pasojë, burrat e fshatit kërkojnë largimin e saj nga fshati, pasi i ka turpëruar. Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Sarajevë është një ndër ngjarjet më të rëndësishme të filmit në Ballkan.

Kosova, përgatitet për “Oskar”

Qendra Kinematografike e Kosovës ka bërë publike dje emrat e jurisë që do të përzgjedhin filmin kosovar, i cili do të shkojë në garën e çmimeve “Oskar” për kategorinë e filmit më të mirë të huaj. Juria kryesohet nga aktorja e njohur Arta Dobroshi, regjisorja Blerta Zeqiri, dramaturgu Jeton Neziraj, artisti Albert Heta, aktori Alban Ukaj dhe kameramani Sylejman Kllokoqi. “Ky është moment historik për popullin e Kosovës. Kjo është hera e parë në historinë tonë që kemi mundësi të nominojmë një film për ‘Oskar’. Ndihem shumë e nderuar që jam presidente e komitetit selektues nga Kosova. Shumë urime Kosovë”, është shprehur Dobroshi. Kjo juri do të përzgjedhë deri në datën 20 shtator filmin kosovar që do të promovohet në SHBA përmes “European Film Promotion”, ku Qendra Kinematografike e Kosovës është anëtare.

Më 6 gusht, QKK-ja ka ftuar të gjithë të interesuarit që të dërgojnë propozime për konsiderim për çmimin për filmin më të mirë të huaj “Oskar”, i cili mund ta përfaqësojë Kosovën këtë vit. Të drejtën e konkurrimit e kanë të gjithë filmat e metrazhit të gjatë nga Kosova që janë shfaqur për shtatë ditë rresht në kinematë kosovare nga tetori 2013 deri në shtator 2014 dhe që i plotësojnë kushtet e tjera të vëna nga “Academy of Motion Picture Arts and Sciences”. Në muajin korrik, “Academy of Motion Picture Arts and Sciences”, që ndanë çmimet “Oskar”, e ka njoftuar Qendrën Kinematografike të Kosovës se nga ky vit ka të drejtë të propozojë një film për konsiderim për çmimin në kategorinë e filmit të huaj. Ky njoftim erdhi pas aplikimit të Qendrës Kinematografike të Kosovës këtë vit dhe pas përmbushjes së kritereve të akademisë dhe lobimit ndërkombëtar.

 

Ky shkrim Një film për homoseksualët shqiptarë në Sarajevë u publikua me pare te Gazeta SHQIP.

Viewing all 4020 articles
Browse latest View live


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>