U IDENTIFIKUA FLAMURI ME TË CILIN THEMISTOKLI GËRMENJI SHPALLI KRAHINËN AUTONOME TË KORÇËS
Frederik Stamati
Viti 1916 i dha Korçës një vend nderi dhe tërheqës në historinë e Shqipërisë, krahinën autonome. Nuk do ta komentoj se si ndodhi, kjo është çështje historie dhe u takon historianëve të thonë fjalën e tyre. Jo se nuk e kanë bërë, madje në ato pak rreshta që do të më duhet të shkruaj për lidhjen e ngjarjeve do të bazohem pikërisht në studimet e tyre. Ishte viti një mijë e nëntëqind e gjashtëmbëdhjetë. Luftë në të gjithë Europën: luftonte Antanta me Bllokun Qendror. Në atë kohë Shqipëria e Jugut mbahej e pushtuar nga Greqia. Franca ishte zgjeruar edhe në frontin e Lindjes. Italia mbetej neutrale. Ekzistonte mundësia që Armata franceze e Lindjes të mbetej e izoluar. Por erdhi një ditë që edhe Italia të përfshihej në luftë në krahun e Antantës. Ajo pushtoi Shqipërinë e Jugut. Francës i interesonte krahina e Korçës, edhe ajo në varësinë greke, ku do të bashkohej me frontin aleat të Italisë. Trupat e saj lëvizën drejt perëndimit, drejt Korçës të cilën edhe e pushtuan. Administrata greke u përzu. Erdhi momenti kur u harmonizuan interesat e patriotëve shqiptarë me ato të forcave antigreke. Ky ishte rasti! Dhe ky rast u shfrytëzua. Shqiptarët kërkuan pavarësinë e krahinës nën autoritetin francez. Për hollësira të mëtejshme dhe saktësime që shuajnë kuriozitetin e ndezur të ngjarjes mund të konsultohen botimet e specialistëve të fushës. Nga sa del nga dokumentet, personazhi kryesor i ngjarjes ishte Themistokli Gërmenji. Më 10 dhjetor 1916, u nënshkrua një protokoll zyrtar midis përfaqësuesve shqiptarë të kryesuar nga Themistokli Gërmenji dhe kolonelit Dekoen, komandanti francez i zonës së Korçës, sipas të cilit zona e Korçës shpallej krahinë autonome. Në një nga pikat e protokollit përcaktohej edhe flamuri i krahinës autonome, që do të ishte flamuri shqiptar në të cilin do të bashkëngjitej një shirit me të tria ngjyrat e flamurit francez. Po atë ditë, në ballkonin e ndërtesës së famshme, kati i dytë i së cilës u shemb misteriozisht ca kohë më parë, u ngrit nga Themistokli Gërmenji flamuri shqiptar. Në të dyja fotot shoqëruese të këtij shkrimi paraqitet momenti i ngritjes së flamurit. Negativi i fotos më të mirë është bërë nga Marubi, bazuar në një foto origjinale, ndërsa e dyta është e arkivit të zotit Niko Kotherja. Krahina autonome e Korçës nuk e pati jetën e gjatë. Intrigat e mbyllën Themistokli Gërmenjin mbas dyerve të hekurta të ruajtura me ushtarë. Ai u gjykua në Selanik nga një gjykatë ushtarake franceze e Armatës së Lindjes, u deklarua fajtor si bashkëpunëtor me ushtritë e Boshtit Qendror dhe u pushkatua menjëherë më 9 nëntor 1917. Më vonë u deklarua i pafajshëm dhe u varros me një ceremoni madhështore në Korçë. Mbi varrin e tij u ngrit një monument, ai që është edhe sot, u vendosën kurora me lule dhe përkujtohet me nderime në ditë të shënuara. Po asgjëkund nuk thuhet se sa plumba u gjetën në trupin e tij … Kur u largua nga Korça, koloneli Dekoen e mori me vete flamurin e dhjetë dhjetorit të njëmijë e nëntëqind e gjashtëmbëdhjetës, pikërisht atë flamur të parë që ngriti Themistokli Gërmenji në ballkonin e ndërtesë dykatëshe. Me sa duket, ndërgjegjja e pastër e kolonelit Dekoen binte ndesh kryekëput me vendimin e nxituar të Gjykatës Ushtarake të Selanikut. Ndryshe ai nuk do të merrte e të ruante me kujdes një simbol të një tradhtari. Dhe nuk e mori fshehurazi. Ai bisedoi paraprakisht me parinë atdhetare të Korçës për këtë gjest jo koleksionisti, por shpëtimtari. Ai do ta kthente flamurin porsa në Shqipëri të krijoheshin kushtet për ta ekspozuar në një muze. Kështu, si një njeri i kulturuar, mendoi për kulturën historike shqiptare. Ai përsëriti në të njëjtin nivel dashamirësie gjestin e konsullit austriak Kviatovski me kambanën e Krujës dhe të komandantit të regjimentit 6 të vullnetarëve shqiptarë në ushtrinë austro-hungareze, Richard Dimmel, me flamurin e regjimentit vullnetar. Shpëtimi i flamurit të Themistokli Gërmenjit është ndjenjë shpirtërore e kolonelit Dekoen. Dhe ja, erdhi një ditë që në Tiranë u hap Muzeu Kombëtar. Kjo ndodhi në vitin 1922. Drejtori i parë i atij muzeu, Viskë Babatasi, ndërmori përpjekjet për rikthimin në Atdhe të flamurit të famshëm. Nuk e dimë se si u njoh ai me faktin, kjo do të duhet të jetë temë e një studimi më të hollësishëm, ndoshta edhe të pamundur, por në Arkivin e Shtetit ruhet kjo shkresë me të cilën lidhet fillimi i ngjarjeve:
ASH Fondi 195, Viti 1922, Dosja 178, Faqe 1
Muz. Shqip.
No. 5.
Zoti Kolonel Descoins,
Komandant
i Divizionit
Algjerian
etj., etj., etj.
Tiranë më 17 shtator 1922.
Zoti Komandant
Duke e ditur nga patriotë të vërtetë se sa i interesuar jeni ju për begatinë e Shqipërisë, kam nderin t’ju bëj me dije se prej pak kohësh u përurua në Tiranë një muze shqiptar. Kur u larguat nga qyteti i Korçës, ju keni marrë me vete një flamur shqiptar me premtimin mirëdashës francez, se ditën që Shqipëria do të ketë muzeun e vet, ju do ta ktheni atë si kujtim të ngjarjeve që kanë kaluar mbi kurrizin e vendit tonë të mjerë. Duke parë interesin moral që keni pasur gjithnjë për Shqipërinë, dëshirojmë të besojmë se ju do ta përmbushni premtimin tuaj, duke qenë të sigurt se ndjenjat tuaja mirëdashëse ndaj vendit tonë do të mbeten të njëjta dhe se Shqipëria e ndihmuar moralisht nga patriotë të vërtetë, premton që për pak kohë të ecë në rrugën e saj drejt lirisë, barazisë e vllazërisë. Ju lutem zoti komandant, pranoni nderimet dhe respektin tim.
Drejtori i Muzeut shqiptar në Tiranë,
V. B.
(Viskë Babatasi, F. S.)
Ndërkohë vitet kalonin dhe gradat ushtarake rriteshin. Këtë e kuptojmë nga letra e përgjigjes e ushtarakut Dekoen, që tashmë ishte gjeneral i Brigadës së Parë të Kavalerisë algjeriane. Gjithashtu, në letër shprehet edhe shqetësimi i Dekoen për ruajtjen e sigurt të flamurit. Ja se çfarë shkruan:
MPJARKIVI Viti 1922
KAVALERIE D’ALGERIE Bayonne 6 nëntor 1922
1rë BRIGADE
LE GĖNĖRAL
Zotëri,
Doktor Burear më shkruan se ju ka bërë me dije për dëshirën time për ta kthyer flamurin që u shpalos në Korçë më 10 dhjetor 1916 për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë. Nuk dëshiroja që ky kujtim i çmuar të rrezikonte të humbiste, prandaj po e sjell vetë. Besoj se do të jem në Paris në fund të javës së ardhshme. Sapo të mbërrij, do t’ju shkruaj apo telefonoj për të caktuar një takim me ju e për t’ju dorëzuar flamurin. Ju lutem të besoni në shprehjen e ndjenjave të mia të devotshme.
Gjenerali Dekoen
37, rruga “Viktor Hygo” në Bayonne, (shqip Baione, F. S.)
Ndërkohë, Legata shqiptare në Paris, e informuar për përpjekjet e Viskë Babatasit, njoftonte me një letër Pandeli Evangjelin, në atë kohë monistër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë:
No. B. I-3703
LEGATA SHQIPTARE, Paris më 20 nëntor 1922
Num: XC-113
Zoti Ministër
Kam nderin t’ju informoj, se kam mësuar nga burime të sigurta, që drejtori i Muzeut të Tiranës i ka drejtuar një letër gjeneralit Descoins, (Dekoen, F. S.), me anën e së cilës i kërkon Flamurin shqiptar, të kravatuar me ngjyrat franceze, që u ngrit me rastin e shpalljes së pavarësisë në qytetin e Korçës.
Nga ana tjetër, duke e ditur se gjenerali Descoins ka refuzuar ta dërgojë në Tiranë me postë këtë objekt të çmuar, u interesova për këtë çështje dhe bashkangjitur, i nderuar Shkëlqesi, mund të gjeni letrën e fundit që më ka shkruar gjenerali Descoins.
Ju lutem zoti ministër, pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë.
(Firmosur nga Xh. Dino)
Shkëlqesisë së tij
Zotit Pandeli Evangjeli
Ministër i Punëve të Jashtme
Dy javë më vonë, gjenerali Dekoen i dërgoi një letër Presidentit. Po cilit president? Nuk thuhet në korrespondencën që ruhet në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë. Por në korrespondencën pasardhëse të Xhemil Dinos kuptohet që është fjala për Kryetarin e Kuvendit. Po e citojmë:
MPJARKIVI. Viti 1922. Dosja 48. Faqe 2
KAVALERIA E ALGJERISË Algjer, më 4 dhjetor 1922
Brigada I
——————-
GJENERALI
I nderuar President,
Kur u largova nga Korça, në marrëveshje me miqtë e mi shqiptarë, unë mora me vete flamurin që patriotët e Korçës e kishin valëvitur më 10 dhjetor 1916, për të shpallur Pavarësinë e vendit të tyre.
E mbajta, por thjesht për ta ruajtur, pasi kjo emblemë ju përket juve: ajo bën pjesë në trashëgiminë tuaj kombëtare.
Para disa javësh, z. Viskë Babatasi shprehu dëshirën për ta pasur këtë flamur, e për ta vendosur në Muzeun Historik të Tiranës, ku ai ka pa dyshim një vend nderi.
Unë nxitova t’i paraprij kësaj dëshire. Duke ardhur në Paris, e dorëzova flamurin në duart e Shkëlqesisë së Tij, z. Xhemil Dino, i cili mori përsipër që ta çojë në destinacion.
Duke ia kthyer objektin e çmuar që më ishte besuar, i dhashë edhe urimet e mia, urimet e një miku të orëve të para, për lumturinë dhe begatinë e Atdheut tuaj.
Dëshiroj zoti President, që po ato urime, t’ia shpreh edhe Shkëlqesisë Tuaj, së bashku me ndjenjat e mia plot respekt dhe devotshmëri.
Gjenerali Dekoen
Ja dhe letra pasardhëse, që gjithashtu ruhet në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë:
MINISTRIA E P. TË JASHTME
PROT No B. I-3703
ARRITUR MË 20-XII-1922
LEGATA E SHQIPËRISË Paris, më 6 dhjetor 1922
Num: XC- 129
Zoti Ministër,
Kam nderin t’ju komunikoj se gjenerali Descoins, (Dekoen, F. S.), ma ktheu flamurin shqiptar me kravatë franceze, që u ngrit në Korçë më 10 dhjetor 1916.
Gjenerali, duke dorëzuar në duart e mia flamurin historik, mbajti një fjalim shumë prekës. Ai më dorëzoi gjithashtu një letër për Shkëlqesinë e Tij, Kryetarin e Kuvendit.
Kemi shkëmbyer me njëri-tjetrin vizita shumë të përzemërta.
Me konsideratën më të lartë për ju zoti ministër.
(Firmosur Xh. Dino)
Shkëlqesisë së Tij
Zotit Pandeli Evangjeli
Ministër i Punëve të Jashtme
T i r a n ë
P. S. Jam shumë i lumtur që mund t’jua dorëzoj flamurin nëpërmjet zotit Justin Godart. Nuk mund të paraqitej një rast më i mirë nga ky.
(Firmosur Dino)
Dhe nga kjo letër kuptohet se u mendua dhe u vendos që flamurin ta sillte në Tiranë Justin Godart. Dhe ashtu u bë.
Ky shkrim Letërkëmbimet me gjeneralin Descoins që bënë të mundur kthimin në atdhe të Flamurit u publikua me pare te Gazeta SHQIP.